E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dith Pran: Udhëtimi nga fushat e vdekjes drejt lirisë

Mëngjesin e 12 prillit të vitit 1975, dita kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga Kamboxhia dhe evakuuan godinën e ambasadës, ndërsa konflikti civil kishte marrë për keq, një gazetar i "Neë York Times", Sydney Schanberg, mori një vendim profetik: vendosi të qëndronte në vendin që po përfshihej nga flakët.

Për tre vjet, si korrespondent i gazetës për Azinë Juglindore, Schanberg u "zhyt" shumë thellë në tragjedinë e vendit, që vuajti për vite të tëra tmerrin e Khmerëve të Kuq. E ndërkohë që punonte për gazetën, ai kultivoi edhe një pasion më personal dhe ky ishte lidhja që ai pati me përkthyesin dhe asistentin e tij vendas, Dith Pran. Gazetari nuk bënte asgjë pa ndihmën e çmuar të Dith, ndaj kur ambasada e SHBA-së dha lajmin që amerikanët dhe miqtë e tyre kamboxhianë duhej të largoheshin nga vendi që nuk ishte më i sigurt brenda pak orësh, gjëja e parë që bëri gazetari ishte dërgimi i një mesazhi për mikun e tij kamboxhian. Në të ai e ftonte që të përfitonin nga rasti e të fluturonin me helikopter në bazën më të afërt amerikane për të shpëtuar kokën, ose përndryshe kishin edhe një rrugë tjetër, atë të ndërprerjes së lidhjeve me zyrtarët amerikanë dhe ndjekjes së fatit në një vend që pritej të përfshihej nga trazira. Dith nuk shihte ndonjë rrezik të ngutshëm për ta lënë vendin në mënyrë urgjente, ndaj të dy miqtë vendosën që të mos largoheshin dhe të shihnin se si do të shkonte fundi i historisë. Askush nuk e imagjinonte se do të kishte qenë aq i gjatë dhe i përgjakshëm. Por, me sa duket, ata i kishin bërë llogaritë gabim. Sapo Khmerët e Kuq shtinë në dorë Phnom Pennin, kryeqytetin e Kamboxhias dhe ngritën qeverinë e tyre, përdorën të gjitha mjetet për të vënë vendin nën kontrollin e tyre. Të dy të mbeturit në vendin e "të kuqve" u ndjenë si në kurth, por pavarësisht kësaj nuk hoqën dorë nga gjërat që donin më shumë: pasioni për gazetarinë, miqësia, apo sensi i jashtëzakonshëm i ndershmërisë profesionale. Vështirësitë me të cilat u përballën ishin nga më të ndryshmet. Vetëm me vdekjen u përballën disa herë rresht.

5 ditë pa largimit të të huajve, Khmerët e Kuq hynë në qytet dhe nisën fushatën brutale e shtazarake të hakmarrjeve e propagandës ideologjike, që do të merrte më pas përmasat e njërës prej vrasjeve masive më çnjerëzore të historisë moderne të botës. Khmerët vranë, lanë të vdesin urie apo torturuan thuajse gjysmën e popullsisë 7 milionë banorëshe të Kamboxhias. Mëngjesin që Khmerët e Kuq mbërritën, Schanberg dhe miku i tij vendas, Dith, shoferi i tyre e dy gazetarë të tjerë perëndimorë të "Sunday Times", së bashku me një fotograf u kapën nga trupat që patrullonin rrugët. U nxorën nga makina e tyre dhe u futën në një makinë ushtarake. Në ato çaste të gjithëve u shkoi ndër mend mendimi i ekzekutimit. E ndërsa të huajt ishin futur me forcë në makinë, Dith qëndronte i vetëm jashtë, duke u munduar që t‘i binte ushtarakët që gazetarët nuk ishin të dëmshëm për pushtetin. Përshtypja e parë që Schanberg pati ishte se Dith po përpiqej që të shpëtonte veten, por në fakt ndodhi krejtësisht e kundërta. Dith po përpiqej, veç të tjerash, t‘u mbushte mendjen trupave që duhej të bashkohej edhe ai me grupin e gazetarëve dhe t‘i shoqëronte kudo që do t‘i çonin. Ai e dinte mirë se pa të, të gjithë do të përfundonin në litar, ndërsa me të do të kishin njëfarë shprese. Më në fund duket se Dith arriti që t‘i binte ta fusnin në makinë. Edhe aty brenda, ndërsa të gjithë po zhvendoseshin në periferi të kryeqytetit, Dith vazhdonte që të fliste dhe argumentonte me njerëzit për të pasur vëmendjen e tyre dhe për t‘i bindur në pafajësinë e më pas lirimin e gazetarëve. Vetëm pas 40 minutash rrugë situata duket se mori