Kaos për zgjedhje në Tajlandë, Qeveria: Represioni do vazhdojë
Tetë civilë kanë humbur jetën dje në Bangkok duke e çuar numrin e viktimave të kundërshtarëve të Qeverisë në 24 vetë. Mendohet se numri i të plagosurve mund të ketë shkuar në rreth 200. Dje u shënua dita e tretë e protestave të dhunshme mes ushtrisë tajlandeze dhe manifestuesve “këmishëkuq”, ndërsa prej shumë javësh zhvilloheshin protesta paqësore masive. Qendra mjekësore spitalore ka njoftuar se viktimat janë të gjithë civilë dhe mes tyre nuk ka shtetas të huaj. Manifestuesit janë mbështetës të ish-kryeministrit Thaksin Shinauatra, i cili u rrëzua nga një grusht shteti në vitin 2006, dhe prej dy muajsh kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Ushtria u kishte vënë ultimatum manifestuesve se, “nëse nuk shpërndahen, do të nisë aksionin kundër tyre për të liruar zonën e bllokuar që nga fillimi i prillit. Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar një pjesë të personelit të ambasadës së tyre në Bangkok, e cila aktualisht qëndron e mbyllur. Reagimi i kryeministrit tajlandez, Abhisit Vejajiva, ka qenë shumë i ashpër. Ai tha se represioni i protestës së këmishave të kuqe nuk do të ndalet edhe pse bilanci i viktimave deri tani është i rëndë. Në zonën e bllokuar nga protestuesit, ku sipas Qeverisë janë vetëm 6 mijë persona nga 30 mijë që ishin vendosur ditët e para, nuk mund të hyjë asnjë ushqim pasi që dje ushtria ka bllokuar të gjitha rrugët hyrëse. E gjithë zona është përkufizuar “no entry zone”, (zonë ku ndalohet hyrja). Deri tani katër reporterë janë plagosur në këtë zonë. Unioni i gazetarëve u ka dhënë urdhër reporterëve të largohen menjëherë nga zona e luftimeve. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka bërë një apel për të kërkuar fundin e dhunës në Tajlandë.
Kryeministri: Stabiliteti në rrezik
Sipas kryeministrit tajlandez, një pjesë e vogël e këmishave të kuqe kundër dialogut po e vënë në rrezik stabilitetin e vendit. “Ne nuk do të tërhiqemi”, shtoi ai. Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë për negociata me këmishëkuqtë, ku mijëra prej tyre janë vendosur në një kamp duke vendosur si barrikada trungje bambush, blloqe betoni, etj.