Ditari i Nju Jorkut VI
Në Broadway, te Mama
1. Kush është interesuar sadopak për Nju Jorkun, ka dëgjuar patjetër të flitet për Broadway-n, këtë rrugë mistrece, që në kundërshtim me grilën që krijojnë avenjutë pingul me rrugët, i përshkon një pjesë të madhe të tyren pjerrtazi, si të dojë që ta prish atë simetri. Por Broadway është i dëgjuar më së shumti për teatrot e veta. Të duket sikur Amerika i ka ndarë dy format më të mëdha dhe më popullore të artit: Filmin në Los Anxheles, Bregun Perëndimor dhe Teatrin në Nju Jork, Bregun Lindor. Por edhe Broadway nga ana e vet është i ndarë në tre zona, herë të ngjitura e herë të nakatosura me njera-tjetrën përgjatë tij. Broadway, Off-Broadway dhe Off-Off-Broaday. Ai që thirret Broadway e që shtrihet diku përreth Times Square është i përbërë prej rreth 40 teatrosh profesionistë me salla të mëdha e të stërmëdha që shkojnë nga 500 e deri në 1500 karrige. Këtu dhe luhen më së shumti muzikëll. Repertori klasik i këtyre parodive e shpesh maskaradave muzikore vazhdon edhe sot e kësaj dite: "Kiss me Katt", "Chicago", "Mama mia" etj. janë përnatë të mbushura me njerëz të cilët paguajnë hiç më pak se 100 dollarë për biletë.
Një zonë tjetër më pak e nxehtë është Off-Broadway, e cila përbëhet nga salla prej 250 deri në 500 karrige. Repertorin e këtushëm e zënë dramat, por edhe të vëna në skenë në mënyrë klasike e shpesh natyraliste. Bishtin e kësaj rruge jo për nga gjeografia, por për nga rëndësia e zë Off-Off-Broadway, e cila përbëhet nga salla që shkojnë nga 50 deri në 250 karrige. Zakonisht kjo është zona ku eksperimentohet dhe ku lulëzon teatri alternativ. Shumica e këtyre teatrove janë organizata jofitimprurëse.
Nju Jorku dhe, në këtë rast kur themi Nju Jorku duhet të kuptojmë Amerika, nuk ka pasë një teatër të vërtetë përpara vitit 1750. Kanë qenë aktorët dhe manaxherët Ëalter Murray dhe Thomas Kean që ndërtuan një kompani teatrore rezidente dhe një sallë me 280 ndenjëse. Ata e nisën përsëmbari duke vënë në skenë Shekspirin dhe operat më të mira europiane të kohës.
Më pas mjaft prej teatrove që u themeluan me shpejtësi njëri pas tjetrit nisën të implementonin konsumizmin, pop dhe kitch, duke u kthyer me të vertetë në një biznes të madh.
Ja pra, pse më kish thënë taksisti palestinez "good business" kur i thash se shkruaj për teatrin. Me siguri ai pat kujtuar se shkruaj për teatrin e këtushëm. Do të qe mirë, por…
2. Shfaqje teatri për të parën herë pashë ditën e tretë të qëndrimit tim në Nju Jork. Ishte Luani ai që më ofroi një biletë gjashtëdhjetë dollarëshe te Theatre Row, Off-Broadway.
Një teatër me tri salla, ku thuajse në të njëjtën kohë luheshin tre pjesë të ndryshme. Biletashitësi, që me siguri duhet të ishte aktor, i shpjegoi Luanit shpejt e shpejt subjektet e të tri pjesëve dhe ne zgjodhëm "Two thousand years". Ky ishte titulli i dramës së shkruar në vitin 2004 nga një prej dramaturgëve dhe regjisorëve më në zë të teatrit dhe filmit të sotëm anglez, Mike Leigh.
