E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet e reja në statut



…Projekti i ri politik i PD-së si dhe rrethanat e reja të krijuara pas ndryshimit të modelit të zgjedhjeve politike në vend, për shkak të ndryshimeve në Kushtetutën dhe Kodin Elektoral të vendit, nxitën kryesinë për të ngritur komisionin për ndryshimet satutore dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme në të.

Nisur nga orientimet e Kryesisë së PD-së komisioni ka formuluar ndryshimet përkatëse të cilat u janë paraqitur të gjithë anëtarëve të kuvendit në dosjen e tyre.

Këto përmirësime konsistojnë:

Në amendimin e përcaktimit politik dhe qëllimeve të PD-së dhe që ka të bëjë me sanksionimin e arritjeve të programit politik në mandatin e saj të parë qeverisës si dhe përfshirjen në të të objektivave e sfidave të reja të programit të Shqipërisë evropiane;

Sanksionohet ndryshimi i bërë në prag të fushatës elektorale të 28 qershorit për simbolin e PD-së dhe përdorimin e tij në aktet shkresore e në veprimtaritë propagandistike;

Përshtatja e ndërtimit organizativ të partisë me organizimin e sistemit elektoral të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre vendore. Në këtë kuadër shkrihen nëndegët, grup-seksioni do të përbëjë nivelin e dytë të organizimit të partisë. Grup-seksioni ngrihet mbi bazën e njësive territoriale të pushtetit vendor, por mund të ndërtohen grup-seksione jashtë territorit të vendit, për anëtarët e PD-së në emigracion. Zgjerohen kompetencat politike e organizative të grup-seksionit dhe zgjedhja e drejtimit të tyre bëhet nga mbledhja e gjithë anëtarësisë;

Dega e PD-së do të përbëjë nivelin e tretë dhe unik në territorin e rretheve. Shtrirja e saj territoriale përputhet me ndarjen administrative të zgjedhjeve të përgjithshme duke përfshirë në territorin e saj një ose më shumë KZAZ si dhe të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të atyndodhura. Zgjedhja e organeve drejtuese të degës bëhet përmes kuvendit të degës, ku përfaqësohet me votë e gjithë anëtarësia e degës, me përfaqësim të barabartë.

Në çdo qark funksionon një komitet drejtues për qarkun. Kjo strukturë drejton veprimtarinë politike të PD-së në nivelin e rajoneve elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme, duke qenë kështu struktura më e lartë drejtuese dhe koordinuese në nivel vendor. Përfaqësimi në këtë strukturë bëhet përmes zgjedhjeve në kuvendet e degëve dhe në Kryesinë e PD-së.

Strukturat qendrore të PD-së zgjidhen përmes kuvendit kombëtar të partisë dhe vetëm prej organeve të nxjerra prej tij. Mënyra e përfaqësimit në parti ka si njësi bazë anëtarët e partisë dhe votën e tyre. Duke qenë forca më e madhe politike në vend dhe fuqia elektorale kryesore, në statut përfaqësimi merr në konsideratë edhe numrin e madh të simpatizantëve, votuesve dhe mbështetësve të saj, duke i përfaqësuar këto kategori në nivelin 50% përmes votës së anëtarëve të PD-së të mandatuar mbi këtë kriter. Ky kriter mandatimi ruhet në të gjitha nivelet e përfaqësimit të anëtarëve të PD-së.

Projektstatuti i paraqitur bazohet në eksperiencën 19-vjeçare të funksionimit të partisë si dhe në kriteret dhe standardet e Partive Popullore Evropiane, ku ne aderojmë.

*Pjesë nga fjala në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›