E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansambli i shtetit hedh vallen popullore në Shangai

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, tur koncertesh në Kinë


Një repertor i zgjedhur, me valle dhe këngë popullore nga të gjitha trevat shqiptare do të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë skenën kineze. Në vijim të tureve të koncerteve dhe bashkëpunimeve, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ka nisur një tur koncertor në Kinë. Për publikun do të prezantohet një program i pasur folklorik.

Programi i koncerteve 4-5 maj përmban valle Ditë feste në Tiranë muzika, Agim Krajka, koreografia Panajot Kanaçi, solistë Brikena Jaupaj e Gëzim Halili, Buzëqesh goca teksti e muzika Ramadan Zyberi, potpuri të Shqipërisë së Mesme dhe Lule të Bukura ka Tirana do të këndohen nga Iris Bega. Nuk do të mungojë dhe Kaba për klarinetë, solist Artan Shabani shoqëron Orkestrina, valle Gorarçe muzika Astrit Dalipi, koreografia Gëzim Kaceli dhe solist Genc Kastrati, valle Tropojane koreografia, Gëzim Kaceli, soliste Olta Ahmetaj shoqëron me lodër Leonard Cara, po ashtu pjesë e programit do të jetë dhe valle Kosovare, muzika Agim Krajka, koreografia Besim Zekthi dhe solistë Brikena Jaupaj e Gëzim Halili. Solisti i parë në AKKVP Genc Kastrati tregon se ky tur koncertor është në vijim të aktiviteteve të ansamblit. Sipas tij kudo që ata kanë shkuar janë mirëpritur nga publiku i huaj. Ka një program të larmishëm folklorik, i cili do të prezantohet në Shangai. Ne jemi ftuar dhe herë të tjera në shtete të ndryshme dhe kudo që ne kemi shkruar jemi mirëpritur nga publiku, i cili nuk mungonte në koncertet tona të ansamblit, pohon valltari Kastrati. Më tej ai tregon se Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila prej tyre ka veçoritë e saj në këngë, valle, rite, zakone, doke dhe kostume, të cilat edhe brenda një treve kanë origjinalitete dhe larmi të ndryshme. Ky folklor kaq i larmishëm dhe i mrekullueshëm, i shpërndarë në të gjithë territorin tonë, është aq i shumëllojshëm por edhe shumë i veçantë në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë, saqë ky fenomen ka habitur shumë studiues të etnomuzikologjisë, koreografë dhe kostumografë, pohon solisti i ansamblit. Sipas tij ishte ky thesar i çmuar i folklorit tonë që nxiti kompozitorët, koreografet, valltarët, instrumentistët, këngëtarët, kostumografët etj, për të krijuar dhe interpretuar këngë, valle, pjesë instrumentale aq të suksesshme që AKKVP i pati dhe i ka në repertorin e tij gjatë këtyre viteve të aktivitetit të tij artistik si brenda dhe jashtë shtetit, të cilat edhe sot ndezin skenën e koncerteve.


Aktiviteti artistik i Ansamblit
Është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohore, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh. Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shume zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitet të ndryshëm. Ansambli, prej dekadash, është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Ansambli është pjesëmarrës i dhjetëra Festivaleve Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, ku me repertorin dhe elementët interpretues, me virtuozitetin e valltarëve, vokalin e këngëtarëve dhe orkestrinën e tij, ka bërë që të jetë një nga Ansamblet më të kërkuara sot në botë.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›