E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita/Buxheti i vitit 2013 - sot në Kuvend miratimi në tërësi

17-12-2012 / Gazeta 55

Buxheti i vitit të ardhshëm pritet të miratohet sot në tërësi në seancën e posaçme parlamentare

Dhjetë ditë më parë ai u miratua në parim, duke i lënë vendin shqyrtimit të mëtejshëm të tij në komisionet kuvendore. Pritet që seanca maratonë të shoqërohet me mjaft debate mes opozitës dhe mazhorancës për shpërndarjen e buxhetit prej 410 miliardë lekësh. Buxheti i vitit 2013 parashikon të ardhura në nivelin e 360.6 miliardë lekëve; rritje ekonomike 4 për qind dhe një fond për pagat sa 5.2 për qind e PPB-së. 

Buxheti 2013 nuk ka të krahasuar me buxhetet e qeverive socialiste, porse dhe krahasuar me atë të një viti më parë, do të rrisë të ardhurat për vitin e ardhshëm. Kjo do të ndikojnë në mënyrë direkte në gjenerimin e mijëra vendeve të reja të punës. 

Në prioritizimin e listës së investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato, të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë. Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm ashtu edhe të huaj do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritarë të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural. Më konkretisht, investimet me burime të brendshme parashikohet të arrijnë rreth 1.8 për qind e PBB-së, ndërsa investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin 3.2 për qind të PBB-së. Parashikimi i shpenzimeve është mbështetur në procedurat e buxhetimit mbi baza objektivash e produktesh, të vëna në zbatim në të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre. 

Procesi i përgatitjes së projektbuxhetit të vitit 2013, në përputhje me kërkesat e ligjit organik të buxhetit, është pjesë e procesit të përgatitjes së dokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2013-2015 (Faza e II-të). Parashikimi i nivelit të shpenzimeve për interesa është bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit në kushtet e një situate makroekonomike të qëndrueshme. Shpenzimet për këtë zë në vitin 2013 parashikohet të jenë në masën 3.6 për qind e PBB-së.

Situata financiare, optimiste 

Sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, por dhe të matura. 

Në një deklaratë të tij të fundit, ministri i Financave, Ridvan Bode ka përmendur faktin që depozitat në fund të muajit shtator janë rritur mbi 10 për qind. Konsiderohet nivel i lartë krahasuar me vendet e tjera, po shumë i ulët në krahasim me mesataren disavjeçare të ekonomisë shqiptare. 

Për më tepër, kredia është rritur me 5.8 për qind në norma mesatare vjetore për të njëjtën periudhë. Me këtë nivel të rritjes së kredisë për ekonominë reale mund të pretendohet pak për të qenë aktiv kreditimi si drejtues i rritjes ekonomike. Po të shohim nga ana strukturore, kemi një rritje të nivelit të kredive të këqija, që njihet nga opinioni publik dhe që bëhet presion dhe tregon në një farë mase edhe situatën që po kalon ekonomia reale. Por ajo që duhet thënë dhe që përbën thelbin e tregut bankar është sipas ministrit Bode, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili mbetet 15.6 për qind dukshëm mbi nivelin e kërkuar, qoftë nga sondazhet e Bankës Qendrore Evropiane, qoftë nga ato të Bankës së Shqipërisë. Dhe kjo është mundësuar përmes rritjes së nivelit të provigjoneve që mbeten shumë më të larta dhe që krijojnë mundësi dhe që dëshmon nivelin, ku operojnë bankat shqiptare, që është një nivel i mjaftueshëm fitimi për të mbuluar çdo lloj risku që vjen nga moskthimi i kredive.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›