E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli i konfirmon Nishanit: Shqipëria do e marrë statusin

18-09-2012 / Gazeta 55

Mesazhet pozitive për integrimin e shpejtë në familjen evropiane kanë marrë një konfirmim zyrtar dje nga presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompoy, i cili i ka deklaruar presidentit Nishani se Shqipëria e meriton marrjen e statusit kandidat. Edhe Presidenti i KE, Barroso dhe komisionari Fyle kanë certifikuar përparimin në kursin e reformave, duke paralajmëruar rekomandimin për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të plotë në BE

Barroso: Kam besim se autoritetet s’do ndalen nga pengesat politike për miratimin e reformave

Në kuadër të një vizite treditore në Bruksel, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një takim nga presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy. Kreu i shtetit bëri një pasqyrë të detajuar të arritjeve në procesin e reformave, bazuar në 12 prioritetet e Komisionit Evropian duke theksuar se integrimi evropian është alternativë e vetme dhe gëzon mbështetjen e mbarë popullit shqiptar. Presidenti Nishani garantoi Presidentin Van Rompuy se është i vendosur të luajë rolin e tij kushtetues për të kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe në nxitjen e një procesi gjithëpërfshirës ku të gjitha palët të ndiejnë përgjegjësinë për ecurinë e procesit dhe po ashtu të ndajnë frytet e suksesit. Kreu i Shtetit vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë shembuj pozitivë që provojnë se Shqipëria respekton me seriozitet rregullat dhe standardet e kërkuara.
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy e përgëzoi Presidentin Nishani për arritjet e Shqipërisë në proceset e reformave dhe theksoi se mbetet mbështetës i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për integrimin evropian të Shqipërisë. Presidenti Van Rompuy e cilësoi Shqipërinë si një faktor kyç stabiliteti në rajon dhe inkurajoi që ajo të vazhdojë të luajë këtë rol.
Presidenti i Këshillit Evropian vuri në dukje se Shqipëria është e përgjegjshme në reformat dhe e qartë në perspektivën e saj. “Shqipëria mund të bëjë edhe më tepër përparim në drejtim të përmbushjes së synimit të saj në vitin 2012. Komisioni do të vlerësojë situatën në tetor dhe Këshilli do ta diskutojë atë vlerësim në dhjetor të këtij viti.
Tani është e rëndësishme që reformat politike të vazhdojnë. Inkurajoj si qeverinë ashtu edhe opozitën që të shfrytëzojnë bashkarisht këto momente për të arritur rezultate konkrete në rrugëtimin evropian duke u përpjekur të përmbushin 12 përparësitë kyçe të vëna në pah nga opinioni i Komisionit. Të mos harrojmë që respektimi i shtetit të së drejtës, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore. Unë e mirëpres përkushtimin e fuqishëm të Presidentit Nishani ndaj reformës në gjyqësor. Integrimi evropian duhet të jetë një përpjekje e vërtetë kombëtare dhe një projekt gjithëpërfshirës. Duhet të ketë angazhim dhe dialog të vazhdueshëm politik për të arritur suksesin e Shqipërisë. Niveli i lartë i mbështetjes nga qytetarët shqiptarë për integrimin evropian është një kolonë e rëndësishme, mbi të cilën udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të ndërtojnë një platformë të përbashkët në interes të Republikës së Shqipërisë. Qeveria dhe opozita duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta në këtë drejtim dhe duhet të dëgjojnë natyrisht edhe shoqërinë civile në mënyrë që edhe pjesët e tjera të shoqërisë shqiptare të ndihen bashkëpronare të kësaj ambicie të përbashkët që ka i gjithë vendi për integrimin evropian” - u shpreh Rompuy.
Ai vlerësoi lart angazhimin e Presidentit Nishani për angazhimin e tij për gjithëpërfshirjen e faktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile në procesin e reformave. “Të mos harrojmë që respektimi i shtetit të së drejtës, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore. Unë e mirëpres përkushtimin e fuqishëm të Presidentit Nishani ndaj reformës në gjyqësor”- theksoi presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy. Nga ana e tij, kreu i shtetit Bujar Nishani duke iu referuar situatës politike në vend tha se klasa politike po përmbush 12 kriteret e integrimit, përfshirë edhe miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit si përpjekje për të luftuar korrupsionin. “Po shkon drejt zbatimit marrëveshja politike e nëntorit dhe 12 përparësive gjithashtu me përfundimin e rishikimit të rregullores dhe procedurave të Kuvendit si dhe me rishikimin e kuadrit ligjor për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve, për reformën në sistemin gjyqësor që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar”- deklaroi presidenti Nishani.

