Ditët e Fellinit sjellin I Bislacchi
Instituti Italian i Kulturës ka organizuar një program të gjerë për të kujtuar veprën e Federico Fellinit, nga momenti që në vitin 2010 festohet 50 vjetori i filmit La dolce vita, i njohur në të gjithë botën dhe i transformuar në simbol të jetës dhe kulturës italiane. Ditët e Fellinit zhvillohen në kuadrin e stinës së aktiviteteve italiane dhe sot në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të shfaqet baleti italian bashkëkohor "I Bislacchi", ideuar nga koreografja dhe regjisorja Monica Casadei, frymëzuar nga vepra të Fellinit. Interpretojnë balerinët Chiara Ameglio, Pieradolfo Ciulli, Vittorio Colella, Gloria Dorliguzzo, Sara Muccioli dhe Emanuele Serrecchia. Shfaqja pretendon të rindërtojnë mjedise tipike dhe personazhe nga universi viziv i regjisorit, duke krijuar koreografinë, mbështetur mbi bazën e muzikës së Nino Rotës. Në këtë javë të regjisorit të madh do të projektohet dhe dokumentari "Udhëtimi i gjatë" i Andreij Khrzanovskijt, shkruar dhe treguar nga Tonino Guerra. Roberto Porroni dhe "Ensemble Duomo" do të shfaqin më 6 maj, ora 19.00, në Teatrin e Operës dhe Baletit një koncert me muzikën e Nino Rotës nga filmat La Dolce Vita, Amarcord", "8 e ½", "Giulietta degli Spiriti", "La Strada", "Le notti di Cabiria" dhe "Prova d'orchestra". Dje në sallën Nënë Tereza në Pallatin e Kulturës u shfaq "La dolce vita" (1959) me Marcello Mastroianni dhe Anita Ekberg, sot do të jetë "Ginger e Fred" (1986) me Marcello Mastroianni dhe Giulietta Masina, nesër vjen "8 e ½" (1963) me Marcello Mastroianni, Claudia Cardinale dhe Anouk Aimee, për të vijuar me filmat "Fellini Satyricon" (1969) me Martin Potter, Hiram Keller, Max Born dhe "Il casanova di Federico Fellini" (1976) me Donald Sutherland e Tina Aumont. Aktivitet kulturore që nisën nga Ambasada italiane, kjo stinë u inaugurua nëpërmjet ambasadorit Saba DElia, me spektaklin italian të kërcimit akrobatik Cataclo, në Pallatin e Kongreseve. Stina e eventeve italiane, e cila do të vazhdojë deri në fund të qershorit, përmban, 25 koncerte dhe spektakle, 5 prezantime kinematografike, 10 ekspozita fotografie, 28 koferenca, 5 manifestime sportive, 7 iniciativa në sektorine e ekonomisë dhe tregtisë, 6 aktivitete ne fushën e arsimit dhe 5 konkurse me tematika të ndryshme.
Last Updated on E Hene, 03 Maj 2010 18:11