E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 650 mijë nxënës u drejtohen sot shkollave

Ashtu sikurse dhe vitin e shkuar, struktura bazë është 5 vjet (fillorja) + 4 (arsimi bazë) + 3 (gjimnazi). Gjatë ditës së sotme, për herë të parë iu janë drejtuar bankave të shkollës 50 mijë fëmijë të moshë 7-vjeç, që nisin kështu klasën e parë.

Bazuar ne udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili u është shpërndarë tashmë të gjithë mësuesve, viti i ri shkollor 2009-2010 nis më datë 14 shtator dhe do të mbyllet më 11 qershor 2010. Sezoni shkollor do të jetë i ndarë në dy semestra. Fundi i semestrit të parë do të jetë data 29 janar 2010, ndërsa nxënësit do të kthehen në banka 5 ditë më pas, më datë 3 shkurt për të nisur semestrin e dytë dhe të fundit të vitit shkollor.

Ajo që është interesante këtë vit është ndryshimi i programit lëndor dhe gjithë kurrikulave në vitet e para të shkollave të mesme. Programi do të ndahet në lëndë bërthamë dhe lëndë me zgjedhje. Kurrikula me zgjedhje, në klasën e 10-të gjimnaz do të përfshijë lëndët: Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimi kulturore, Gjuhë e huaj (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht). Ndërsa lëndë me zgjedhje të lirë janë përforcimi në matematikë, letërsi, fizikë dhe biologji.

Gjithsej në shkallë vendi numërohen 376 shkolla të mesme dhe 1749 shkolla 9-vjeçare, të cilat janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës premton se ky vit do të shoqërohet me disa risi. Për herë të parë, këtë vit shkollor do të funksionojnë 50 klasa të reja përgatitore për fëmijët 5-6 vjeçar, në shkollat e Ciklit të Ulët, që u mundësua falë zbatimit të projektit “Cilësi dhe barazi në arsim”.
     
Këtë vit shkollor, nxënësit e klasave të VI-ta, përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Mësimi do të zhvillohet mbi bazën e orëve ekstra-kurrikulare. Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj në moshë sa më të vogël, ( klasa III ) vijimësia e gjuhës ( klasa VI ), si dhe mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse.
     
Edhe gjimnazi është përfshirë nga një risi këtë vit të ri shkollor. Me kohë të plotë në vitin e ri shkollor, gjimnazet do të fillojnë me dokumente të reja shkollore si: planet e reja mësimore, korniza e re kurrikulare e gjimnazit, programet dhe standardet lëndore si dhe udhëzuesit lëndorë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›