Divorci me Pirron, kujdestaria e djalit i kalon Invës
TIRANE – Pas përfundimit të procedurave të divorcit mes sopranos së famshme Inva Mula dhe kantautorit Pirro çako, kujdestaria e djalit të tyre Antoni do t’i takojë sopranos Mula. “Verdikti” është pohuar nga vetë i mituri në seancën e djeshme gjyqësorë të divorcit të prindërve të tij në Gjykatën e Tiranës. I pyetur nga kryesuesja e çështjes, gjyqtarja Elona Gjoka, se me cilin nga prindërit do të jetonte pas divorcit, i mituri ka pohuar se do të qendronte me nënën e tij. Në seancën e djeshme gjyqësore, asnjëri nga dy anëtarët e çiftit çako-Mula nuk kanë qenë prezentë në seancë, ndërsa interesat e tyre janë përfaqësuar nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Caktimi i kujdestarisë së fëmijës kishte lënë prej disa muajsh “në vend numëro” zhvillimin e procesit gjyqësor të zgjidhjes së martesës mes tyre. Pas këtij vendimi, duket me e afërt dita kur Inva Mula dhe Pirro çako do të cilësohen ligjërisht “ish-bashkëshortë”.
SEANCA
Ashtu si ishte caktuar rreth dy muaj më parë, dje i mituri Antoni çako ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, për të shprehur vullnetin e tij në lidhje me cilin nga prindërit do të vijojë të jetojë pas divorcit. Në praninë e një psikologeje të miturit i është parashtruar çështja dhe i është kërkuar se duhet të bënte një “përzgjedhje”. Burime pranë seancës bënë sqaruan se “përzgjedhjen” e tij, i mituri e kishte argumentuar “vendimin” me shkollën të cilën po ndjek. “Unë i dua të dy prindërit e mi. Por meqënëse jam duke ndjekur shkollën në Francë dua të qëndroj me mamanë time Inva Mula”, mësohet të jetë shprehur i mituri përpara gjykatës. Sipas burimeve, seanca e djeshme ka përfunduar brenda pak minutash. Seanca e djeshme ishte e 15-ta në radhën e seancave të këtij gjykimi.
DIVORCI
Me argumentin se “largësia e kishte bërë martesën e tyre të pakuptimtë”, Inva Mula depozitoi në Gjykatën e Tiranës në prill të vitit 2009 një kërkesë për divorc nga bashkëshorti i saj Pirro çako. Në vijim procedurat e divorcit “rrodhën” deri në momentin kur duhet të përcaktohej kujdestaria e djalit të tyre. Në serancën e 10 shtatorit 2009, dy pjestarët e çiftit ranë dakord se do ta zgjidhnin vetë çështjen e kujdestarisë. Por, pasi nuk arritën në një “mendim të përbashkët”, caktimi i kujdestarisë iu la sërish “detyrë” gjykatës. Për shkak se i mituri ndodhej në Francë, ku ndjek edhe shkollën, në sancën e 17 marsit të këtij viti gjykata caktoi ditën e djeshme si seancë të radhës. ar.ba