Dorëshkrime bizantine, për herë të parë para publikut në AQSH
që mbulojnë një periudhë historike nga shek. VI deri në shek. XVIII, u ekspozuan edhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005. Është e para herë që në hapësirën shqiptare organizohet një ekspozitë e kësaj natyre dhe e përmasave të tilla me qëllim afrimin e publikut të gjerë tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit. Për të dhënë një pamje më të plotë të këtyre dorëshkrimeve, së bashku me materialet origjinale u paraqitën edhe 28 panele fotografike, qëllimi i të cilëve është të japin një informacion më të zgjeruar të brendisë së kodikëve. Në këto panele u prezantuan 54 kodikë, ku përfshihen edhe ata të ekspozuar në origjinal. Ekspozita u shoqërua me një katalog të eksponateve, me një udhëzues të ekspozitës dhe broshura informative. Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie është përgjegjësi e Prof.Asoc.Dr. Nevila Nika, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe e filologut/paleografit z. Agamemnon Celikas, përgjegjës i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë. Ekspozita u organizua nga Fondacioni Grek i Kulturës-Vatra e Tiranës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Qëllimi i kësaj ekspozite është njohja e studiuesve dhe e publikut të gjerë me një pjesë të pasurive dokumentare që ruhen në AQSh, konkretisht me traditën dhe historinë e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine. Ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri" do të jetë hapur deri më datën 4 qershor. Në kuadrin e saj do të organizohet edhe një konferencë shkencore, mbrëmje të muzikës bizantine si edhe shoqërim i grupeve të nxënësve, studentëve dhe vizitorëve nëpër ekspozitë.
Last Updated on E Hene, 03 Maj 2010 18:17