E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Partia Socialiste në Tiranë si “17 nëntori” në Greqi

E majta shqiptare në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, historikisht ka dëshmuar se koncepti i saj për lirinë, është koncepti i Partisë së Punës, e cila quante liri atë që nuk binte ndesh me mësimet e shokut Enver. Liria, sipas këtij koncepti, është liri e partisë-shtet për të përcaktuar lirinë individuale dhe kolektive të një populli, i cili detyrohej ta quante gjendje të lirisë, gjithë atë situatë kur mund të dënoheshe me vendime partie, ose nga do farë gjykatash që në arsyetimet e tyre juridike përdornin një terminologji politike dhe si pikë reference merreshin vendimet e partisë-shtet, apo edhe fjalimet e shokut Enver. Dhe kjo gjendje e lirisë, ishte në të vërtetë gjendje e një pengmarrjeje politike, ishte gjendje e një anarkie politike, e cila bazohej dhe udhëhiqej nga e drejta e partisë-shtet për të imponuar në mënyrë kundërligjore, si dhe duke adoptuar aso ligjesh që ishin në kundërshtim me një sistem pozitiv vlerash njerëzore dhe shoqërore të një shoqërie të organizuar bashkëkohore. Dhe e gjithë kjo bëhej në emër të demokracisë popullore socialiste, duke deformuar kështu edhe konceptin e demokracisë, si sistem i krijimit të marrëdhënieve ndërmjet atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen. Dhe ky deformim i demokracisë nënkuptonte zëvendësimin e qeverisjes me sundimin. Vetë-sundimi është një mënyrë e tiranisë, është një mënyrë e imponimit të vullnetit të atij që sundon mbi ata që sundon. Pra, me këtë rast, në vend të të kuptuarit të demokracisë si qeverisje e popullit nga ana e atyre që zgjedh për të qeverisur në emër të tyre, demokracia popullore socialiste kuptohej dhe realizohej si sundim i popullit nga një parti-shtet, pra nga një parti që e konsideronte veten shtet. Në emër të kësaj demokracie popullore socialiste, ishin të shumtë ata që u vranë, u pushkatuan, u syrgjynosën e u sakatosën, siç do të thoshte vetë Noli, vetëm pse ashtu donte partia-shtet, përkatësisht sundimtari suprem, Enver Hoxha. Dhe gjithë kjo praktikë e sundimit të partisë, e që ishte shndërruar në një sistem tiranie, mbështetej në epërsinë e supozuar që kishte sundimtari në raport me popullin, në formën “e di partia këtë punë”, ose “bëj si thotë partia, se ajo e di më mirë se ç’është e mirë e ç’është e keqe”, e kështu me radhë. Me këtë rast, sundimtari, tirani ishte i gjithëdijshmi, i forti i padiskutueshmi, kurse populli ishte turma injorante, turma kafshërore dhe një mori epitetesh të kësaj natyre. Me këtë ishte krijuar besimi se partia ishte për të sunduar, kurse populli ishte për t’u sunduar. Këtë “të drejtë” të partisë-shtet për të sunduar një popull të tërë me të gjitha mënyrat e mundshme, në demokracinë popullore socialiste e garantonin të gjitha mekanizmat represivë të shtetit që nga policia e zakonshme e deri te ushtria, duke krijuar kështu një sistem të dhunës së përhershme shtetërore. Kjo dhunë e përhershme shtetërore zbatohej në të gjitha rastet kur donte partia-shtet, pavarësisht se në këtë mënyrë po i shkatërronte energjitë pozitive të një populli të tërë, duke e shndërruar atë në një objekt gjuetie, ose në një turmë të frikësuar dhe të indoktrinuar. Pra, koncepti i lirisë sipas Partisë së punës, ishte koncepti i një lirie për të sunduar, për të vrarë e për të frikësuar një popull të tërë, duke ia pamundësuar atij lirinë e vërtetë, lirinë për ta bërë sovran të shtetit si dhe një shoqëri qeverisëse.
