E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është e domosdoshme që numri i deputetëve të jetë 100

Neni 64 i Kushtetutës, ku fillimisht përcaktohet numri i deputeteve, është produkt jo i dobishëm i politikës shqiptare që me sa shihet do të mbetet i tillë përderisa institucionet që kanë marrë ose do të marrin përsiper ndryshimet në reformën zgjedhore, nuk do të korrigjojnë hapin e parë të gabuar të këtij neni që përcakton numrin e deputetëve.

Në qofte se numri i deputetëve do të përcaktohet vetëm nga tregues sasior, siç është raporti midis numrit të zgjedhësve dhe parlamentarëve, duke iu referuar vendeve të përparuara të Evropës, rezulton se Parlamenti shqiptar nuk duhet të ketë më shumë se 100 deputetë. Duke iu referuar treguesve cilësorë të deputetëve tanë, pa rënë në subjektivizëm, mund të thuhet se Parlamenti shqiptar i ka shumë 50 deputetë dhe po të nisemi nga produkti që ka dhënë deri me sot politika parlamentare, mendoj se mjaftojnë dy deputetë: Sali Berisha dhe Edi Rama.

Përcaktimi i drejtë i numrit të deputetëve ka rëndësi vendimtare për hartimin e një reforme zgjedhore efikase dhe për të patur një parlament jo parazitar, cilësor dhe mbrojtës të interesave të popullit. Meqenëse Parlamenti shqiptar duhet të ketë një numër të caktuar deputetësh, është e domosdoshme që ky numër të jetë 100, i cili i çel rrugën sistemit mazhoritar të pastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›