E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, plagos dhe terrorizon familjen e ish-gruas

PËRMET - Në shenjë hakmarrjeje ndaj divorcit, terrorizon familjen e ish- bashkëshortes dhe plagos dy persona. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gurë Këlcyrë të rrethit të Përmetit. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se shtetasi Hektor Jonuzi, 26 vjeç, në gjendje të dehur ka goditur me thikë dy bashkëfshatarët e tij, shtetasin A.Ç, 21 vjeç, dhe shtetasin Sokol Rustemi, 25 vjeç. Pasi ka plagosur dy të rinjtë, Jonuzi ka qëlluar me breshëri automatiku në ajër, duke terrorizuar gjithë fshatin dhe kanë qenë banorët të cilët kanë lajmëruar policinë. "Në momentin e mbërritjes së policisë, shtetasi Hektor Jonuzi ka fshehur armën e zjarrit në afërsi të banesës, duke e mbuluar me gurë tek një ndërtesë që ishte në ndërtim dhe është fshehur në afërsi të banesës", thuhet në komunikatën e policisë.

Pas evakuimit të banorëve përreth për shkaqe sigurie dhe kontrollit të imtësishëm të zonës përreth banesës, policia bëri të mundur kapjen dhe arrestimin e tij, i cili nuk ka bërë rezistencë karshi policisë.

Dy të plagosurit janë transportuar për në spital dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, mjekët deklarojnë se janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas dëshmive të marra nga banorët dhe familjarët mësohet se 26- vjeçari ka qenë i martuar dhe para gjashtë muajsh është divorcuar dhe në gjendje të dehur është nisur për tek shtëpia e ish- bashkëshortes për ta marrë përsëri, ku në afërsi të banesës është ndeshur me djalin e xhaxhait të ish bashkëshortes, shtetasin A.Ç dhe shokun e vet S.K, ku më pas është përleshur me ta, duke i plagosur lehtë.

"Plagosje e lehtë", "Armëmbajtje pa leje" dhe "Prishje të rendit publik" janë akuzat që rëndojnë mbi shtetasin Hektor Jonuzi.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›