E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditëlindja e dymbëdhjetë

Për shënimin e 12-vjetorit të saj, Kinemaja e vetme e kryeqytetit kosovar do të shfaqë katër filma nga repertori i saj i mëhershëm. Gjithashtu, për shikuesit e saj, Kinemaja ABC do të sjellë edhe filmin ‘Man in Black 3’.

Kinemaja ABC të enjten shënon 12-vjetorin e themelimit.

Në këtë përvjetor, drejtuesit e kinemasë kanë vendosur që shikuesve t’iu ofrojnë katër filma nga repertori i saj i mëhershëm, të cilët do të shfaqen brenda ditës së enjte, me çmim prej një euro. R

rjedhimisht, sipas udhëheqjes së Kinemasë ABC, gjatë ditë së enjte do të shfaqen këta filma të zhanreve të ndryshëm: ‘Rio’, me fillim në ora 12; ‘Mr. Popper’s Penguins’, me fillim në ora 14; ‘This Means War’, nga ora 16; dhe ‘Hanna’, nga ora 18. Ndërkaq, në mbrëmje, gjegjësisht np terminet nga ora 20 dhe 22, do të shfaqet premiera e filmit ‘Man in Black 3’, me aktorët Will Smith, Tommy Lee Jones dhe Josh Brolin. Në film luan edhe këngëtarja e njohur Lady Gaga.

Përmes një komunikate për media, KDSHF ‘Genci’, kompani kjo që merret me menaxhimin e Kinemasë ABC, ka bërë të ditur se 24 maji shënohet tradicionalisht si ‘Dita e Filmit – Ditë Humanitare’, meqenëse të hollat që do të mblidhen gjatë asaj dite dedikohen për çështje humanitare.

“Më 24 maj po mbushim dymbëdhjetë vjet nga fillimi i punës së Kinemasë ABC, një dymbëdhjetë-vjetor i një pune të madhe dhe të përbashkët në kultivimin e vlerave të rëndësishme të kinematografisë”, thuhet në kumtesën e menaxhmentit të Kinemasë ABC.

Tutje, në kumtesën e Kinemasë ABC kujtohet edhe ajo se, “kinemaja e vogël e qytetit, kinemaja e adhuruesve të artit dhe e kineastëve, në këto dymbëdhjetë vjet ka arritur të mbledhë emra të njohur të kinematografisë shqiptare, evropiane e botërore”.

“Kjo kinema e qytetit të Prishtinës, për 12 vite ka shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës së filmit, dhe iu ka ofruar shikuesve të saj nga i gjithë vendi një kënd për të shijuar vlerat e kinematografisë”, thuhet në kumtesë, ku nuk lihet pa u përmendur as numri i vogël i shikuesve dhe pirateria, e cila, sipas menaxhmentit të Kinemasë ABC, mbetet konkurrenca e vetme e kinemasë.

“Në rrugëtimin tonë dymbëdhjetëvjeçar kemi kaluar periudha të vështira, duke u përballur me numër të vogël të shikuesve - jo për mungesë të vlerës, e as të filmit me vlerë, por për shkak të ndikimeve të jashtme. Për dymbëdhjetë vite ‘konkurrencë’ e vetme e jona mbetet pirateria, e cila ka dëmtuar rëndë imazhin e kinemasë, duke e pamundësuar shijimin e vlerave në ekranin e madh”, nënvizon udhëheqësia e Kinemasë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›