Rendi demokratik, ndërkaq, me gjithë defektet që ka, dhe që tashmë ia kanë vënë në pah shumica e teorikëve të demokracisë që nga Rajmond Aron, Xhon Rauls e deri te Xhovani Sartori, e shumë të tjerë që janë marrë jo vetëm me demokracinë si e tillë, por edhe me raportet ndërmjet lirisë e barazisë, ndërmjet barazitizmit dhe komunitarianizmit, ndërmjet liberalizmit dhe konservatorizmit, është një rend politiko-shoqëror që bën dallim nga rendi socialist-marksist pikërisht në konceptin e lirisë në përgjithësi, por edhe në konceptin e lirisë politike, e që do të thotë, edhe në konceptin e lirisë së popullit për të zgjedhur ata që do të mund të qeverisin në emër të tij në përputhje me ligjin, kushtetutën dhe nëpërmjet një tërësie instrumentesh politikë e juridikë. Liria e konceptuar si liri shoqërore që e nënkupton lirinë që ka shoqëria për të qenë subjekt qeverisës, qoftë nëpërmjet një qeverisje të deleguar, që bëhet nëpërmjet zgjedhjeve, apo edhe nëpërmjet një qeverisjeje të drejtpërdrejtë, siç janë referendumet dhe peblishitet e ndryshme, si dhe në kuadër të saj si liri individuale, e që është liria e individit për të zgjedhur apo për t’u zgjedhur. Dhe kur them liri e individit për të zgjedhur, nuk është fjala vetëm për lirinë për të zgjedhur një përfaqësues në kuvend apo në ndonjë institucion tjetër që bëhet me sistem zgjedhjesh, ose edhe në ndonjë formë referendare apo plebishitare, por edhe si liri e individit për të zgjedhur mënyrën e të menduarit, të gjykuarit, të vlerësuarit dhe të vepruarit në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Thelbi i demokracisë, pra është në raportin ndërmjet popullit qeverisës dhe atyre që qeverisin në emër të tij, e që përcaktohet me anë të votës individuale të gjithsecilit votues, dhe në funksionimin e gjithë sistemit qeverisës në bazë të një tërësie institucionale politike e juridike, funksionimi i të cilëve përcaktohet nga kushtetuta dhe ligjet e një vendi, të miratuara në formë referendare, në formë shumicash kuvendore apo edhe nëpërmjet kompromisesh politike.
Rasti i Partisë Socialiste, përkatësisht i konceptit të saj të lirisë, të legalitetit dhe të kushtetutshmërisë, është pikërisht rasti i përmendur në pjesën e parë të këtij shkrimi. Rasti i Partisë Socialiste, përkatësisht i konceptit të saj të lirisë, të legalitetit dhe të kushtetutshmërisë, është rasti i Partisë së Punës, e cila gjithë sistemin politik e juridik të vendit e koncepton si një tërësi instrumentesh që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të saj, e që më shumë se politik, duket se është vullnet individual apo grupor i udhëheqësit të partisë, dhe i një “byroje” biznesmenësh rreth tij. Partia Socialiste, konceptin e lirisë së partisë-shtet për të sunduar një popull të frikësuar, e pse jo edhe të shantazhuar, që dikur e ka pasur ajo si parti kur e ka pasur emrin Parti e Punës, e ka vazhduar si një të drejtë natyrore për të vazhduar sundimin e saj me të gjitha mjetet. Kjo, te Partia Socialiste është shndërruar në një mendësi politike dhe në një besim paranojak, për realizimin e të cilit nuk zgjedh mjete. Për të dëshmuar këtë, nuk duhet ndonjë mençuri e madhe, pasi që gjithë historia e saj që nga viti 1991 e këndej është e mbushur plot me fakte