Ditari online i deputetit disident të çadrës jugore
"Më është dhënë detyra e rëndësishme e fshirjes së grimcave ushqimore"
Dëshmia e dytë e ditarit të deputetit që ka gjetur momentin e rrëfimit tek lidhja online me familjen e tij, ka qenë fort më e hidhur sesa dita e parë, e cila u publikua dje në faqet e gazetës. Vetë deputeti s’e ka mbajtur dot përbrenda, por ka protestuar tek e shoqja, sepse kryetari i partisë - dora vetë - e paskësh emëruar që të pastronte grimcat që krijoheshin nga vaktet e shpejta që ishin përcaktuar prej Endri Fugës, sipas një kalendari të përcaktuar dhe rigoroz. “T’i pastrosh sepse kështu greva është më jetëgjatë dhe afron luftën civile”, shqiptoi Edi Rama, me të njëjtin solemnitet me të cilin mund të lexonte kapitullin “Zbulesa” tek Bibla e të gjitha sekteve të krishtera. “Asnjë grimcë mos lër, pasi vetëm kështu afrohet lufta civile dhe fitorja jonë e afërt”. “Po pse, kaq e thjeshtë është fitorja tek lufta civile”, më pyeti në pastrim e sipër, njëri nga të rinjtë që ishte përfshirë në grevë nga listat e Olta Xhaçkës, dhe që si version të kësaj përplasjeje njihte veç vitin 1997, prej të cilit akoma i dridhen zhelet. “E ç’t’i thosha, mjaltëz? shkruan deputeti në ditarin e tij online (adresa e parë e rrëfimit është e shoqja, me të cilën ai është njohur që në bankat e shkollës dhe pikërisht në atë kohë edhe e pagëzoi me epitetin “mjaltëz”). E mban se s’i dridhemi që të dy sa herë na kujtohen ato kushërinjtë e Mozit që erdhën e na kërkuan kursimet tona, sepse do të kalsifikoheshin si të lëna në firmat piramidale, pasi të vinim në pushtet?”
Ditari rrëfen edhe klasifikimin e detyrave që kryetari na ka përcaktuar: “Njerëzit e rëndësishëm të çadrave, të ngarkuar për fshehjen e provave të ngrënies”. Ngjan e gjatë, mjaltëz, por thonë se gjatësia përcakton edhe rëndësinë e njeriut... Lëre se ti ma di gjatësinë... Hahahaha, mjaltëz....”.
Deputeti në rrëfimet e tij të herëpashershme i rrëfen së shoqes edhe tollovinë që po shtohet përditë tek çadra jugore, për shkak se aty, roli i Olta Xhaçkës është edhe më relevant. “ç’po vuan i ziu Klosi - thotë deputeti i ditarit – me të cilin kam pasur gjithmonë të nënshkruar aleancën e më të urtëve. Asnjëherë nuk e hidhnim vështrimin nga djemtë që ishin nën vëmendjen e kryetarit, apo nga deputetet e reja që ishin nën xhelozinë e Artës. S’prishnim qeder. Edhe këtu të njëjtën sjellje po mbajmë, se e kemi në karakter, po ku ka sjellje që qendron përballë Oltës, më rrëfehej dje Blendi. Ajo s’heq dorë nga shpresa se një ditë Blendin do ta lëshojë zemra e do të jepet, megjithëse tani ka nisur t’i humbasë pak durimi, pasi një burim i saj ekskluziv nga jashtë, i ka thënë të shpejtojë, pasi s’ka shumë kohë, se çadrat mund të zhvendosen. Boll ka duruar i shkreti deri më tani. Siç e kemi njohur, ashtu edhe po i shfaqet Oltës, serioz e institucional”. ç’të të them mjaltëz, vijon deputeti i urtë, rrëfimin në vetë të parë, meqenëse njoftimet se disidenca kishte nisur të demaskohej kishin rënë në vështrimin e shtypit, por edhe të Ilir Beqjes e Endri Fugës, dy cerberët e çadrave. Frika e kamerave po na e afron me të vërtetë urinë. Futja e ushqimeve nuk është më e thjeshtë si në ditët e para. S’mjafton veç deklarimi i preferencave për markën e sallamit apo për kosin që ndihmon tretjen. Mediat janë bërë më të egra, por edhe kryetari është bërë më i ngurtë. Me sa duket, s’po i ecin planet për peshkimin e ndonjë viktime dhe po nis të humbasë durimin. ç’të të them, mjaltëz, rezistenca ndjej se më ka rënë si shumë, pasi Olta m’u afrua sot, por s’ndikoi tek sistemi i qarkullimit të gjakut, ose ndikoi po aq sa ndikon rëndom Ilir Beqja, kur s’afrohet pas një seance stërvitore basketbolli...ose mbledhje kryesie, se njëlloj djersin ai... ç’të të them, mjaltëz, mendimi zyrtar tek ne është se kryetari s’është i kënaqur nga qëndresa jonë e kërkon një rrëzim të pastër, një viktimë të klasit të parë... Situata është më e vështirë sesa mbledhjet e Asamblesë së Partisë dhe mua po më lënë forcat... Do Zoti e lidhem prapë nesër me këtë të bekuar teknologji... është një rast i shpeshtë që ma kujton të djathtën dhe ajo s’më duket aq armiqësore sa na e përshkruan kryetari...”
...