Në 24 orë, Arvizu dy herë në zyrën e Ramës – vazhdon insistimi i ndërkombëtarëve për një President konsensual

Ambasadori amerikan: Diskutimet po shkojnë për një kandidat jo partiak
Ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka përshëndetur qëndrimet e të dyja kampeve politiek lidhur me procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Menjëherë pas të ezaurimit pa një emër si kandidat për postin e Presidentit të raundit të dytë në Kuvend, ambasadori Arvizu është drejtuar në selinë rozë ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Pas përfundimit të këtij takimi, ambasadori Arvizu ka vlerësuar mënyrën se si po veprojnë si mazhoranca ashtu dhe opozita në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. “Partia Socialiste dhe Rama meritojnë vlerësim që nuk kërkojnë të imponohen me një emër. Ndërkohë që nga tjetër Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha meritojnë vlerësim për vetë faktin se e kanë bërë të qartë që po bëjnë përpjekjet për të propozuar një kandidat që nuk përfaqëson interesat e ngushta partiake. Besoj që të dyja palët duhet të inkurajohen”, vuri në dukje ambasadori Arvizu në përfundim të takimit me Ramën. Ndërkohë pas takimit me liderin e opozitës, ambasadori Arvizu i është drejtuar Kryeministrisë ku është takuar edhe kryeministrin Sali Berisha. Sërish kryefjalë e takimit do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Ambasadorja franceze, Moro: Inkurajues dialogu Berisha-Rama
Ambasadorja franceze në Shqipëri, Christine Moro e ka konsideruar si një shenjë inkurajuese takimin mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama për presidentin e ri të vendit.
Nga qyteti i Beratit, ambasadorja Moro ka theksuar se ky takim duhet të shërbejë si dialog mes forcave politike për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Gjithashtu Moro ka apeluar për president konsensual i cili të zgjidhet në përputhje me vullnetin e të gjitha forcave politike.
Ambasadorja franceze gjithashtu ka theksuar se Shqipëria duhet të marrë parasysh edhe kërkesat e BE-së për reformën zgjedhore për të cilën ka theksuar se duhet të përfundojë brenda afatit të caktuar.
Deklarata e Ambasadores franceze Moro u bë gjatë një takimi për turizmin në qytetin e Beratit.