E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejla gjendet e vdekur

Pas shumë kërkimesh, autoritetet norvegjeze kanë gjetur trupin e pajetë të kosovares 17 vjeçare, Lejla Selaci. Ajo u vra në Utoya të Norvegjisë nga ekstremisti i djathtë Andreas Breivik. Nga Express më 30 korrik 2011 në ora 08:30


Shpresat e familjes Selaci u shuan përfundimisht. Pas një jave kërkimi, të premten autoritet norvegjeze e gjetën trupin e pajetë të kosovares 17 vjeçare, Lejla Selaci. Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), tha se lajmi kësaj ministrie i është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci. “E përveç ambasadorit, kemi marrë konfirmim edhe nga autoritetet norvegjeze dhe nga babai i vajzës, Bajrush Selaci”, tha ai për Express.
Lejla trajtohej e zhdukur qe nga java e kaluar, kur Andreas Breivik kreu sulmet më të tmerrshme qe ka përjetuar Norvegjia, pas Luftës së Dytë Botërore.

Breivik pasi kreu sulm me bombë në Oslo u nis drejt ishullit Utoya, duke ekzekutuar një nga një rreth 70 persona, në mesin e të cilëve e pësoi edhe kosovarja me nënshtetësi norvegjeze, Lejla Selaci.

Në momentin e hapjes së zjarrit nga 32-vjeçari Breivik, 17-vjeçarja me prejardhje nga Vushtrria ishte në një delegacion që po merrte pjesë në një konventë të rinjsh. Breivik ka pranuar se ka kryer masakrat me pasojë vdekjen e 76 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Selaci me vendbanim në Norvegji, pasi autoritet norvegjeze kanë gjetur trupin e pajetë të Lejlas, e cila gjendej në listën e të zhdukurve.

Në këtë telegram ministri Hoxhaj ka ngushëlluar familjen Selaci për vdekjen tragjike të Lejla Selacit.

“Që nga fillimi kemi qenë pjesë e lutjeve, që Lejla të gjendet e gjallë. Por, shpresat tona dhe tuaja u shuan pikërisht sot. Ne këto momente shumë të vështira, populli dhe Qeveria e Kosovës është pjesë e dhembjes dhe pikëllimit tuaj”, thuhet në telegram.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›