Hymë. Një sallë gjysmë ovale dhe vendet tona në radhën e dytë. Para nesh një skenografi hiperrealiste ku dera ishte derë, dritarja dritare dhe biblioteka bibliotekë. Thua se kishim vënë syrin në vrimën e çelësit te një prej shtëpive amerikave prej druri dhe po vështronim se ç'ndodhte brenda. Brenda? Hiç. Një familje hebreje amerikane: burrë, grua, djalë që po lexojnë. Bie zilja dhe një komshi i sjell diçka nga kopshti i tij. Prindërit shkojnë në punë dhe djaloshi gjysmë fshehurazi merr një libër psallmesh, vë një kapë dhe nis të lutet në hebraisht. Më pas është nëna që hyn papritur dhe e "zë" të birin duke u lutur. Këtu dhe "shpërthen konflikti". Mësojmë se djali i ka hyrë rrugës së fesë dhe do të bëhet rabin. Më pas vjen gjyshi i djalit, të cilit sapo i ka vdekur gruaja. Vjen vajza apo e motra e kandidatit për rabin, e cila sjell me vete një të dashur izraelit që e ka njohur në Venezuelë. Më vonë tezja e djalit që nuk e ka marrë të atin as në telefon për ta ngushëlluar për humbjen e gruas dhe të nënës së vet. Dhe në fund të fundit, sërish komshia që ka sjellë diçka tjetër nga zarzavatet e kopshtit të vet. Shkurt të keqen e "Rruga Budi 723" të Ruzhdi Pulahës.
Ellene Stewart ose La Mama
1. Në të vërtetë ky ishte takimi im i dytë me Ellen Stewart. Për të parën herë atë e kam takuar në vitin 2006 në Butrint, por asokohe emri i saj nuk se thoshte shumë për mua. Një plakë zezake me flokë krejtësisht të bardhë e ulur në një karrocë paraplegjikësh, me një kapele të madhe kashte për tu mbrojtur nga dielli i Sarandës dhe me një frymëmarrje tejet të rënduar, çka të bënte të mendoje se ajo mund të ikte në atë botë para syve të tu nga çasti në çast.
Ajo është grua me ngjyrë. Po të shohësh fotot e rinisë së vet kupton se ajo ka qenë një femër tejet e bukur, me shtat të madh dhe të kolmë e që të kujton menjëherë këngëtaret e mëdha të xhazit a të popit, si Tina Turner etj. Më vonë kam marrë vesh se kush është në të vërtetë Ellen Stewart dhe sa e rëndësishme është ajo për gjithë historinë e teatrit modern. Po çne ajo në Shqipëri?! Kjo është një histori që ia vlen ta tregojmë pas pak.
Ajo është themeluesja dhe drejtoresha e Teatrit "La MaMa", që gjendet diku në Doëntoën e paksa e shmangur nga Broadway. Teatri ka filluar punë në Tetor të vitit 1961 dhe që prej asaj kohe vazhdon të ketë një rëndësi shumë të madhe në gjithë kulturën amerikane dhe botërore. Që prej themelimit, "La MaMa" ka shfaqur më shumë se 1900 produksione teatrore.
Ishte Ellen Stewart që prezantoi në Amerikë më 1967 tre emra të rinj e që në atë kohë nuk i njihte askush: Jerzy Grotoëski, Ryszard Cieslak dhe Ludëig Flaszen. Roli i saj në promovimin e njerëzve të tillë nuk pushoi asnjëherë. Më vonë ajo bëri të njëjtën gjë me Andrei Serban dhe Tom O'Horgan.
Është pjesë e krenarisë së "La MaMa"-s që ka ftuar deri më tash artistë prej më shumë se shtatëdhjetë vendeve të botës.
Ellen Stewart ka vënë në skenë, kompozuar dhe shkruar tekste për dhjetëra e qindra spektakle teatrore. Ajo gjithashtu ka dhënë leksione teatri nga Amerika e deri në Korenë e Jugut. Ky teatër rezident në Nju Jork ka dhënë shfaqje gjithandej botës, si në Kolumbi, Venezuelë, Liban, Iran, Belgjikë, Hollandë, Austri, Danimarkë, Finlandë, Skoci, Angli, Suedi, Francë, Itali, Zvicër, Spanjë, Kroatia, Kore, Turqi, Serbi, Greqi, Ukrahinë, Siberi, Maqedoni, Australi por edhe në Shqipëri.
Dhe meqë u rikthyem te Shqipëria, kjo i kujton asaj një moment shumë të vështirë. Çastin kur qe duke u ndarë përfundimisht nga jeta dhe kur e dëshpëruar kishte filluar të lutej për veten dhe shëndetin e saj. Është shumë interesant fakti se duke lexuar rreth mjeksisë ishte ndalur te Asclepius.
