E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare, e painteresuar për viktimat e konfliktit të 2001-it në Maqedoni

17-12-2012 / Gazeta 55

Megjithëse një numër i madh shqiptarësh kanë humbur jetën gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, ndërsa fati i shumë të tjerëve nuk dihet edhe sot e kësaj dite, 11 vjet pas konfliktit, subjektet politike shqiptare në Maqedoni nuk e kanë parë të arsyeshme t’i bashkëngjiten ose të përkrahin iniciativën KOMRA, që ka për qëllim zbardhjen e fakteve të luftërave në vendet e Ish Jugosllavisë, duke dalë ndër të tjera me lista me emrat e viktimave dhe të zhdukurve. Në fakt, ideatorët dhe personat e angazhuar për ta çuar deri në fund iniciativën rajonale përpiqen të kenë një qëndrim jo shumë të ashpër për sa i përket mbështetjes së politikanëve shqiptarë, ndonëse rreth një vit pas ngritjes së iniciativës KOMRA, asnjëri prej tyre nuk e ka parë të arsyeshme të firmoset në listat me emrat e individëve që janë të interesuar për t’u zbardhur faktet e konfliktit të armatosur në Maqedoni, por edhe ato të luftërave në të gjitha vendet e Ish Jugosllavisë. “Si person i angazhuar për përhapjen e iniciativës rajonale në Maqedoni, unë deri më tani kam zhvilluar takime me Ermira Mehmetin, si kryetare e Komitetit për marrëdhëniet ndëretnike dhe me Talat Xhaferi, koordinator i grupit të partisë BDI dhe që të dy kanë shprehur gatishmëri për të biseduar në këtë temë. Duke logjikuar sipas zhvillimeve dhe bazuar në përvojën time, kam fituar përshtypjen se shqiptarët nuk janë kundër iniciativës për t’u zbardhur e vërteta e luftës dhe faktet që kanë të bëjnë me të, megjithëse nuk kanë dhënë një mbështetje konkrete. Ndërkohë, mbetemi të hapur për takime të reja me politikanët, ndërsa gjatë periudhës në vijim, do të dihet saktë se cili nga politikanët do të mbështes iniciativën, pasi një numër i madh prej tyre u kemi adresuar ftesa”, thotë profesorja universitare Biljana Vankovska, e cila është angazhuar në përhapjen e iniciativës KOMRA në Maqedoni. Ndërkaq, mbështetja e radhës e iniciativës rajonale ka ardhur nga Bashkimi Evropian. Ka qenë eurodeputeti Jelko Kacin ai që ka vlerësuar se tani është momenti i duhur që për realizimin e nismës për KOMRA të bëhen përpjekje shtesë. “Procesi i pajtimit është imperativ. Pa marrë parasysh se si është vlerësuar puna e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, është i pakundërshtueshëm fakti se pajtimi rajonal është parakusht i suksesit të integrimeve evropiane. Vetëm në këtë mënyrë rajoni do të mund të riformësohet në një treg potencial më të qëndrueshëm e më perspektiv”, ka vlerësuar Kacin, duke theksuar se në paraqitjet e tij publike, me këmbëngulje thekson nevojën e themelimit të një Komisioni rajonal që do të zbardhte të vërtetat dhe faktet e luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë. Sipas paralajmërimeve të ideatorëve të kësaj iniciative, gjatë dy viteve të ardhshme është paraparë të vazhdojnë përpjekjet për t’i bindur politikanët për nevojën e institucionalizimit të komisionit në fjalë. Sipas Vankovskës, pikërisht nga vullneti i tyre varet institucionalizimi i idesë që do të rezultonte me marrëveshje ndërshtetërore, me ndihmën e të cilëve do të zbardheshin të vërtet e luftërave, ndërsa gjeneratat e reja do të fitonin një të ardhme pa bagazh. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›