publike. Mjafton të rikujtojmë gjithsecili ngjarjet e vitit 1997, për ta pasur më të qartë se kjo parti nuk zgjedh mjete e mënyra për të rrëmbyer pushtetin. Duke mos duruar që dy mandate radhazi të jetë në opozitë, Partia Socialiste, qe në gjendje të bënte mashtrimin më të madh që ndonjë forcë politike do të mund t’ia bënte popullit të tij: nëse ne do të vijmë në pushtet, do t’i kthejmë qind për qind paratë e humbura në skemat piramidale të Sali Berishës. E përmenda këtë, për të vënë në vëmendje faktin, se partia Socialiste nuk e përdorte si argument çështjen e zgjedhjeve, të cilat gjithsesi i kishin problemet e veta, ndonëse jo në atë masë sa u tha fillimisht, pasi që me një argument të tillë nuk do të mund t’i nxirrte njerëzit në rrugë, por manipuloi një gjendje sociale të krijuar ndërmjet vetë qytetarëve dhe atyre që drejtonin firmat piramidale, duke e bërë përgjegjës për këtë qeverinë. Manipulimi që iu bë një çështjeje tërësisht private, siç ishte ajo e skemave piramidale, si dhe mashtrimi i madh se ne do t’i kthejmë qind për qind paratë e humbura në këto skema, ishte në të vërtetë shpërfaqje e një amoraliteti perfid, si dhe i konceptit tepër fyes dhe poshtërues që kjo parti kishte ndaj popullit. Me fjalë të tjera, mashtrimi për kthimin qind për qind të parave të humbura në skemat piramidale, shpërfaq katërçipërisht atë mendësi puniste që kishte kjo parti kur e kishte emrin Parti e Punës, e që është mendësi e trajtimit të popullit si një turmë injorante, turmë kafshërore. Dhe në emër të kësaj fatkeqësie private, thellësisht private që individë të ndryshëm e kishin pësuar qoftë nga dëshira për t’u pasuruar shpejt, qoftë edhe nga mungesa e dijes për këtë formë të depozitimit apo të kreditimit, Partia Socialiste ia lejoi vetes që ta politizonte dhe ta kishte argumentin kryesor për ta marrë pushtetin edhe me çmimin e mijëra jetë njerëzish, si dhe me shkatërrimin e institucioneve të shtetit. Pas ardhjes së saj në pushtet me format e një anarkie marksiste-leniniste, disa nga format e para edhe në veprimet e lëvizjes anarkiste greke “17 Nëntori”, të gjithë qytetarët, si ata që kishin humbur paratë e tyre në skemat piramidale, si ata që nuk i kishin humbur, patën rastin të binden për mashtrimin e madh që ua kishte bërë Partia Socialiste. Por nuk ishte i vetmi mësim ky që patën rastin ta mësojnë të gjithë shqiptarët. Një mësim tjetër që patën mundësi ta mësonin shqiptarët ishte edhe mësimi që kishte të bënte të atë se si Partia Socialiste e kuptonte demokracinë si një rend politiko-shoqëror, si dhe të funksionimit të shtetit mbi bazën e parimeve demokratike. Nëse zgjedhjet e vitit 1996 i kishin problemet e veta, e të cilat në një masë të madhe u shkaktuan edhe nga braktisja e tyre nga Partia Socialiste, zgjedhjet e vitit 2001 jo që ishin me probleme, por edhe ishin zhvilluar me një kod zgjedhor që polli dukurinë Dushkut. Po ashtu ato në ato zgjedhje ishin vënë në përdorim edhe një arsenal armatimi deri te tanket. Pra, ishte një angazhim tërësor i institucioneve represive të shtetit në funksion të vjedhjes së votës së qytetarëve. U deshën tetë vjet, si dhe stërkeqja e brendshme e Partisë Socialiste që të mund të hiqej nga pushteti, kurse populli të lirohej nga makthi i sundimit të saj.
