Kozeta Kurti surprizon rokerët e viteve 90-të, boton një libër
klotilda harka
Me flokë të gjata, të shpërfillur deri në rebelizëm ata kishin sjellë erën e re të ndryshimit në muzikën shqiptare të viteve ’90-të. Ndaj gazetarja dhe prezantuesja e programeve radiofonike dhe televizive Kozeta Kurti, e apasionuar pas muzikës rock që në adoleshencën e saj, ka vendosur t’ua kujtojë gjithçka që ata e përshfaqën të parët në skenë, ndërsa një sistem përmbysej dhe një tjetër ngrihej. Bëhet fjalë për këngëtarët dhe grupet e muzikës rock që 20 vite më parë bënë zhurmë në skenën shqiptare, dhe u mbajtën mend si brezi model për të rinjtë sot. Fotot që ka mbledhur nga arkivat dhe studiot e tyre personale i ka botuar në librin “Era e ndryshimit”, një antologji e historisë së grupeve të lëvizjes muzikore moderne të viteve ’90-të. Kujtimet e tyre me njëri- tjetrin, mbresat e saj me ta në rrugëtimin 12 vjeçar si gazetare i sjell në këtë libër nostalgjik, suprizë edhe për vetë rokerët e parë shqiptarë
Shumë prej rokerëve të viteve ‘90-të janë me emër sot, të tjerë u shuan si meteorë. Pse vendosët të shkruanit këtë libër me titull “Era e ndryshimit”, çfarë ju frymëzoi?
Ishte ëndrra ime e vjetër e gjimnazit, pasi e orientuar nga muzika rock e dija që do ta bëja një ditë sapo të kisha një lloj stabilieti dhe besueshmerie në publik. Pikërisht për këtë arsye librin do ta prezantoj nesër në Tiranë me një reportazh të shkurtër të xhiruar në Durrës, vendin ku jo vetëm ka lindur ideja për këtë libër, por duke qenë se kishte flotën më të madhe para viteve ’90-të, muzika dhe liria kanë folur pak më shumë “durrsakce”. Pas ‘90-ës filloi të fliste “tironsce”. Shumë grupe si Arb dhe Redon Makashi, Albatros dhe Gjergj Jorgaqi, e të tjerë i sjell si një histori të atyre viteve. Për çdo grup ka një tekst nga këndvështrimi im, një hyrje të shkruar nga Delina Fico dhe opinione të artistëve protagonistë të atyre viteve si; Rudina Magjistari, drejtuesja e parë e natës së grupeve në festival, Neritan Liçaj, Petri Bozo apo Kozeta Bakiu.
Sa këngëtarë dhe grupe janë përmendur në libër, dhe cila ka qenë njohja juaj personale me ta?
Janë përmendur shumë që nga “Akullthyesit” e deri tek “Zemrat e çdo moshe”, që edhe pse janë grupi i parë unë i kam lënë në fund sepse kam zgjedhur me marrëveshje rendin alfabetik, që të mos kishte pakënaqësi. Personalisht i kam njohur shumë prej tyre në vitet ’94-’95 në koncerte të ndryshme si fillim, e pastaj në programe televizive në marrëdhëniet personale të krijuara gjatë punës si gazetare. E vërteta është që kam miq midis tyre dhe më kanë ndihmuar.
Dihet që shumë grupe tashmë janë shpërbërë apo kanë lënë Shqipërinë. Do t’i kesh në promovimin e librit?
Thuajse të gjithë do mund t’i kem, përjashto artistët që jetojnë jashtë si; Ton Deda. Po do të jetë Redon Makashi, Sandër Gjoka, Bledar Sejko, Gjergj Jorgaqi, Elinara Shehu, këngëtarët e grupit “Ritfolk”, “Mister”, etj. Gjithashtu në këtë mbrëmje për ta do të jenë grupet e reja që do të performojnë këngët e “të vjetërve”, do të jenë instrumentistë të atyre viteve një pjesë e të cilëve vazhdojnë të ushtrojne aktivitetin edhe sot siç janë djemtë e programit “Top Show”.
Ky libër është dhe një dhuratë që i bëni eksperiencës suaj disavjeçare në gazetari, apo jo?
Në fakt po. Në korrik bëhen 12 vjet që unë punoj në media dhe për këtë arsye në promovim do të ketë shumë kolegë të televizioneve dhe mediave ku unë kam punuar apo ku punojnë tashmë kolegët e mi si nga: “Top Channel”, “Vizion Plus” “Ora News”, apo “Klan”. Unë doja të lija një dokument të shkruar, pasi në kaq vite kam bërë “Top show-t” më muzikë, program me karaoke, etj. Si për të dhënë idenë se njeriu duhet të këndojë që të ndihet mirë kam kënduar vetë e para emrat e njohur ndaj doja t’u bëja këtë dhuratë. E ndjeva si borxh ndaj këngëtarëve por edhe ndaj një brezi të ri që nuk e di se nga vjen muzika dhe lëvizja e re në përmbysjen e sistemit politik.