E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorci, rreh gruan dhe vjehrrën se nuk e lejuan të takonte vajzën

• TIRANE - Punonjësi i sigurisë së ambasadës amerikane në Tiranë rreh ish-gruan dhe vjehrrën, pasi nuk e lanë të takonte vajzën.Policia arrestoi autorin e sulmit ndaj dy grave, ndërsa ato kanë përfunduar në spital pas dëmtimeve që pësuan në kokë si pasojë e dhunës. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur Përparim Vrapi, 33 vjeç banues në Tiranë, ka shkuar në banesën e vjehrrës së tij Violeta Paço, ku jeton aktualisht bashkëshortja ligjore e tij, Elona Paço. Palët sipas burimeve të policisë, aktualisht janë në proces gjyqësor divorci në Gjykatën e Tiranës, që prej më tepër se 6 muajsh, kur Elona vendosi të ndahej nga i shoqi. Burime të policisë së komisariatit nr.2, thanë se Përparim Vrapi ka mbërritur në banesën e familjes Paço dje rreth orës 13:00 dhe ka kërkuar të takonte vajzën. Një veprim të tillë, mësohet se Vrapi e ka kryer edhe më parë duke takuar vajzën në mënyrë periodike. Mirëpo dje, nënë e bijë nuk kanë pranuar ta lejojnë Përparim Vrapin të takonte vajzën. Një veprim i tillë nga dy gratë e dëmtuara, sipas policisë është kryer pavarësisht se gjykata ende nuk ka vendosur përfundimisht për divorcin mes bashkëshortëve ndërsa procesi ende vazhdon. Pas refuzimit të përsëritur të gruas dhe vjehrrës, Vrapi, efektiv i sektorit të sigurisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka goditur bashkëshorten e tij Elona Paço si dhe vjehrrën Violeta Paço. Të dy ato kanë mbetur të dëmtuara në kokë dhe në trup për shkak të goditjeve të marra prej të akuzuarit. Sherri është zhvilluar në banesën e familjes Paço, ndërsa policia është njoftuar për situatën dhe ka shkuar në vendin e ngjarjes. Punonjësit e komisariatit nr.2 kanë ndaluar 33-vjeçarin, Përparim Vrapi. Ai është shoqëruar në komisariat, ku edhe është izoluar deri sa të kryhen veprimet procedurale. Gratë e dëmtuara janë çuar për ndihmë mjekësore në spital dhe pas më tepër se një orë qëndrim atje ato janë rikthyer në banesë. Sipas mjekëve, ato kishin marrë plagë të lehta në kokë, nga goditje me sende të forta dhe përplasjet. Përparim Vrapi, 33 vjeç është ndaluar nga policia me akuzën e kryerjes së veprimeve të dhunshme dhe të plagosjes së lehtë të dy personave për motive të dobëta.           d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›