E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari i një tragjedie të shumëpërfolur

18 janar 1992

Ditën e fundit të jetës, kur ishte ende e ndërgjegjshme, Eluana e kaloi me miken e saj të ngushtë, Laura Portalupi. Ishte 17 janari i vitit 1992. Njiheshin që fëmijë, studionin gjuhë të huaja në Universitetin Katolik të Milanos, e donin shumë njëra-tjetrën. E kalonin pasditen në palestër, ecnin në Qendër, ndërsa në orën 21:00 ktheheshin sërish në shtëpi. Të njëjtat muhabete, miq, të dashur, pushime, shëtitje. Në fund, gjithmonë u përshëndetën dhe u ndanë me një premtim: "Nesër do të zgjohemi herët dhe do të takohemi për të studiuar së bashku". Eluana buzëqesh dhe e pyet: "Do të jemi mike përgjithmonë"? "Po, Elu përgjithmonë". Kjo ishte dëshira e saj: që çdo gjë e bukur të zgjaste përgjithmonë. Sapo kishte hyrë në shtëpi, kur miqtë i kërkuan të dilte sërish dhe të bashkohej me ta në një lokal në Garlate, pak kilometra larg Lekos. Një mbrëmje e papritur. Eluana u vesh, mori makinën e të atit dhe u nis. Nuk i tha gjë Laurës dhe as prindërve që ishin me pushime. Babai kishte marrë me vete makinën e vogël të Eluanës, duke i lënë asaj atë më të madhen, të tipit BMW. Në tre të mëngjesit Eluana gjendej në rrugën që lidhte Kalkon me Lekon, nën shoqërinë e një miku, Andreas. Është errësirë dhe ngricë. Makina rreshket mbi një shtresë akulli. Pak sekonda tmerri përpara se të përfundonte drejt një shtylle. Për Eluanën ky ishte fundi, ose më mirë fillimi i një ekzistence të pa imagjinuar më parë. Ambulancat erdhën atëherë kur trupi i saj nuk lëvizte, shikimi ishte fiksuar diku, dhe nuk kishte asnjë refleks. Këtu filloi kalvari i saj. Ishte mëngjesi i 18 janarit të vitit 1992.

19 janar-18 shkurt 1992

Eluana transportohet në spitalin e Lekos. Ishte goditur në kokë, ndërsa fytyra i ishte mbuluar nga gjaku. Prindërit ishin ende me pushime, por në orën 09:30 të 18 janarit një telefonatë do t‘u ndryshonte jetën përgjithmonë: nga ana tjetër e telefonit i vëllai, Alesandro, i kërkon të telefonojë në spitalin e Lekos. Parandjenja kishte dalë. Bepe dhe Saturna u kthyen për në Leko. E dinë që Eluana është në grahmat e fundit të jetës, që truri është dëmtuar, që ato janë orët e fundit për të, por askush nuk flet. "Fraktura në të gjithë trupin, dëmtim i vertebrës së dytë të qafës, hemorragji në hemisferën e majtë të trurit dhe lezione në pjesë të ndryshme të trurit". Përpara shtratit të saj në repartin e reanimacionit, babai Bepe është i sigurt për diçka: Eluana nuk do të jetë më kurrë si më parë. Në Leko, Laura Portalupi ende nuk di asgjë. Në orën tetë të mëngjesit hap librat dhe pret Eluanën për të ngrënë mëngjes së bashku. Pritja ishte e kotë. Në shtëpinë Englaro, një fqinj i kërkon të shkojë në spital. Niset për atje plot frikë. Jashtë reanimacionit qëndronin miqtë me të cilët Eluana kaloi mbrëmjen një natë më parë. Dhimbje dhe ankth për atë që ka ndodhur. Në ditën e pestë pas operacionit, prindërve të Eluanës u thuhet se vajza do t‘i nënshtrohet një trakeotomie. Edhe pse i ati kundërshton, mjekët i bëjnë një vrimë në trake. Pas një muaji Elu del nga koma. Hap sytë, vetëm kaq: fle, zgjohet, merr frymë vetë, ushqehet përmes një sonde.

1992-1994

Përkëdheljet e së ëmës

Kështu nisi historia e Eluanës. S‘ka më festa, miq, pushime në det, veshje sipas modës, plane për të ardhmen. Që nga ai 18 janar vetëm spitale, analiza, protokolle rehabilitimi. Dy vjet pritjeje për prindërit. E ëma shkon shpesh ta takojë, sepse mjekët thoshin se Eluana duhej stimuluar, duhej t‘i flisnin vazhdimisht. Këtë gjë e ëma e bënte vazhdimisht. E përkëdhelte çdo ditë, e mbushte me përkujdesje. Të njëjtën gjë bënte edhe shoqja e ngushtë, Laura, me shpresën se Elu do të zgjohej. Kaluan dy vjet para se të arrihej në diagnozën përfundimtare: në 1994-ën mjekët deklaruan se Eluana Englaro ishte në një gjendje të vazhdueshme vegjetative. I ati e di mirë se e bija nuk mund të kthehet më pas. Vogëlushja e shkathët dhe rebele do të mbetej thjesht një kujtim për të. Në janar të 1994-ës transferohet në Leko, në një spital murgeshash. E ëma vazhdonte t‘i qëndronte afër. Ishte i njëjti spital ku ajo lindi më 25 nëntor të 1970-ës.

