E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita jonë

Në dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë, liderët partiakë dhe institucionalë janë mbledhur në një seancë solemne në Parlamentin e Kosovës, ku kanë vlerësuar arritjet e deritashme dhe sfidat që e presin vendin.

Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri, në fjalimet e tyre para ligjvënësve, kanë thënë se dy vjet pas miratimit të Deklaratës së Pavarësisë, për Shtetin e ri prioritete kryesore mbeten integrimi në Bashkimin Europian dhe vendosja e ligjshmërisë në Veri të Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se gjatë këtyre dy viteve është dëshmuar se pavarësia ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Ai ka thënë se Kosova ka qenë katalizator për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, e në këtë rast ka përmendur marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e tjera, duke përfshirë edhe Greqinë, ndonëse ende nuk e ka njohur Kosovën.

“Problemi ynë i vetëm në raportet me jashtë mbetet Serbia, e cila vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës. Beogradi zyrtar po i financon strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të vendit, ku ende kemi një shkallë të lartë të kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik. Qindra miliona euro janë investuar nga Serbia për mbajtjen e këtyre strukturave, të cilat po e mbajnë peng komunitetin serb në atë pjesë të Kosovës, duke mos i lejuar qytetarët e këtij nacionaliteti të integrohen në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës për të mirën e tyre dhe për të mirën tonë të përbashkët”, ka thënë Sejdiu.

Kreu i Republikës ka thënë se kauza e drejtë e Kosovës, ishte mbështetur nga bota demokratike falë politikës së urtë dhe largpamëse të ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificës së Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Ai ka shprehur bindjen se pas opinionit të GJND’së, do të pasojnë njohje të reja për Kosovën, ndërkaq ka theksuar se populli dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë dyfish më shumë për të arritur shkallën e zhvillimit të vendeve të tjera.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ndërkaq, duke vlerësuar zhvillimet e Kosovës sidomos në fazën e pas pavarësimit, ka thënë se tani ka ardhur koha që edhe pjesa veriore e vendit të integrohet dhe të fillojnë procese prosperuese për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës.

“Ne e ftojmë Republikën e Serbisë të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj kësaj strategjie qëllimmirë, t’u kontribuojë marrëdhënieve tona të mira integruese europiane, proceseve paqësore dhe dialogut pragmatik për çështje të interesit të përbashkët. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe integriteti i saj i garantuar ndërkombëtarisht është i pacenueshëm. Komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi duhet të na shërbejnë si ura komunikimit e të bashkëpunimit reciprok”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i legjislativit të vendit ka thënë se duhet përulur para kujtimit për dëshmorët që dhanë më të shtrenjtën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërkaq nuk ka lënë pa falënderuar miqtë ndërkombëtarë që ishin mbështetës të vazhdueshëm të pavarësisë së vendit.

Kurse Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se 17 Shkurti është kurorëzim i rrugëtimit shekullor të Kosovës, për të cilën sakrifikuan shumë gjenerata.

“Vizionin e përbashkët universal për liri, pavarësi dhe rend demokratik për atdheun tonë e realizuam bashkërisht me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar. Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Çdo qytetar duhet të ndihet krenar kudo që jeton, në Kosovë, në diasporë, si qytetar, si familje dhe si shoqëri. Populli i Kosovës është krijues i shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës në dyvjetorin e shënimit të Ditës së pavarësisë është shtet më i konsoliduar, më i zhvilluar, me institucione stabile dhe efektive, me qeverisjen e mirë, sundim të rendit dhe ligjit dhe respektimit afirmativ të komuniteteve”, është shprehur Thaçi.

Përderisa dje sfidë e Kosovës ishte mbijetesa, Thaçi ka thënë se sfidat e së ardhmes janë sfidat e zhvillimit dhe integrimit.

Të pranishëm në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ishin përfaqësues të jetës politike, intelektualë, përfaqësues të institucioneve fetare, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe familje të nderuara të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›