E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e Albanologjisë në Tiranë nderojnë Selman Rizën



Me nismën e Qendrës së Studimeve Albanologjike kanë filluar dje ditët e Albanologjisë me ceremoninë e dekorimit të Selman Rizës me titullin “Nderi i Kombit”, pas vdekjes nga Presidenti i vendit, Bamir Topi. Motivacioni i jepet Rizës në rastin e 100-vjetorit të lindjes, me motivacionin: "Shkencëtarit të shquar, që me veprën e tij krijoi një thesar të çmuar në fushën e gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, personalitetit të spikatur, me kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë". Me këtë rast, në Presidencën e Shqipërisë u zhvillua ceremonia solemne, ku Presidenti Topi i dorëzoi Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës familjarëve të Selman Rizës. Në emër të tyre përshëndeti Prof. Emin Riza, i biri i albanologut të shquar. Veprimtaritë e gjera në Kosovë, me ndihmesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e të Komunës së Gjakovë, të cilat krahas kujdesit për rivarrimin e eshtrave të Selman Rizës në vendlindje, ngritjes së bustit në qendër të Gjakovës dhe dekorimit me Medaljen e Artë të Lirisë prej Presidentit të Kosovës, zotit Fatmir Sejdiu, u shoqërua me botime të rëndësishme. Konferencat shkencore të mbajtura prej universiteteve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës, janë ndihmesa të prekshme për vlerësimin e veprës së Selman Rizës. Disa aktivitete të tjera do të mbahen me këtë rast edhe për emra të njohur e të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Aktivitetet për edicionin e parë të kësaj veprimtarie do të mbahen në ambientet e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe në "Hotel Tirana International". Dita e tretë i dedikohet hapjes së një ekspozite për "Thesaret e kulturës materiale shqiptare", sesioni shkencor "Vepra Postum" për "Nikollë Dakaj, vlerat e një autori të rizbuluar". Në këtë sesion shkencor referojnë Kolec Topalli, Agron Tufa, Primo Shllaku etj. Dita e tretë ka edhe dy aktivitete të tjera, siç janë disa kumtesa për "Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar" dhe një tryezë e rrumbullakët me temën "Strategjitë e zhvillimit të Arkeologjisë Shqiptare". Në kuadër të ditëve të Albanologjisë do të hapet edhe një ekspozitë e përkohshme me titull "Thesare të kulturës materiale shqiptare".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›