1995

Beteja ligjore

Babai Bepino nuk dorëzohet dhe në kokë ka vetëm një ide: të respektojë atë që Eluana ishte dhe atë që ajo do të kishte dashur. Bindje që u bë shtysë për betejat e ardhshme ligjore. "Nëse nuk kam qenë një baba i mirë, sepse gjithmonë kam qenë larg me punë, tani dua t‘i qëndroj pranë dhe të respektoj vullnetin e saj". Lë punën dhe i përkushtohet tërësisht betejës ligjore për "të respektuar vullnetin e së bijës". "Kthesa" ndodhi në vitin 1995, kur gjatë një transmetimi televiziv pa për herë të parë neurologun që e vendosi në kontakt me Qendrën Bioetike në Milano. Pikërisht që aty nisi rruga e gjatë që do të zgjaste deri në 2009-ën në Udineze. Për Englaron është një plagë që hapet në vetminë e të atit, braktisur nga bota, sepse kërkon të "provokojë vdekjen e së bijës". Askush nuk e përkrah, askush nuk i jep të drejtë, të gjithë e gjykojnë.

Ditët e Eluanës

Ditët, të njëjta, pa asnjë ndryshim për 17 vjet me radhë në Shtëpinë e Kujdesit në Leko. Ditët e saj fillonin që në 05:00 të mëngjesit, kur murgeshat kujdeseshin për higjienën e saj personale. I lanin dhëmbët, flokët, i bënin banjë dhe e lyenin me pudër. Pastaj gjimnastikë për t‘i mbajtur muskujt të bonifikuar. Në pranverë ose verë i bënin edhe shëtitje në kopsht. Ushqehej përmes një tubi që i vendosej në hundë. Duheshin plot 12 orë për t‘u ushqyer e po kaq për t‘u hidratuar. Çdo ditë e njëjtë me tjetrën, pa e ditur se i ati kishte nisur të kapte avokatë dhe të frekuentonte gjykata me një kërkesë që askush nuk e kuptonte. Të dy prindërit ishin të një mendimi: Eluana kështu nuk do të kishte dashur të jetonte.

1999

Vendimi i parë

Në 1996-ën i ati u bë kujdestari i së bijës. Tani ka edhe mbështetjen ligjore për të respektuar vullnetin e saj. Nga 1999 nisën vajte-ardhjet e tij nga Gjykata e Lekos në Gjykatën e Apelit në Milano. Seanca e parë për ndërprerjen e ushqyerjes artificiale u cilësua e papranueshme. E provoi sërish në 2002-shin, duke shkuar deri në Gjykatën e Kasacionit, por pa sukses. Në 2005-ën iu drejtua sërish Gjykatës së Lartë pa sukses. Në korrik të 2008-ës më në fund gjykata dha vendimin që e autorizonte të atin t‘i hiqte sondën e ushqimit.

9 korrik 2008

Vitet kalonin, Eluana në të njëjtën gjendje, ndërsa i ati gjithmonë në televizione dhe gazeta. Ky rast i ka prekur të gjithë, njerëzit, turistët, botën katolike. Pas thuajse dhjetë vjetësh, Gjykata e Apelit në Milano autorizon ndalimin e ushqimit. Spina mund të hiqet, sepse gjendja vegjetative është e pakthyeshme dhe ekzistojnë provat se ky do të ishte dhe vullneti i Eluanës. Për të atin kjo është fitorja më e madhe: "Ka fituar shteti i së drejtës", përsërit. "Tani Eluana mund të jetë e lirë".

12 tetor 2008

I ati nuk po gjen një strukturë spitalore ku të aplikojë vendimin e gjyqit, ndërsa Eluana pas një hemorragjie katërditore dukej në prag të vdekjes. Por pas disa ditësh gjendja e saj stabilizohet sërish, ndërsa fati varet nga një vendim.

13 nëntor 2008

Vendimi i ministrisë

Gjykata e Kasacionit i ka dhënë të drejtën të atit të vazhdojë. Në Friuli gjendet një klinikë që pret Eluanën. Por Ministria e Shëndetësisë nuk është dakord. E ndërsa gjithçka është gati për udhëtimin e saj të fundit, vjen përgjigjja nga Roma: ministri Sakoni, me një direktivë ligjore ndalon ndërprerjen e ushqimeve dhe hidratimin e të paralizuarve si Eluana. Pritja nis sërish. Për të atin një tjetër ankth, ndërsa për murgeshat një mrekulli. Ndërkaq, Eluana qëndron e pandërgjegjshme, në heshtjen e saj të përjetshme. Nga Udineze vjen një tjetër zgjidhje: qendra "La Quiete" është e gatshme ta presë. Valixhja është bërë gati. Kësaj here nuk ka kthim pas.

3 shkurt 2009

Udhëtimi i fundit

Më 3 shkurt, barela mbi të cilën ndodhej Eluana u vendos në ambulancën ku hipi edhe mjeku reanimator, Amato de Monte. Udhëtimi zgjati katër orë. Kollë e fortë dhe sekrecione. Murgeshat e rekomandojnë të kurohet. Eluana mbërrin në Udineze. E presin në një dhomë në katin e parë, me një krevat druri dhe mure bojëqielli. Jashtë vazhdojnë protestat e atyre që duan ta shohin në jetë, dhe dëgjohen duartrokitjet e atyre që solidarizohen me të atin. Kolla vazhdoi edhe për tri ditë të tjera. Që nga e premtja nuk po e ushqenin. Mjekët kishin nisur ta mbanin me qetësues.

9 shkurt 2009

Vdekja

Në orën 20:10 Eluana ndërroi jetë. I ati e pa për herë të fundit të martën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›