2. Në mitologjinë greke Asclepius ishte një gjysmëzot i mjekësisë. Asclepius personifikonte aspektet shëruese të artit të mjeksisë së bashku me shtatë vajzat e veta dhe thuhet se qyteti i Butrintit qe ndërtuar në nderim të tij. Kaq i mjaftoi Mamës dhe i tha vetes se duhet të shkonte në Butrint dhe të drejtonte atje një shfaqje me emrin e tij dhe për nder të tij.
Kur Ellen Stewart erdhi në Shqipëri bashkë me një aktore të veten të quajtur Thedora Skipitares, që siç shihet mbiemri i saj ka një tingëllim të ngjashëm me vendin ku mbërritën, askush nuk i njihte. Mama i ngjau shqiptarëve me një gabele, ngaqë i afroi pamjen e një plake të zezë të veshur me ngjyra të ndezura dhe me krahët e mbushur me byzylykë e gishtat me unaza sermi. Por jo vetem shqiptarët e zakonshëm. Fatkeqësisht qenë shumë pak ata që ia kishin dëgjuar emrin edhe nga komuniteti ynë teatror.
Kështu Mama mobilizoi një grup studentësh shqiptarë dhe së bashku me disa aktorë të vetët shleu pengun e saj ndaj Aesclepius në Festivalin e Butrintit.
3. Nisë prej këtij kontakti të shkurtër shkova te La MaMa pa kurrfarë reference e as ideje se kë e si mund t'i takoj. Hyra te recepsioni dhe i thashë se jam një dramaturg nga Shqipëria dhe kërkoj Ellen Stewart. Recepsionistja foli me dikë në telefon dhe më tha se duhet të ngjisja shkallët deri në katin e fundit.
- Mama po ju pret - e mbylli ajo.
U ngjita në ato shkallë të vjetra prej druri të lyera me atë ngjyrën e murrme të teatrit dhe nuk i besoja syve sesa e vjetër qe ajo godinë famëmadhe. Kuptova se Mama e kishte shtëpinë në çatinë e atij teatri të vjetër. Hyra. Para meje u shfaq një dhomë e madhe, e ngjashme me dhomat e miqve të shtëpive të vjetra shkodrane. Dysheme dërrase, mure të bardhë e të mbushur me gjithfarë rraqesh të vjetra, sëndukë, arka dhe karrige italiane të viteve '30.
Ellen Stewart rrinte në mes, në karrigën e saj dhe me njërin brryl të mbështetur mbi një skrivani po kaq të vjetër sa dhe karriget. Ishte rrëmujë e madhe dhe e bukur në të njëjtën kohë.
-You look so beautiful - i thash.
-Oh, no Stefan…look at my eyes.
Pashë për herë të parë me vëmendje sytë e një gruaje të zezë. Mu duken gjithë lëng edhe pse ajo thoshte se i kishte të sëmurë.
- E more programin e teatrit - foli pastaj ajo. Ka shfaqje të mira dhe ti mund të vish t'i shikosh të gjitha. Je miku ynë.
- Është e tepërt - i thashë. Unë do vij patjetër por do i paguaj vetë biletat.
- Çfarë thua Stefan?! Teatri nuk është biznes. La MaMa është për artistët.
Po çne ajo në Shqipëri?! Kjo i kujton asaj një moment shumë të vështirë. Çastin kur qe duke u ndarë përfundimisht nga jeta dhe kur e dëshpëruar kishte filluar të lutej për veten dhe shëndetin e saj. Është shumë interesant fakti se duke lexuar rreth mjeksisë ishte ndalur te Asclepius, një gjysmëzot i mjekësisë. Asclepius personifikonte aspektet shëruese të artit të mjeksisë së bashku me shtatë vajzat e veta dhe thuhet se qyteti i Butrintit qe ndërtuar në nderim të tij. Kaq i mjaftoi Mamës dhe i tha vetes se duhet të shkonte në Butrint dhe të drejtonte atje një shfaqje me emrin e tij dhe për nder të tij. Kështu Mama mobilizoi një grup studentësh shqiptarë dhe së bashku me disa aktorë të vetët shleu pengun e saj ndaj Aesclepius në Festivalin e Butrintit.