E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Apel qytetar për kryeprokuroren Rama"

 

 

Me hetimin e ngjarjes makabre të Gërdecit, drejtësia shqiptare e në veçanti organi i akuzës me në krye Prokuroren e Përgjithshme janë para një evenimenti të rëndësishëm historik, para një sfide dhe sprove të madhe kombëtare për të hetuar në mënyrë të pavarur, pa varësi, drejtësi, me inteligjencë profesionale e me transparencë të plotë.

Vetëm kështu mund të çlirohet drejtësia shqiptare nga kthetrat e politikës, nga ndërhyrjet e pashallarëve, vezirëve dhe marshallëve, të fortëve, nga vampirët, trafikantët, kriminelët dhe vrastarët e pamëshirshëm.

Në emër të mbarë qytetarëve, e sidomos të banorëve të Gërdecit, i bej apel kryeprokurores, zonjës Ina Rama që në hetimin e kësaj çështjeje të çlirohet nga çdo lloj kompleksiteti, diktati e mos-objektiviteti. Shpejtoni, shtrini në gjerësi dhe thellësi e përkundrejt provave dhe fakteve gjithë procedurën e hetimit!

Ngjarja e Gërdecit është nga më tragjiket, ndaj mos lejoni të anashkalohet, të shpërfillet e të nënvleftësohet. Hidhni për një çast vështrimin dhe gjykimin nga Gërdeci, frymëzohuni nga keqardhja dhe ndjenja sentimentale dhe rreshtohuni pa hezitim përkrah banorëve të Gërdecit dhe gjithë Shqiptarëve!

Ndëshkoni rreptësisht fajtorët cilëtdo qofshin ata sepse me siguri do bëheni gruaja më humane dhe juristja e hekurt Shqiptare që me siguri do të mbaheni mend në historinë e Jurisprudencës Shqiptare! Në këto momente kritike, gjithë opinioni publik shqiptar me mendje, shpirt e zemër dhe me gjithë qenien e tyre e kanë hedhur vështrimin tek ju dhe vetëm tek ju!

Ju lutem, mos e shpërdoroni besimin e tyre, kthejuani atyre besimin, shpresën, dinjitetin, qetësinë dhe sigurinë te drejtësia, politika dhe shteti shqiptar.

Ushtroni pa hezitim dhe totalisht në maksimum, gjithë kompetencat që ju jep ligji dhe funksioni fisnik i Kryeprokurores, vini në eficiencë gjithë bagazhin tuaj intelektual e profesional dhe zbardheni qartësisht hetimin e çështjes, që të mos na përsëriten më fatkeqësi të tilla. Aspak mos druaj, mos u frik e mos u tut, zbato Ligj dhe Kushtetutë!

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›