Lajmi i Ditës/Edi Rama, shqiptari i fundit që e kuptoi se Shqipëria do integrohet në BE

Grupi parlamentar i PS merr vendimin “pro” heqjes së imunitetit, pasi kuptoi se s’funksionoi as skema e bllokimit të ligjeve e as dërgatat në Perëndim, për të prishur imazhin e vendit. Sot në Kuvend do miratohet nisma politike e PD-së, ndërkohë që gjatë muajve të fushatës, Edvinit do t’i duhet të shpjegojë pse u rreshtua kundër rekomandimeve të ndërkombëtarëve
Kuvendi mblidhet në një seancë plenare për të votuar drafti ligjor për ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë për qëllim kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Vendimi u morr në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat vlerësoi si tepër të rëndësishëm votimin në mbështetje të draftit ligjor. Pro votimit në seancë plenare për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, është vendosur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje, e drejtuar nga kryetari i grupit Gramoz Ruçi, në mungesë të kryesocialisti Edi Rama, mësohet se ligjvënësit socialistë janë përqendruar pikërisht tek votimit për kufizimin e imunitetit, një ndër kriteret kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Vendimi i grupit parlamentar tregon ndryshimin e linjës politike të Partisë Socialiste, e cila kishte kushtëzuar votën e saj pro kufizimit të imunitetit me miratimin e një pakete ndryshimesh të tjera kushtetuese, të cilat preknin sistemin e drejtësisë.