Presidenti i Komisioni Evropian: Shqipëria dhe shqiptarët do e përmbyllin me sukses sfidën për marrjen e statusit

Barroso, Nishanit: Mos kurseni asgjë për reformat

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, është shprehur besimplotë se Shqipëria dhe shqiptarët do ta përmbyllin mes sukses sfidën për marrjen e statusit kandidat, ndërsa ka theksuar se s’duhet kursyer asnjë lëvizje dhe asnjë përpjekje në përmbushjen e këtij qëllimi. Gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Republikës, Bujar Nishani zyrtari i lartë i Komisionit Evropian pasi vlerësoi ecurinë e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike të shtetit ligjor dhe ecurinë ekonomike të Shqipërisë, Presidenti Barroso shprehu bindjen se ka potenciale për zhvillime të mëtejshme pozitive, përkatësisht në reformën parlamentare, reformimin e sistemit gjyqësor dhe ligjin për kufizimin e imuniteteve. Në këtë kontekst, Presidenti Barroso përcolli mesazhin se në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë duhet vullnet i të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë, dhe se kyçi i suksesit është konsensusi. “Jam plot besim se Shqipëria me njerëzit e saj do të tregojnë vendosmërinë dhe kapacitetin për të vazhduar drejt kësaj faze. Shqipëria po bën përparim dhe hapa gjigante për të vazhduar drejt rezultateve pozitive që kanë të bëjnë me integrimin në Bashkimin Evropian. Madje, unë i nxis të gjithë aktorët politikë në vend që të mbajnë një konsensus të fuqishëm dhe të mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është edhe rruga drejt suksesit. Miratimi i Kodit Zgjedhor, madje edhe arritjet në 12 pikat kyçe të integrimit në Bashkimin Evropian, reformat e ndryshme që kanë të bëjnë pikërisht edhe me të drejtat e njeriut, janë edhe hapat e parë drejt rrugës së duhur. Nuk duhen kursyer lëvizjet dhe përpjekjet për t’i plotësuar këto reforma, dhe mbi të gjitha për të luftuar korrupsionin, si dhe për të forcuar zbatimin e ligjit. Në këtë respekt pra, edhe përkushtimi i plotë i Presidentit Nishani pikërisht në këto pika, është shumë i mirëpritur, madje edhe për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë. Pra, më lejoni të jem shumë i qartë, progresi i Shqipërisë po ndodh me të vërtetë, po ndodh realisht. Dhe madje Shqipëria e do me të vërtetë integrimin evropian. Është tani në duart tuaja për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për ta çuar Shqipërinë drejt rrugës së integrimit evropian” - u shpreh Barroso.
Kreu i KE-së theksoi se reformat janë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe se ato duhet të vazhdojnë edhe pas progres-raportit me qëllim përmirësimin e standardeve që ndikojnë në jetën e qytetarëve shqiptarë. Presidenti Barroso vlerësoi në mënyrë të hapur qasjen racionale të Shqipërisë ndaj çështjeve rajonale dhe e vlerësoi politikën e jashtme të Shqipërisë në rajon si faktor domethënës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Nga ana e tij, presidenti i Republikës, Bujar Nishani pasi renditi rezultatet e arritura nga institucionet dhe shoqëria shqiptare në procesin e reformave u përqendrua në mënyrë të veçantë te sfidat në reformimin e sistemit të drejtësisë. Kryetari i Shtetit Shqiptar u shpreh se kthimi i besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë, nëpërmjet promovimit të karrierës së tyre, në bazë të meritës dhe vlerësimit në mënyrë transparente përbën një nga prioritetet e presidencës së tij, me synim rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti Nishani ndau të njëjtin mendim me Presidentin Barroso se marrja e statusit të vendit kandidat është plotësisht në dorë të institucioneve shqiptare dhe duhet të bazohet në meritë. “E informova Presidentin Barroso për përparimin e shënuar deri më tani në zbatim të marrëveshjes politike të nëntorit si dhe të 12 përparësive për arritjen e dialogut politik në Parlament; aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore, e cila përfshiu disa ndryshime të rëndësishme në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it; zgjedhjen e Avokatit të Popullit me konsensus; punën e komisionit të posaçëm për rishqyrtimin dhe përmirësimin e rregullores së Parlamentit në përputhje me rregulloren e Parlamentit Evropian; miratimin e ligjeve që presin të votohen nga një shumicë e cilësuar; rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, sidomos nëpërmjet bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar dhe zbatimit të ligjit “anti-mafia” që përfshin edhe konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë kriminale. E informova Presidentin Barroso për rishikimin e kuadrit ligjor për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve, për reformën në sistemin gjyqësor që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar”- tha Nishani.
Presidenti i Republikës pasi bëri një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit në rajon u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në paqen dhe stabilitetin e rajonit duke mbështetur dialogun si të vetmin mjet komunikimi ndërmjet vendeve të Ballkanit.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›