për mirë. Makina ndaloi buzë një lumi, ku zakonisht kryheshin ekzekutimet. Të gjithë zbritën dhe Dith vazhdonte të fliste pa pushim, derisa më në fund ushtarakët ulën armët dhe madje u ofruan të burgosurve të pinin diçka. Më pas Dith i rrëfeu mikut të tij amerikan: "Edhe nëse do të më kishin vrarë e ndieja që më parë duhej t‘u kisha thënë diçka ushtarakëve. Nuk mund t‘ju lija vetëm, sepse ne ishim bashkë dhe do të qëndronim bashkë deri në fund. Isha shumë i frikësuar, po, sepse fillimisht mendova se nuk do të kishim më shumë se 1 orë jetë, por thellë në zemër kisha parandjenjën, e më pas edhe shtysën, se duhet të provoja t‘i bindja. Duhet të flisja. Por jam i bindur, duke të njohur se edhe ti do të bëje për mua të njëjtën gjë". Pas suksesit të çdo korrespondenti të huaj në një vend në konflikt, i cili futet aty ku ndonjëherë mund të hyjë vetëm vdekja e ku zakonet, gjuha, njerëzit janë krejtësisht të ndryshëm nga ata në Perëndim, ndihma e asistentëve dhe përkthyesve vendas është thelbësore. Ata nuk veprojnë vetëm si përkthyes për intervista, apo kryejnë detyrat e një sekretari. Ata janë dritarja e korrespondentit të huaj në një kulturë të ndryshme, në një vend të ndryshëm. Janë ekspertët e një realiteti të caktuar, që e dinë shumë mirë se sa e kur e si duhet vepruar në një terren të rrezikshëm, në një vend të panjohur, se cila është mënyra për të bërë për vete njerëzit, për t‘u nxjerrë informacion, apo për të shpëtuar kokën në rast rreziku. Zakonisht ata janë njerëz të paguar mirë, sipas standardeve të vendit të tyre dhe pas mbarimit të detyrës rikthehen në jetën e tyre normale, të mëparshme. Por rasti i Dith Pran është disi i ndryshëm, jo vetëm për shkak të riskut personal që ndërmori gjatë gjithë kohës apo katastrofës personale që përjetoi më pas, por për shkak të ndershmërisë dhe besnikërisë deri në fund ndaj një njeriu që e kishte konsideruar mik dhe i kishte falur zemrën e besën, ndaj gazetarit Schanberg. Ky i fundit e rrëfeu historinë e mikut të tij Dith në revistën e gazetës "Neë York Times", kur ia doli që më në fund të linte Kamboxhian në vitin 1980. Ai shkrim i gjatë u bë edhe shkaku e baza për fillimin e famshëm "The Killing Fields" (Fushat e Vrasjeve), një nga personazhet kryesorë të të cilit ishte vetë Dith. Sot historia e këtij heroi njerëzor nga Kamboxhia është rishfaqur sërish, për shkak të vdekjes së tij të trishtë në moshën 65-vjeçare nga një kancer në pankreas. Ai ndërroi jetë në Nju Xhersi, 29 vjet pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në "tokën e premtuar" mbërriti më shumë i vdekur se sa i gjallë, i bërë një grusht nga uria, me dhëmbët e thyera, por me shpirtin ende të fortë e mrekullisht të paprekur. Historia e tij është historia e një mbijetese, e mbijetesës së shpirtit njerëzor, që pavarësisht kalvareve që mund të kalojë nuk mposhtet, por qëndron për të mbijetuar e për të rrëfyer mrekullinë e triumfit të së mirës ndaj së keqes, të shpirtërores, ndaj materiales, të dritës ndaj errësirës. Si kamboxhian, çmimi që Dith pagoi për kurajon e vet gazetaresk ishte shumë më i madh se ai i miqve të tij gazetarë perëndimorë. Menjëherë pas përvojës së parë me vdekjen në Phnom Penn, gazetarët u strehuan në një prej vendeve që ishin më pak të sigurta, ambasada franceze. Godina nuk ishte shumë e sigurt, por nuk kishte vend tjetër. Që kur Khmerët kishin hyrë në qytet, ata futeshin me dhunë kudo, nxirrnin përjashta njerëzit dhe i ekzekutonin pa mëdyshje. Zakonisht ndaj të huajve ishin më të ndrojtur, por deri në njëfarë mase. Njëri nga gazetarët kishte dy pasaporta të vetat dhe ata i kërkuan zyrtarëve francezë që ta zyrtarizonin Dithin si qytetar francez. Por në ambasadë iu përgjigjën se dokumenti nuk përputhej fare me pamjen e kamboxhianit dhe nëse Khmerët e Kuq do ta pikasnin falsifikimin do ta