Spahiu: Do kthehem pranë kolegëve grevist si mjeke

Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, u detyrua të lërë grevën për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore
"Nëse nuk do të jem më pranë kolegëve të mi në grevë të paktën do të ofroj ndihmën time si mjeke për të gjithë grevistët". Kështu u shpreh për gazetën deputetja socialiste, Klodiana Spahiu, e cila në orët e para të mëngjesit u detyrua të ndërpresë grevën e urisë për shkak të komplikacioneve në stomak.
Deputetja Spahiu ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak dhe shpjegoi situatën e saj shëndetësore, duke theksuar se do të vazhdojë të japë kontributin e saj krahas kolegëve për një kauzë thelbësore në një demokraci.
Zonja Spahiu, ju ndërpretë grevën për shkak të rëndimit të situatës shëndetësore. Mund të na thoni si ndiheni tani?
Mendoj se jam më mirë. Ende nuk e kam marrë veten plotësisht, por jam më mirë.
Kur e latë grevën dhe a ishte ky vendimi juaj?
Grevën e lash mbrëmë nga ora 3 e mëngjesit. Ishin mjekët ata që vendosën të më largonin nga greva, duke pasur parasysh rëndimin e gjendjes shëndetësore. Problemet shëndetësore më filluan me stomakun, pasi fillova të kem kriza të padurueshme.
Pra, në një farë mënyre ishte situata shëndetësore që më detyroi të largohem nga greva dhe ishin bluzat e bardha që vendosën të më sillnin në spital. Megjithatë, largimi im nga greva është vetëm fizik për pak kohë, pasi do jem përsëri pranë kolegëve të mi.
Si greviste?
Nëse nuk do të jem si greviste, do të jem si mjeke për të ofruar ndihmë për të gjithë kolegët e mi, të cilët kanë filluar të shfaqin probleme shëndetësore. Ne jemi të vendosur për një kauzë thelbësore në një demokraci.
Vasili: Ofruam 3 mundësi shërbimi për grevistët
TIRANË - Shërbimi shëndetësor nuk do të mungojë për asnjë moment për të gjithë grevistët. Kështu u shpreh dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili shpjegoi se drejtuesit shëndetësorë në komunikimin që patën me organizatorët e grevës, kanë ofruar tri mundësi: "Së pari, vazhdimin e ndjekjes së gjendjes shëndetësore nga brenda ambienteve nga një grup mjekësh vullnetarë (ofruar si të tillë nga PS) të zgjedhur vetë nga organizatorët e grevës dhe shërbim të përbashkët nga mjekë vullnetarë dhe mjekë të angazhuar në struktura të sistemit shëndetësor shtetëror. Këtë shërbim do ta mbulonin strukturat shtetërore shëndetësore shqiptare", - shpjegoi Vasili.
Sipas tij, ende nuk kanë një përgjigje se cili është modeli i preferuar nga organizatorët. Pavarësisht nga kjo, Vasili theksoi se do të vazhdojnë të mbajnë në gatishmëri jo vetëm në terren, por dhe strukturat spitalore për çdo eventualitet.
"Çdo grevist të përkeqësuar do ta trajtojmë me prioritet në raport me gjithë rastet e tjera, në kohë reale për çdo rast që mund të paraqitet i komplikuar. Ju konfirmoj që gjithë shërbimi shëndetësor si asistencë shëndetësore ofrohet jashtë ambienteve të grevës, për zgjedhjet që kanë bërë vetë organizatorët dhe do të vazhdojë si i tillë për sa kohë që do të ketë një vendimmarrje të ndryshme nga ana e tyre", - theksoi Vasili.
y i fundit, vizitoi dje pasdite deputeten greviste të PS-së, Klodiana Spahia, duke i ofruar ndihmën e plotë shëndetësore. Pas takimit me Spahiun, Vasili konfirmoi se gjendja e deputetes greviste ishte në gjendje të mirë shëndetësore.