Dita e pestë e grevës, mjekët: Situata po rëndohet
Të sëmurët me diabet, luhatje të forta tensioni, ndërkohë që mungesa e ushqimit u shkakton të vjella dhe marrje mendsh
TIRANË - Lojërat e shahut apo dhe të tavllës i kanë lënë vendin librave. Qëndrojnë të shtrirë dhe rrekën të lexojnë ndonjë rresht paçka se dhe kjo duket tejet e mundimshme. Aq e vërtetë është kjo saqë zor se mund të memorizojnë ndonjë frazë, paçka se mund të jenë ndër më brilantet e letërsisë botërore apo vendase.
Hapësirat brenda çadrës ku janë vendosur grevistët janë thuajse të zbrazura. Nuk ka më debate, por të gjithë i ka përfshirë heshtja e mundimshme. Ndërkohë që uria ka filluar të zëvendësohet me probleme të rënda shëndetësore, jo vetëm për më delikatët, por edhe për ata që janë në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, askush nuk ka ndërmend të ndërpresë grevën.
Kur në orët e para të mëngjesit, shëndeti i deputetes së qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiut, u rëndua aq shumë saqë ishte e domosdoshme dhënia e ndihmës mjekësore, trishtimi përmblodhi gjithsecilin prej tyre. Të gjithë, pyesnin dhe sa do të rezistojmë. Dhe sa kohë trupi do t'u bindet vullnetit të tyre, dhe tashmë kjo duket se është vetëm çështje kohe. Të paktën këtë të thonë mjekët që asistojnë 24 orë pranë grevistëve në çadrat e ngritura në bulevard.
Sipas tyre, pothuajse gjendja e secilit prej tyre vjen duke u rënduar. Tashmë nuk janë problematik vetëm të sëmurët, diabetiak apo edhe ata me shëndet të lig, por edhe djemtë dhe burrat trupmëdhenj. "Sot grevistët kanë pasur probleme me ekuilibrin, dhimbje barku, ulje tensioni, si dhe të vjella. Natyrisht mund të ketë edhe më shumë shqetësime nga ato që paraqesin, pasi në aspektin moral ata mbahen aq mirë, aq fort saqë edhe maskojnë ndonjë shqetësim.
Megjithatë, ne jemi këtu", - të thonë mjekët që po asistojnë vullnetarisht në dhënien e ndihmës së grevistëve. Edhe pse shëndeti po i braktis çdo ditë, asnjëri prej tyre nuk ka ndërmend të tërhiqet. Të paktën kështu thotë edhe deputeti socialist, Blendi Klosi.
"Gjendja shëndetësore ka nisur të rëndohet, por morali ynë është i lartë dhe mbështetja e njerëzve na ka dhënë shumë entuziazëm", - tha Klosi. E në fakt, kjo është aq e vërtetë, saqë deri në orët e vona të mbrëmjes, atëherë kur mbështetësit janë rralluar disi nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", grevistët nisin e rrëfejnë mesazhet telefonike që sigurisht nuk janë vetëm nga të afërmit e tyre.