Divorci Mula-Çako, Anthony duhet të zgjedhë me kë do jetojë
TIRANË - Divorci mes çiftit të njohur Mula-Çako, ka hasur pikën më kritike, atë të kujdestarisë së fëmijës. Sot në gjykatë, avokatët mbrojtës kanë debatuar ashpër mes tyre, pasi secili mbron pozitat e klientit të tij.
Gjyqtarja ka vendosur që në seancën e ardhshme, në praninë e një psikologu, Anthony duhet të dëshmojë vetë në gjykatë se me cilin prind dëshiron të jetojë. Në këtë konsensus kanë rënë edhe mbrojtësit ligjorë pas dy orësh debat në gjykatën e Tiranës.
Mbrojtësi i Inva Mulës, Sokol Çomo ka pranuar që të caktohet një psikologe nga ana e gjykatës në mënyrë të tillë që të përcaktohen kushtet e nevojshme se kush nga të dy prindërit të jetë i përshtatshëm për kujdestarinë. Ndërkohë që mbrojtësja e Pirro Çakos, Holta Kodherja ra dakord që të përgatisë me shkrim detyrat që do t'i caktohen psikologes.
Në seancën e radhës gjykata ka planifikuar që të vendosë se kush nga psikologet do të vlerësojë kushtet ekonomike, familjare në mënyrë të tillë që një prej prindërve të fitojë kujdestarinë e djalit. Për këtë të fundit do të merret mendimi edhe i vetë Anthony, që pritet të jetë edhe kushti final për vendosur mbi kujdestarin e djalit 14 vjeçar.
Sopranoja e njohur Inva Mula, kërkoi 5 muaj më parë zgjidhje të martesës 15 vjeçare me kantautorin Pirro Çako. Kërkesë-padia kishte si motivacion mosmarrëveshjet në çift, që kishin bërë që Mula-Çako të jetonin të ndarë de facto prej vitesh, ndërsa de juro, pritet të finalizohet në Gjykatën e Tiranës.