E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e pasnesërme

Kryetari i socialistëve hodhi dorashkën për një duel me kryetarin e qeverisë, i cili siç ishte edhe e pritshme e shmangu. As kryetari i socialistëve nuk priste ndonjë përgjigje pozitive për sfidën e tij dhe as kryetari i qeverisë nuk është se humbi nga refuzimi i saj. E gjitha shëmbëllen si bukë për dhëmbët e shtypit të përditshëm dhe për të shpupurishur puplat e militantëve, ku ata me ngjyrë rozë, pas shumë kohësh panë një prijës luftarak, i cili mesa duket nuk qenka frikacak, ashtu siç e përflasin kundërshtarët, ndërsa ata blu patën rastin të përballohen edhe njëherë me princin e tyre. Ashtu siç ndodh rëndom në politikë, ku udhëheqësit, ndryshe nga ç’flasin e thonë, e dinë mirë takatin e këllqeve, dhe deri se ku i çon taktika që ndjekin, edhe këtë radhë protagonistët e kishin të qartë që ftesa për debat ishte lëvizje taktike, por edhe lëvizja e parë strategjike. “Nëse njeh veten dhe kundërshtarin, mos ki frikë fatin e njëqind betejave”, thoshte në manualin e tij gjenerali kinez i dymijë e pesëqind vjetëve më parë, Sun Tzu. Dhe që nga ky çast mbetet të shikohen forcat në kampe që po kalisin shpatat për ndeshjen e pas dy vjetëve.
Larg analizës partizane kryetari i bluve nuk është se shfaqi ndonjë shenjë frike me shmangien e debatit. Përkundrazi, si një boksier profesionist, kurseu një përplasje të kotë të mandatit qeverisës, ku koha e gjatë në ring, mosha dhe prapavija mediokre e ekipit të tij nuk i lejojnë një konsumim forcash, harxhimin e të cilave do ta ndiente shumëfish në raundin final të 2013-ës. Dhe kjo taktikë duket racionale, parë se në raundet vendimtare si ai i 2012-ës do shpenzojë shumë nga energjitë e tij që mos humbasë pikë. Bjerrja e fuqive, duke u mbrojtur nga taktika e re socialiste, që po e godasin në brinjët e mbuluara nga ministra mediokër dhe të paaftë janë të mjaftueshme për ta qartësuar pozicionin e vështirë se ku ndodhet. Interpelancat e deritanishme treguan se nëse ai vetë nuk ndeshet, pjesëtarët e ekipit të tij çoroditen dhe mbyten me një gotë ujë. Ata që vijnë nën karrigen e tij, nëse nuk do ishte Berisha, socialistët, edhe pse me mangësi të mëdha në performancë, ngjan se i kanë petulla për vaktin e mëngjesit. Berisha vetë humbi toruan dhe kontrollin duke provokuar fizikisht në interpelancë deputetin Erion Braçe, veprim i cili në të kundërtën e asaj çfarë ka menduar në gjaknxehtësi e sipër se do ishte shenjë force, u perceptua si vënie me shpatulla për mur nga sulmi i socialistit.
I vështirë duket tonifikimi i radhëve të ndjekësve. Talentet, ose janë nën goditjet e opozitës për periudhën që kanë qeverisur, ose po mendojnë një dalje të butë nga karriera, duke bërë që ekipit ti humbasë fuqia. Tentativa për të lançuar deputetë të pakonsumuar në afera ka rikonfirmuar se politika përveçse zjarr militant, kërkon edhe stof, ku të rinjtë rezultojnë prerje prej doku.
Risia e ftesës nga kampi tjetër qëndronte në faktin se Rama, bazuar edhe në takimet sporadike të mëparshme me kundërshtarin, ka perceptuar se përballë tij nuk është një dragua që djeg kë i del përpara, por veç një politikan, i cili ka pak armë që të mbrohet; një njeri i cili ka ndrojë dhe rezultuar humbës nga sarkazma e tij në përplasje direkte dhe fshihet pas batutave që hedh në mbledhjet teatrale të grupit personal parlamentar. Sfida e tij ngjan me një sinjal se tani e mbrapa Berisha nuk do ketë fushë të lirë, por do ndeshet me një presing që fillon nga porta. A do jenë në gjendje socialistët ta mbajnë presionin gjatë gjithë lojës, apo fryma do ti lerë shpejt? Kjo është një enigmë nga e cila pritet një përgjigje e re. Në të shkuarën iniciativat e tyre për mirë apo për keq mbeteshin në mes të rrugës, duke i lagur barutin militantëve. Në politikë interpelancat parlamentare janë vetëm rënia e gongut të fillimit të ndeshjes dhe jo mbarimi i saj. Pas kësaj ka nevojë për fushatë të gjithë komponentëve socialistë, të cilët në këtë ndeshje do forcojnë edhe kockat e tyre. Do ishte mirë që të zbatohej manuali i partive simotra europiane ku deputetë milionerë nuk flasin për varfërinë ashtu si shmangia nga praktika për ti kaluar deputetët fushë më fushë e degë më degë, e cila nuk i lë të specializohen dhe të jenë në lartësinë e kundërshtarit. Talentet dhe resurset e japin maksimumin e tyre në fushat ku janë kompetentë dhe jo në sektorë që nuk kanë lidhje me prirjet apo të kaluarën e tyre. Kjo është aksioma e çdo sporti apo profesioni.
Një presion i vazhdueshëm në media dhe kontakti me faktorin ndërkombëtar prezent në Tiranë dhe Bruksel do t’ju japë shpresë votuesve se formacioni rozë është më kompetitiv dhe i besueshëm për zhvillimin e vendit. Kjo vlen edhe për rastin kur Berisha, i cili kur shikon humbjen, fut në veprim kamikazë, që rriten me shumicë në oborrin e tij.
Një faktor tjetër i harruar, por që duhet revokuar, janë forcimi i lidhjeve me bazën, pasi shëmbëllen se partia që historikisht ka qenë më e rrënjosura në terren shpeshherë është detyruar të importojë militantë për manifestimet në Tiranë. Pikërisht në qytetin ku ka dallime të theksuara klasore dhe në çdo bllok pallatesh ka me dhjetëra familje që e marrin bukën me listë. Janë pikërisht këta të pashpresë që bëjnë forcën goditëse të një formacioni që do të vijë në pushtet si shpresë për ndryshim dhe përmirësim të jetës. Jeta në rrjet, lufta nëpër faqe sociale interneti, padyshim që ka rezultatet e saj, por në një vend si Shqipëria, ku aksesi është i ulët dhe tradita komunitare është vetëm tek familja e fisi të tilla mjete janë efektive vetëm në një rreth të ngushtë.
Nëse socialistët do dinë të ndryshojnë këto dy vjet, duke thithur talente të spikatura nga shoqëria civile dhe grupet e interesit; nëse do dinë të luajnë rolin e një partie të mirëfilltë politike, e cila respekton institucionet, por mbi të gjitha është institucionale edhe në mënyrën se si operon brenda saj; nëse prodhon politikë me veprime dhe me letra, nuk do jetë çudi që në 2013-ën të jenë fitues. Pasi, nëse do nxirrnin mësime nga fabula poetike e Dritëro Agollit, “Luani dhe Miu”, përballë nuk kanë një luan, por vetëm një maçok që ka lënë leshtë në njëzet vjet politikë, të cilin mund ta trembin, mjafton të kenë bindjen, se ata vetë nuk janë minj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›