Vrasja e dyfishtë, pas sherrit për delet
• Një zënkë e rëndomtë mes komshinjve është bërë shkak për vrasjen e dy personave në fshatin Trush të Shkodrës.RIDVAN DIBRA/ SHKODERMbrëmjen e të premtes Nikollë Marlocaj mbeti i vdekur, pasi u qëllua me armë zjarri nga fqinji i tij Lazër Rrethi. Të afërmit e viktimës vendosën të hakmerren menjëherë pas vrasjes së Nikollë Marlocajt, duke ekzekutuar me armë Luçe Rrethin, gruan e autorit të krimit, Lazër Rrethi. Shkaku i vrasjeve ka qenë një konflikt i ndodhur mëngjesin e së premtes, kur delet e Nikollë Marlocajt kishin hyrë brenda rrethimit të shtëpisë së fqinjit të tij, Lazër Rrethi. Vajza e këtij të fundit ka dalë për të trembur bagëtinë e komshiut kur aty ka mbërritur Nikollë Marlocaj, i cili në debat e sipër me vajzën e fqinjit e ka qëlluar atë. Vajza ka shkuar menjëherë në banesë dhe u ka treguar prindërve se komshiu e kishte qëlluar. Babai dhe nëna e vajzës kanë vendosur të sqarojnë ngjarjen. Ata kanë dalë nga shtëpia e tyre dhe kanë mbërritur në oborrin e banesës së Nikollë Marlocajt. Aty ka filluar një debat, që është pasuar me konfrontim mes palëve. Lazër Rrethi ka qenë bashkë me gruan e tij kur ka qëlluar me armë zjarri Nikollë Marlocajn. Ky i fundit ka mbetur i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa autori i vrasjes Lazër Rrethi bashkë me gruan janë drejtuar për në banesë. Të afërmit e viktimës kanë vendosur të hakmerren aty për aty. Vëllai i Nikollës, Gjergj Marlocaj bashkë me djalin e tij Ardianin kanë dalë nga shtëpia dhe kanë parë fqinjët e viktimës që po hynin në banesë. Ata akuzohen se kanë qëlluar me armë Luçe Rrethin, bashkëshorten e Lazër Rrethit, i cili pak minuta më parë kishte vrarë komshiun, Nikollë Marlocaj. Tre në prangaPolicia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe që mbrëmjen e së premtes arrestoi Lazër Rrethin, me akuzën e vrasjes së Nikollë Marlocajt. Ai kishte hyrë në banesë dhe ishte mbyllur aty menjëherë sapo kishte vrarë komshiun e tij. Pasi policia hyri në banesë dhe i vendosi prangat Lazër Rrethit, u vu në ndjekje të autorëve të vrasjes së gruas së tij, Luçe Rrethit. Njëri prej tyre, Gjergj Marlocaj ra në pranga gjatë natës së premte, ndërsa i dyshuari i dytë për krimin, Ardian Marlocaj është arrestuar dje në mëngjes nga policia e Shkodrës. Kjo e fundit zbuloi se Gjergj Marlocaj dhe djali i tij Ardiani ishin fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Trush, pasi kishin vrarë për hakmarrje Luçe Rrethin. Gjatë arrestimit policia deklaroi se, ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale armët, me të cilat janë kryer vrasjet: 2 automatikë “Kallashnikov”, dy pistoleta dhe 4 granata. Gjatë aksionit policia e Shkodrës shoqëroi rreth 30 persona, të cilët u pyetën në cilësinë e personave me dijeni për ngjarjen, duke treguar se konflikti mes palëve kishte filluar për bagëtinë. Gjithsesi në njoftimin zyrtar të policisë së Shkodrës, thuhet se shkak i sherrit mes palëve kanë qenë motivet e dobëta.Frika e hakmarrjes, dy furgona policie “blindojnë” fshatin TrushSHKODER – Fshati Trush në Shkodër gjendet nën kontrollin e forcave të policisë që prej mbrëmjes së të premtes kur mes dy familjeve ndodhën vrasjet njëra pas tjetrës. Nga frika e hakmarrjes mes palëve, policia ka vendosur shërbimet e saj në fshat për shkak se banesat e palëve në konflikt ndodhen pranë njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë ditën e djeshme gjatë gjithë kohës, dy furgona me efektiva policie janë vendosur mes banesave të dy familjeve Rrethi dhe Marlocaj me qëllim që të parandalojnë ndonjë hakmarrje tjetër të mundshme mes palëve. Ndërkaq grupi hetimor i çështjes nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit ka marrë në pyetje më shumë se 30 dëshmitarë. Ata janë banorë të zonës dhe kanë dhënë sqarime për mënyrën si kanë ndodhur ngjarjet, mes dy familjeve në fshatin Trush të Shkodrës. Burimet e policisë thonë se, edhe pse kanë arrestuar tre autorët e vrasjeve të ndodhura në fshat, organet e rendit do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonë me qëllim shmangien e ndonjë konfrontimi tjetër mes palëve. Disa persona janë mbajtur të ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë, me qëllim shmangien e mundshme të ndonjë përplasjeje mes tyre, pasi i përkasin familjeve që ndodhen në hasmëri.Vrasja IMbrëmjen e së premtes Lazër Rrethi ka qenë bashkë me gruan e tij, kur ka vrarë fqinjin, Nikollë Marlocaj. Shkak i konfliktit mes palëve që çoi deri në vrasje ka qenë fakti se viktima kishte qëlluar vajzën e Lazër Rrethit. Vajza kishte trembur delet e Nikollë Marlocajt, ndërsa ky i fundit e qëlloi atë. E dëmtuara lajmëroi prindërit, të cilët më pas vranë komshiun. Vrasja IIVetëm pak çaste pasi Nikollë Marlocaj ishte rrëzuar pa jetë në oborrin e shtëpisë, të afërmit e viktimës Gjergj Marlocaj bashkë me djalin e tij Ardian Marlocaj hakmerren. Ata vrasin Luçe Rrethin. Gruaja e Lazër Rrethit nuk kishte mundur ende të hynte në banesë, kur u qëllua me armë zjarri. Bashkëshorti i saj që kishte vrarë komshiun hyri dhe u mbyll në shtëpi para gruas. ProvatArmët e krimitPolicia e Shkodrës, e cila ka ndërmarrë një aksion në fshatin Trush pas vrasjeve mes komshinjve ka sekuestruar dje katër armë dhe dy granata. Armët janë përdorur nga palët në konflikt dhe janë gjetur gjatë kontrolleve të banesave që janë bërë nga efektivat blu. Bashkë me granatat, dy automatikët “Kallashnikov” dhe dy pistoletat janë dorëzuar në Prokurori në cilësinë e provave për fajësinë e tre personave të arrestuar.