E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elmar Brok: Inkurajuese reformat, mbështesim intregrimin e Shqipërisë

04-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti, takon Presidentin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, z. Elmar Brok.
Gjatë takimit Ministri Panariti bëri një ekspoze të ecurisë së deritanishme të procesit të reformave të ndërmarra nga qeveria dhe parlamenti shqiptar në kuadër të plotësimit të 12 kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. Ai tha se ky proces do të vijojë edhe më tej me miratimin e ligjeve të rëndësishme që lidhen me reformën administrative, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, ai informoi mbi progresin e arritur në lidhje me çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Panariti shprehu besimin se të gjithë këta hapa do të përkthehen në një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për dhënien e statusit kandidat brenda këtij viti.
Më tej, Panariti u ndal në rolin që luan Shqipëria dhe shqiptarët si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë, ai vlerësoi arritjet e qeverisë dhe politikës kosovare, e cila është konkretizuar së fundi me heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur. Ai tha se qeveria e Kosovës duhet të ushtrojë sovranitetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës dhe se strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të pushojnë aktivitetin e tyre.
Nga ana e tij, z. Brok pasi vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave të ndërmarra në Shqipëri në kuadrin e procesit të integrimit evropian tha se Parlamenti Evropian mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor përfshirë Shqipërinë. Ai u ndal posaçërisht në zhvillimet në rajon dhe përshëndeti rolin e qeverisë shqiptare ndaj vendeve të rajonit. Ai shprehu nevojën që Shqipëria të forcojë më tej rolin e saj në raport me faktorin shqiptar në rajon në funksion të stabilitetit dhe integrimit të vendeve të rajonit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›