Nano: Homazh njeriut që solli pluralizmin në mënyrë paqësore
TIRANE-I vetmi politikan që ngushëlloi publikisht për vdekjen e Ramiz Alisë ishte kryetari i LSI-së, Ilir Meta, një nga aleatët e ngushtë të kryeministrit Berisha. Ky ngushëllim u bë i njohur për mediat nga zyra e shtypit të kësaj partie, ku ndër të tjera, Meta e ka vlerësuar figurën e Alisë si "figurë e shquar e luftës antifashiste". Ndërsa dy ngushëllimet e tjera u bënë të ditura përmes rrjetit social "Facebook". I pari është i ish-kreut të PS-së, Fatos Nano, i cili në një njoftim të shkurtër ngushëllon jo vetëm familjen, por edhe Shqipërinë. "Homazh për njeriun që solli në Shqipëri pluralizmin në mënyrë paqësore! I përjetshëm kujtimi i tij". Ndërsa deputeti i PS-së, Erion Braçe, po përmes këtij rrjeti, dërgon ngushëllimet e tij për vdekjen e Alisë. "Sot u nda nga jeta Ramiz Alia; njeri dhe shtetas shqiptar. Antifashist dhe luftëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore; komunist. Një-herësh, ish- udhëheqës në regjimin e Enver Hoxhës; ish-President i Republikës në kohën e ndryshimit nga diktatura në pluralizëm. Secili ta gjykojë si të dojë. Secili ta respektojë sa të dojë. Por pa harruar që ai ka vdekur sot! Njëherësh dua të shpreh neverinë time për njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë: 'Sot u nda nga jeta ish-Presidenti Ramiz Alia... Kreu i LSI, Ilir Meta e ka vizituar atë gjatë kohës së kurimit!". Këtu mbyllet ngushëllimi i deputetit Braçe. Ndërkohë, burimet pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur se edhe pse u hesht dje për këtë vdekje, deputetëve të kësaj partie u është lënë në vullnetin e tyre që të shkojnë apo jo në homazhet zyrtare që do të bëhen për Alinë këtë të diel.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)