Pas zhgënjimit në “Tirana Fashion Week” vendosa të shkëputem nga Joni Peçi
Valer Kolnikaj është një nga modelët e agjencisë së modës JPFG, organizuese e “Tirana Fashion Week” në Tiranë. është student mjekësie në vitin e fundit dhe ushtron pasionin e modës prej tre vitesh. Djali 24-vjeçar me origjinë nga Kopliku tregon pse vendosi të shkëputet nga Joni Peçi direkt pas javës së modës. Ai pohon se nuk është i vetmi model që ka dalë i zhgënjyer nga java e modës, dhe që kanë vendosur të presin oferta në mënyrë të pavarur:
Pas mbylljes së “Tirana Fashion Week” vendosni të shkëputeni nga Joni Peçi, cila është arsyeja?
Unë kam tre vite që punoj në agjencinë JPFG dhe kam pasur shumë oferta të mira për reklama, sfilata, foto të cilat gjithnjë i kam refuzuar për t’iu dedikuar punës së kësaj agjencie. Por kur vinte momenti i një aktiviteti të JPFG u jepej mundësia dhe modelëve tjerë që s’kishin lënë vend pa u dukur, dhe që ishin jashtë agjencie. Kështu që e shikoj më të arsyeshme të vetëmenaxhohem duke shqyrtuar ofertat e reja. Tani që kam një imazh si model edhe pagesat do jenë më të mira, pasi do jem unë që arsyetoj e vendos për veten.
Pse largoheni pikërisht në këtë moment, pak ditë pas mbylljes se TFW?
Kam qenë qysh në edicionin e parë të “Tirana Fashion Week”, ku ishte dita ime e parë në botën e modes. Vendosa të largohem sepse ishte eventi i shumëpritur nga modelët, por që u bë shumë i zakonshëm për ne, domethenë asgjë e veçantë nuk ndodhi këtë vit.
Sa të rëndësishëm e ndjetë veten në angazhimin e sivjetshëm në javën e modes?
Vetëm në natën e pestë kam sfiluar, ku u prezantua koleksioni i 2010-2011 i stilistit Joni Peçi, pasi nga të gjithë stilistët pjesëmarrës vetëm ai kishte koleksion për meshkuj.
Keni pasur ndonjë konflikt me Jonin, ia keni komunikuar atij këtë shkëputje?
Unë jam shumë korrekt dhe s’ia lejoj vetes të kem konflikte me dikë. Thjesht e shoh më të arsyeshme të vetëmenaxhohem në këtë pikë të karrierës që kam arritur.
Ka ekzistuar një kontratë pune, si ka funksionuar?
Nuk kam firmosur asnjëherë kontratë dhe nuk e kam parë asnjëherë të arsyeshme nevojën e një kontrate pasi s’më pëlqen të limitohem, dhe për fat nuk më është kërkuar të firmos.
Thatë që u jepej vend në sfilata modelëve që s’ishin pjesë e agjencisë. Mos ndoshta ky është largim i nxitur nga xhelozia?
Jo, xheloz s’kam arsye të jem, pasi s’më takon të ndërhyj në punën e tjerëve, por kur diçka s’më pëlqen e them, dhe kjo gjë s’më ka pëlqyer që modelëve jashtë agjensisë u jepeshin të njëjtat mundësi si atyre modeleve që nuk kishin pranuar asnjë ofertë nga tjerët, pra që kishin qëndruar korrektë.
I keni kërkuar shpjegime Jonit si drejtort i agjencisë?
Nuk i di arsyet dhe nuk dua t’i di, s’është puna ime ajo. Ai është drejtori i JPFG, ai është i lirshëm të veprojë siç do, ashtu si dhe unë si model vendos si dua.
Por ju keni qenë miku më i ngushtë i tij, si do vazhdojë kjo miqësi tani e tutje?
Ndonjë mik i ngushtë s’di të kem qenë ndonjëherë, por një person me të cilin kam bashkëpunuar me korrektësi dhe respekt reciprok. Them se do të vazhdojë kështu.
Ju jeni i larguari i vetëm apo dhe modelë kanë vendosur të largohen.
Jo, janë disa mes të cilëve dhe modeli shumë i mirë i kësaj agjencie Marsel Preçaj.
Ku do angazhoheni tani e tutje, keni marrë oferta konkrete nga agjenci të tjera?
Po, ofertat më janë bërë nga disa organizatorë të sfilatave apo reklamave këtu në Shqipëri dhe një ofertë në Kosovë, që shumë shpejt do më lançojë edhe në Prishtinë.