E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditën për profesorë, natën për të gjithë

Parkingjet para fakulteteve të Universitetit të Prishtinës (UP), ndonëse do të duhej të shfrytëzoheshin vetëm nga stafi akademik, në të shumtën e rasteve përdoren edhe nga studentët e fakulteteve përkatëse, por pas orës 16:00 edhe nga të gjithë qytetarët. Kjo ka ardhur si pasojë që Universiteti i Prishtinës nuk ka mundësi të paguajë edhe një punëtor sigurimi për ndërrimin e pasdites, ka bërë të ditur sekretari në Universitetin e Prishtinës, Esat Kelmendi.

“Në fakt nuk është e lejueshme as pas orës katër të parkohen veturat nëpër oborre të fakulteteve, por nuk po kemi mundësi ta paguajmë edhe një punëtor në vlerë prej 300 eurove për ndërrimin e pasdites që do të mund të bënte kontroll”, u shpreh Kelmendi. Sipas tij, realisht parkingu para fakultetit përkatës do të duhej të jetë i shfrytëzueshëm vetëm për profesorë, por nuk e mohon që ka raste kur edhe studentët parkojnë veturat e tyre pa pasur leje për shfrytëzim.

“Studentëve në rast të nevojave urgjente iu lejohet nganjëherë të hyjnë në parkingje me veturat e veta private por çdoherë duke treguar një mjet identifikimi që janë studentë qoftë edhe nëpërmjet index-it. Punëtori i sigurimit kontrollon sa ka vend për parking dhe në qoftë se nuk ka, ndalohen studentët për t’u lënë hapësirë profesorëve”, ka shtuar ai. Studentët e anketuar nga gazeta “Lajm”, bëjnë të ditur se sidomos te parkingu i Fakultetit të Filologjisë nuk ke as nga kalon prej veturave, sepse janë të parkuara kudo e nganjëherë në mes të oborrit. “Oborri i Fakultetit të Filologjisë çdoherë është tejet i mbushur nga veturat jo vetëm të profesorëve, por edhe të studentëve. E kanë bërë shok atë punëtorin e sigurimit si duket, dhe askush s’po i ndalon studentët”, ka njoftuar Kushtrim Lushi, student i Fakultetit të Filologjisë.

Një student tjetër tregoi për një rast kur një profesor nuk po mund të dilte nga parkingu për shkak të një veture që ishte parkuar pas tij, dhe që ia kishte zënë hapësirën. “Një profesor e pa që nuk po mund të dilte, mundohej të gjente personin që e kishte parkuar veturën, por mbeti një kohë të gjatë aty. Pas afërsisht gjysmë ore doli një student nga ligjëratat dhe, edhe pse mundohej që të kërkonte falje, profesori e njoftoi se ai nuk ka këtë të drejtë të parkimit”, ka njoftuar studenti. Ndërkaq Esat Kelmendi sekretar i UP-së, ka bërë të ditur se vetëm profesorët e kanë të drejtën legjitime për të parkuar veturat e tyre në oborret e fakulteteve duke marrë leje parkingu. “Kryesisht stafi që hyn brenda i kanë leje-parkingjet, të cilat nuk kanë afat të skadimit”, bëri të ditur Kelmendi.

Sipas informacioneve, askush përveç stafit akademik të UP-së, nuk ka të drejtë parkingu, madje edhe pas orës katër. Mirëpo, pasdite kur përfundon punën punëtori i sigurimit, oborret e fakulteteve shfrytëzohen edhe nga qytetarët, sepse siç u njoftuam nga zyrtarë të UP-së, universiteti nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të marrë edhe një punëtor tjetër sigurimi për ndërrimin e pasdites. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›