Dita e sotme, rekord për kapjen e hashashit, më shumë se 1200 kg
Dita e sotme ka shënuar një rekord sa i përket sasisë së lëndës narkotike të kapur dhe sekuestruar nga policia në disa aksione të veçanta të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit.
Gjatë paradites së sotme, një sasi shumë e madhe prej 720 kg marijuanë u ndaluan në portin e Durrësit, në një kamion frigoriferik i cili drejtohej nga shtetasi Adrian Cingi, i cili është arrestuar nga policia. Policia portuale ka nisur kontrollin e kamionit pas një sinjalizimi se në të ndodhej një sasi e konsiderueshme droge, ndërkohë që pas kontrollit policia ka arritur të gjejë sasinë e lëndës narkotike të vendosur në 36 çanta me 20 kg secila.
Gjithashtu, gjatë ditës së sotme u sekuestruan rreth 93 kilogramë marijuanë në fshatin Nepravishtë të Gjirokastrës, ndërsa policia arrestoi 28-vjeçarin Hajri Buci, lindur në Dibër dhe banues në Durrës si dhe shpalli në kërkim 3 persona të tjerë të cilët po tentonin të transportonin lëndën narkotike drejt kufirit grek.
Ndërkohë, në një aksion të zhvilluar nga Policia e Gjirokastrës pasditen e sotme në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë, u bë i mundur ndalimi dhe sekuestrimi i 500 kilogramëve lëndë narkotike të llojit marijuanë. Droga ishte duke u transportuar në një furgon mallrash, i cili kishte për destinacion Greqinë, ndërsa dyshohet se vinte prej Lazaratit. Pasi kuptuan se ishin duke u ndjekur nga forcat e rendit, drejtuesit e mjetit braktisën furgonin pranë një rruge të braktisur dhe humbën gjurmët në një zonë pyjore, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e tyre.
29 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Dita e sotme, rekord për kapjen e hashashit, më shumë se 1200 kg burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip