E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzimet e shfrenuara të Rachida "Diorit"

Ende nuk dihet nëse është asi nën mëngë i Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, apo thembra e Akilit të qeverisë së tij, megjithatë ajo që dihet për ministren franceze bukuroshe është pasioni i saj për veshjet e shtrenjta, kryesisht të markës "Dior". Dikush thotë se dëshira e shfrenuar e ministres për një luk gjithmonë "firmato" bazohet te mungesat që ka pasur në fëmijëri, duke qenë se vjen nga një familje e varfër. Pyetjet, diskutimet, por edhe hetimet në lidhje me gruan bukuroshe që Sarkozi e vuri në postin e rëndësishëm të ministres së Drejtësisë së kabinetit të tij qeveritar nuk rreshtin kurrë. Sa për Presidentin, ai e shndërroi Rachida Datin ose Dior, siç e thërrasin tani, për shkak të preferencës së saj për këtë firmë veshjesh, në simbolin e politikës së tij të re, që nuk bazohej në racizëm, në politikën gjithëpërfshirëse. Me Rachidën sfida ishte dyfish e madhe. Së pari, ajo ishte femër dhe së dyti, bija e një familje emigrantësh. Kohë më parë as që mund të mendohej se një grua me një origjinë të tillë dhe për më tepër me ngjyrë, mund të ishte numri një i drejtësisë në një vend si Franca. Dhe për të gjitha këto arsye, por edhe për të tjera shumë më personale, ministrja është kthyer në një rast sulmi ndaj kabinetit qeveritar. Goditja e fundit e "Mediapart", gazeta e parë on-line e ish-drejtorit të "Le Monde", që fut hundët në çështjet personale të VIP-ave, në lidhje me Rachidën ka të bëjë, këtë herë, me mënyrën se si ajo shpenzon pafund kohë dhe para për veshjen e paraqitjen e jashtme. Ministres duket se i pëlqen shumë luksi dhe jeta luksoze, pasi preferon vetëm darka e dreka në vende të shtrenjta, fluturime në klasin e parë, e madje edhe bizhu vetëm firmato. Dikasteri i saj ishte i vetmi që në fund të vitit të kaluar kishte dalë me një deficit prej 227 mijë eurosh, ndërkohë që në muajt e parë të këtij viti ka "avulluar" edhe pjesa më e madhe e buxhetit të vitit. Sigurisht që mohimet ndaj fakteve të tilla kanë qenë të menjëhershme nga ana e ministrisë, e cila i ka justifikuar të gjitha shpenzimet me veprimtaritë dhe udhëtimet që janë kryer, si dhe me faktin që shpenzimet janë më të shumta gjatë pjesës së parë të vitit, në krahasim me ato të muajve në vazhdim. Megjithatë, e përkëdhelura e Presidentit është njëherazi edhe më e "gjuajtura" nga media franceze. Deri para vizitës së bashkëshortes së re të Presidentit, Carla, në Britani ajo zinte vendin e dytë, por tani që Carla ka fituar pikë, media e ka lënë paksa të qetë dhe i është vërsulur me bateri të plota ministres dhe stilit të saj ekstravagant e të shtrenjtë të jetesës. Disa muaj më parë ajo u sulmua për vendosmërinë që tregoi në reformimin e gjykatave. Akuzat ndaj saj ishin për mungesë profesionalizmi dhe kompetence. Karakteri i saj paksa nevrik dhe impulsiv shkaktoi një seri dorëheqjesh në sistemin e drejtësisë, por ky fenomen u vu re edhe te bashkëpunëtorët e saj të afërt. I ikuri i fundit ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm që ajo kishte. Ishte i biri i sekretarit të përgjithshëm të Pallatit Elize, një njeri shumë i mbështetur nga Presidenti. Dëmin më të madh të reputacionit të saj ia bëri një artikull i fundit i revistës "Paris Match", në të cilën ministrja përshkruhej sikur të ishte një modele e "Dior" dhe jo një titullare që ka në duar fatin e drejtësisë së Francës. Artikulli ishte aq i fortë sa shkaktoi kritika të shumta dhe shumëkush e gjykoi për keq, duke ia bërë edhe më të vështirë ambientin e punës. Edhe bëmat gjyqësore të vëllezërve të saj janë përgojuar dhe kanë pasur ndikimin e tyre negativ tek emri i ministres. Ndërsa e përflasin, të paktë janë ata që mund të duan të sjellin ndërmend fëmijërinë e palumtur dhe shumë të vështirë të gruas 42-vjeçare, përpjekjet e mundimshme për të punuar, studiuar dhe njëherazi për të mbajtur vëllezërit e vegjël me bukë, vullnetin dhe këmbënguljen e paepur për t‘u afirmuar, pavarësisht prejardhjes së saj algjeriane dhe statusit shoqëror. Të paktë janë edhe ata që përmendin faktin që ndër reformat e pakta të zbatuara deri tani nga qeveria "Sarkozi", ato në fushën e drejtësisë, pra të drejtuara prej ministres, janë ndër kryesoret. Por para se të nisnin përfoljet për shpenzimet e Rachidës, ajo përgojohej për ambicien e saj, që krahas pozicionit të ministres të kishte edhe atë të kryetares së bashkisë së njërës prej lagjeve më shik të kryeqytetit francez. Edhe vetë partiakët e Sarkozisë kishin frikë se një nga shkaqet e humbjes së tyre në zgjedhjet lokale do të ishte pikërisht ministrja e përfolur. Por, edhe këtë herë, siç bën zakonisht, Rachida nuk ka parapëlqyer të diskutojë, por të veprojë e të godasë drejt e në shenjë. Pas kandidimit ka mundur të fitojë dhe të marrë në dorë edhe një tjetër detyrë të rëndësishme. Vetë ministrja është shprehur se ata që e sulmojnë e kanë të kotë që kërkojnë e gërmojnë t‘i gjejnë në të shkuarën apo të tashmen pika të errëta, pasi ajo ka krijuar 600 vende të reja pune dhe ka një nga buxhetet ministrore më të larta të kabinetit dhe po kryen reforma si asnjë ministri tjetër. Për momentin, Rachida është e qetë, por e di se gazetarët dhe ziliqarët i ka nga pas hap pas hapi.

Rachida, një histori model

Familja dhe karriera

"Fytyra e një France që po ndryshon". Ky ishte titulli i një artikulli të gjatë, që një revistë franceze ia kushtonte vitin që shkoi ministres së Drejtësisë. Bija e një muratori maroken dhe e një shtëpiakeje analfabete algjeriane, Rachida, vjen e dyta ndër 12 fëmijët që sollën në jetë prindërit e saj. Për të financuar studimet dhe për të paguar ushqimin e vëllezërve nis të punojë që në moshën 14-vjeçare: shet produkte kozmetike shtëpi më shtëpi, bën ndihmësinfermieren, shitësen, apo kamerieren. Ndërkohë nis studimet për ekonomi dhe ligje. Në vitin 2002 bëhet këshilltare e Nikolas Sarkozisë dhe në vitin 2006 hyn në partinë e tij të djathtë. Sot është njëshi i drejtësisë franceze dhe gruaja e parë me origjinë arabe që ndodhet në krye të një dikasteri francez.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›