Tashmë kur ka humbur mundësinë legale, çfarë është ardhja në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve, Partia Socialiste me veprimtarinë e saj pamundësinë e saj për t’u pajtuar me faktin se edhe një mandat tjetër do të jetë në opozitë, e ka shndërruar në një makth të vërtetë, i cili nuk është makth personal i Edi Ramës, por i gjithë atyre që përfaqësojnë vazhdimësinë e mendësisë puniste të sundimit të partisë mbi popullin si një turmë injorante dhe si një turmë kafshërore, siç janë: Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi e Namik Dokle, si vija e parë, si dhe bijtë e baballarëve të tyre, si vijë e dytë. Këta, e kanë makthin shumë herë më të madh se të Edi Ramës, i cili thënë të drejtën, ka kohë që në tërësinë e marrëzisë së tij politike, del me teza djathtiste, duke harruar se është kryetar i ish-Partisë së Punës, përkatësisht drejtues i opozitës së majtë. Edhe pse shpërfaq teza djathtiste, ai në mendësi dhe në veprim, ka treguar çdo ditë dhe sa herë i është dhënë rasti se është një reinkarnim i një sundimtari punist, ashtu siç ishte vetë Enver Hoxha. Në bazë të kësaj mendësie, për Edi Ramën zgjedhjet janë të lira vetëm kur fiton ai, kurse janë jo të lira dhe të manipuluara kur humb ai. Në këtë kontekst, duhet shtuar se kohëve të fundit ka filluar të shfaqë edhe elemente të individit-shtet, pra jo vetëm të partisë-shtet, siç ishte ai i para do ditëve lidhur me çështjen e trafikut, se meqë është kryetar bashkie, është vetë shteti, është vetë ligji. Dhe ky njeri që veten e konsideron shtet, e konsideron mbi ligjin dhe mbi kushtetuën, është shumë e qartë se nuk ka mundësi që të pranojë rendin ligjor dhe kushtetues, ose i pranon vetëm kur i sjellin përfitime për vete dhe për llojin e vet. Injorimi i një tërësie ligjore dhe kushtetuese, Edi Ramën më shumë e paraqet si një anarkist i tipit të anarkistëve grekë, kurse Partinë Socialiste si një lëvizje anarkiste çfarë është “17 Nëntori” grek. Prandaj, edhe veprimet e saj janë veprime anarkiste të drejtuara kundër shtetit dhe kundër rendit demokratik të funksionimit të shtetit. Përndryshe, unë nuk mund ta kuptoj, e besoj se nuk mund ta kuptojnë ndryshe të gjithë njerëzit e arsyeshëm pavarësisht nga bindjet e tyre politike, faktin se Edi Rama refuzon një rend kushtetues të bazuar në Kushtetutën e miratuar nga vetë Partia Socialiste, si dhe një sistem zgjedhor dhe ligjor që e mbështet këtë sistem zgjedhor të hartuar nga vetë Partia Socialiste. Duket se Partia Socialiste si në kohën kur e ka hartuar kushtetutën, ashtu edhe kur e ka hartuar ligjin për zgjedhjet e 2009, i ka bërë këto ose duke e menduar veten në pushtet të përhershëm, ose vetëm si një trampolinë për të ardhur në pushtet, e jo edhe mirëfunksionimin e rendit demokratik, apo edhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, çështja shtrohet: a do të arrijë Partia Socialiste që ta mashtrojë edhe një herë popullin dhe ta bëjë pjesë të një lëvizjeje anarkiste që është e drejtuar kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të shqiptarëve në të gjithë hapësirën shqiptare, apo do të përfundojë thjesht në një grup të vogël anarkist, sikurse është “17 Nëntori” grek, mbetet të shihet, por dua të besoj se popullin nuk mund ta mashtrosh dy herë, por edhe dua të besoj se nuk është interes i të majtëve të vërtetë shqiptarë, të majtëve me orientime socialdemokrate, as dëmtimi i interesave shtetërore e kombëtare të shqiptarëve, e rrjedhimisht edhe të tyre, por as që Partia Socialiste të shndërrohet në një grup të vogël anarkist.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›