E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditën kur ngritëm murin e Tiranës

Nga Erion Veliaj

50 vjet më parë në këtë javë u ngrit muri i Berlinit. Muri nuk u ngrit në një ditë. Fillimisht u mbyllën disa vendkalime, pastaj një tel me gjëmba, pastaj disa barriera metalike, e më vonë muri i plotë. Atë mot pak vetë ngritën zërin. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Willy Brandt dhe Berlino-perendimorët nuk mjaftuan për ta ndalur çmendurinë. Në retrospekt, e sidomos 50 vjet pas, të gjithë e dënuan ngritjen e murit. Por, historia dëshmon se si perëndimorët u tulatën ditët e muajt e parë. Intelektualët e Iniciativës për Murin përdornin batutën më mirë një mur, sesa një luftë. Fuqitë që mbikqyrnin Berlinin Perëndimor gjithashtu mbahen mend për ngathtësinë dhe mosbesimin e tipit sigurisht, çmenduria e sovjetikëve nuk do vejë kaq larg. Në fund, tullë pas tulle, hezitim pas hezitimi, negociatë pas negociate, protestë pas proteste, çmenduria vajti aq larg. Çndodhi më pas është histori. Sot kjo histori ka 50 vjetorin.

2 vite më parë nisëm të ngremë pak e nga pak murin e Tiranës. 26 bashkëqytetarë u hodhën në erë, që disa të tjerë të bëheshin më të pasur se çishin. U vodhën zgjedhjet. U zhvatën paratë e taksave në investime. Shitëm abuzivisht gjithçka publike. Hoqëm nga puna shumë të aftë e i zëvendesuam me militantë. Bëmë grevë urie që të mos vidheshin zgjedhjet. Si në Berlin, fuqitë qe mbikqyrnin Tiranën thanë sigurisht, çmenduria e sovjetikëve të Tiranës nuk do vejë kaq larg. Në 21 janar u vranë katër vetë, dhe po, çmendura vajti aq larg.  Përpara 1 viti, muri mori trajtë BE-ja na refuzoi statusin e vendit kandidat, duke na lënë të fundit në rajon, mbyllur pas nje muri që kryesisht e kemi ne koke.  Pardje, raporti i ODIHR na tregoi më shumë për çndodh brenda murit, se kush e frymëzon Murin, se si mbushen kutite, si KQZ e Kolegji e çertifikojne cilësinë mbytëse të murit, se si i gjithë shteti punon për murin, sa i padenjë e sa larg nga Willy Brandt është Bashkiaku i Tiranës, sesi kercenojme shoshoqin të votojë për pushtetin, si jemi gati ta therim, qëllojmë, fyejmë dhe vrasim tjetrin per Murin, këtë mur që po na izolon nga Europa.

Në Berlin, gjermanet ngriten murin per disa gjermane te tjere. Gjithçka më sipër janë tulla në murin që kemi ngritur mes shoshoqit, shqiptarë me shqiptarë. Shqiptarët që vjedhin bankat, votat, shtetin, kalimtarin, fqinjin, po i ngrenë një mur shqiptarve që punojnë ndershëm, që besojnë tek puna, aftësia, talenti, familja, komuniteti. Ata që e kanë mbushur me plehra nga Hani Hotit në Qafë Botë, po ngrene një mur zhuli për ata që e duan të pastër e të bukur këtë vend. Ata që zhvasin në spitale i ngrenë një mur jetës që përpëlitet. Kush korruptohet në universitet, ngre një mur që një shqiptar i ri të mos ndriçohet. Ciniket që tallen me minatorët, ngrenë një mur kalloje në zemren e atyre që ende janë solidarë. Dhe si në Berlin, një Honeker del çdo ditë në televizor, mbron ata që vjedhin për të, vota a para qofshin. Mbron ata që vrasin për të, Remzi Hoxhen, Gërdecin apo protestuesit. Promovon ata që spitalet e shkollat i zhvasin për murin e injorancës. Kurse ne, jemi gati te shqyhemi e theremi nga te dy anët e murit; të frustruar në maksimum si komb themi fjalën apo dhe plumbin e fundit për një shqiptar tjetër pertej Murit.

Në tetor pritet raporti i BE-së, i cili pas ketij të ODIHR-it do të na tregoje më qartë murin që kemi ngritur vetë gjatë regjimit Berisha e pse prej këtij muri sërish nuk do behemi vend kandidat për BE para Serbisë. Pas disa vitesh, një gjeneratë e kthjellët do kthejë kokën pas tek këto ditë kur ne ndërtuam murin e Tiranës. Do gjykojë qeverinë, opozitën, zgjedhjet, vjedhjet, vrasjet, intelektualët, perëndimin murin, dhe ata që frymezuan këtë mur që po na ndan me Europën dhe me shoshoqin. Por, atëherë do të jetë vonë, si me murin e Berlinit.

Raporti i ODIHR-it ishte një denoncim për Murin e Tiranës. Mes nesh ka indiferentë që thonë muri sështë problemi im, ka intelektualë që thonë me mirë mur rehati, sesa sakrificë për ndryshim e ka dhe plot personazhe si Humpty Dumpty kokëveza nga Bota e Çudirave – që e ka për status social ti shërbejë regjimit në majë murit. Ky shkrim sështë për ta, përkundrazi është për ata që Europën e kanë në medje e në zemër, e që se pranojnë që Sali Berisha ti izolojë vit pas viti, mur pas muri. Kjo sdo jetë e lehtë, as e shpejtë, por është e mundshme. Ka më shumë njerëz që duan, sesa që urrejnë në këtë vend. Ka më shumë që bejnë fair play, sesa hileqarë në Shqipëri. Ka më shumë fytyra të paqta, se surretër të dhunës. Ka më shumë që thonë rrofsh se sa të vrafsha. Ka më shumë mendje të hapura, se kokëveza mbi mure. Ka më shumë optimistë që nuk blihen nga regjimi, sesa cinikë të lodhshëm.

Por, në këto kohë të mbrapshta, në vend që ti hakërrehemi pafund njeri-tjetrit, lipset që të jemi të gjithë bashkë kundër Murit. Jo për ti rëne murit me kokë, por me mend e me zemër. Shembja e Murit sështë veç mision i opozitës, çdokush duhet të jetë një Willy Brandt në Berlinin e tij të vogël e të përditshëm, në një front të shqiptarve kundër frymëzuesve të Murit!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›