pësonin të gjithë. Tri ditë pasi ishin vendosur në ambasadë, Dith vendosi që të kthehej në shtëpinë e tij, një fshat në afërsi të tempujve të famshëm Angkor Ëat. Kështu, më 20 prill mori rrugën e kthimit me një "Toyota" të shkatërruar. Me vete kishte 2600 dollarë për të korruptuar ndonjë ushtarak rrugës, si dhe ushqimet e cigaret që ia dhanë gazetarët e huaj. Këta të fundit e lanë vendin një muaj më pas, ndërkohë që fati i Dith ishte krejt i ndryshëm. Ai vetë e kishte shumë të qartë se nuk do ta kishte të lehtë me namin që kishte si bashkëpunëtor i perëndimorëve. Khmerët e Kuq i kishin shpallur luftë çdo personi që vinte sadopak era intelektual. Fushata e tyre e vrasjeve drejtohej ndaj trurit dhe zemrës. Ndaj edhe Dith vendosi që të ndryshonte. Hoqi veshjet perëndimore, preu flokët dhe u hoq si një shofer taksie krejt modest. Nga një djalë simpatik me xhinse, Dith tashmë nuk dallohej nga vendasit me një këmishë të ndyrë, pantallona të shkurtra dhe sandale të prishura. Pas një rrugëtimi relativisht të gjatë vendosi që ta ndalonte makinën 20 kilometra larg fshatit të lindjes, një vend ku mendonte se nuk do ta njihte askush. Viti i parë i luftës i kishte rrënuar të mbjellat dhe të gjitha prodhimet bujqësore të zonës. Njerëzit ndodheshin në prag të vdekjes nga uria. E vetmja gjë që Dith mund të bënte ishte të shndërrohej në një skllav në fushat e orizit dhe gjithë puna e ditës t‘i jepte vetëm një tas me oriz. Në një rast ai ishte aq i uritur saqë vodhi natën një grusht oriz në një magazinë aty pranë. Ndërsa po kryente vjedhjen u kap dhe u rrah pa mëshirë para gjithë komunitetit për t‘u bërë shembull. Por, gjithsesi, ishte me fat që shpëtoi gjallë. Në vitin 1977 lëvizi në një tjetër fshat dhe duke qenë se shefi i fshatit e pati me sy të mirë që në fillim, u shndërrua në sekretarin e tij personal. Ky pozicion i dha disa përfitime. Ai mund të dëgjonte radion dhe të mësonte përmes lajmeve të "Zërit të Amerikës" se ushtria vietnameze po mobilizohej kundër Khmerëve të Kuq. Kur dëgjoi se vietnamezët kishin marrë Siem Reap shkoi në atë vend për të kërkuar familjen. I ati i kishte vdekur nga uria dhe 4 vëllezërit ia kishin vrarë, pas torturave të shumta të Khmerëve të Kuq. Në një pyll në afërsi të fshatit të tij ai pa me sy kufomat dhe mbetjet e mbi 5000 mijë bashkëfshatarëve të tij të varur nëpër pemë apo hedhur kanaleve. Këto ishin famëkeqet fushat e vdekjes. Më vonë, për pamjet që pa Dith do të shkruante në kujtimet e tij: "Bari rritej më i shpeshtë dhe më i gjelbër aty ku kishte më shumë kufoma". Kufiri tajlandez ishte rreth 35 kilometra më larg, por ai nuk guxonte që të shkonte aty nga frika se autoritetet tajlandeze do ta rikthenin sërish në Kamboxhia. Vetëm në vitin 1979 mori guximin për të kaluar kufirin në një udhëtim jashtëzakonisht të rrezikshëm, që u kthye në tmerr të vërtetë kur ai pa dy nga bashkudhëtarët e tij të hidheshin në erë, pasi kishin shkelur në minat e tokës. Edhe ai vetë pësoi disa dëmtime, por e vazhdoi rrugën. Në kufirin tajlandez priti plot 17 ditë rresht rastin që të kalonte hekurat me gjemba. Më në fund u ndihmua nga një punonjës ndihmash amerikan, që e nxori matanë. Dy ditë më vonë njoftoi mikun e tij gazetar dhe të dy bashkë u takuan me shumë dashuri. Në Shtetet e Bashkuara Dithin e priste e shoqja, së bashku me 4 fëmijët. Në Amerikë për të gjithë nisi një jetë e re. Ai u punësua si fotograf dhe lektor universitar në lidhje me temën e periudhës së Khmerëve të Kuq. Ndërsa la pas mijëra kufoma, jeta e Dith u shndërrua në një ekzistencë të begatë e të paqtë, megjithatë ai shpesh thoshte: "Nuk ka doktor që të ma shërojë shpirtin, por unë njoh një njeri më të sëmurë se unë dhe ai është vetë Pol Poti. Zoti pastë mëshirë për errësirën e shpirtit të tij".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›