E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Italia i kërkuari për shfrytëzim prostitucioni



Është ekstraduar nga Italia një i kërkuar nga drejtësia shqiptare për shfrytëzim prostitucioni. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka deportuar nga Roma 33-vjeçarin Besnik (Astrit) Bungajaj (Leka), lindur në Pukë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.18, datë 10.01.2007 ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Besnik Bungajaj, për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 114-a-5 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas burimeve nga policia, 33-vjeçari në bashkëpunim me shtetasit Kujtim Buçpapaj dhe Sabit Kaja, kanë shfrytëzuar si prostitutë në Shqipëri dhe në Itali shtetasen E.D. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën në datën 17.09.2008, u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Tiranë, arrestohen dy persona, akuzohen për grabitjen e një farmacie

Policia e Tiranës vuri në pranga dy persona, të cilët akuzohen për grabitjen e një farmacie. Uniformat blu ndaluan 23-vjeçarin Fatjon Qosja dhe 43-vjeçarin Dalip Hodo, i dënuar më parë për vjedhje, të dy lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, dy të ndaluarit janë arrestuar në flagrancë në Babrru nga Patrulla e Përgjithshme, duke vjedhur me thyerje farmacinë në pronësi të një shtetasi. Ata dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash që ndodheshin në arkën e farmacisë. Policia shoqëroi në qelitë e paraburgimit dy të ndaluarit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›