“Dixhitalizimi i gjykatave, hap cilësor për vendosjen e transparencës”

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në përurimin e Ministrisë së Drejtësisë, portalit i sistemit gjyqësor shqiptar
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në përurimin e portalit të sistemit gjyqësor shqiptar. Të pranishëm në këtë ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, ishin ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, përfaqësues të EURALIUS dhe delegacionit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, gjykatës të vendit etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i sistemit të dixhitalizimit të gjykatave shënon një hap të jashtëzakonshëm, cilësor në drejtim të vendosjes së transparencës, në të gjithë veprimtarinë e trupave tona gjykuese në mbarë vendin. Kryeministri përgëzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe ekipet që realizuan këtë sistem, i cili pas shtrirjes së internetit në mbarë shkollat e vendit dhe dixhitalizimin e gjendjeve civile, përbën investimin e tretë më të madh në vend, në projektin e Shqipërisë dixhitale.
Kryeministri Berisha tha se, “ky sistem, ka një rëndësi të madhe së pari për shoqërinë shqiptare, sepse nënkupton qytetari në gjykata. Publikimi në gjykatë, nënkupton realizmin e së drejtës së çdo qytetari për tu njohur në çdo qelizë së veprimtarisë suaj. Në këtë kuptim është një hap i madh i këtij pushteti themelor, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pra është një hap i madh drejt qytetarit”.
Kryeministri theksoi se ky portal është një arritje e madhe për vendin tonë sepse lëshon rrezet e diellit në çdo labirint të veprimtarisë së gjykatësve dhe shprehu sigurinë se përbën gjithashtu një ndihmë të jashtëzakonshme dhe për anëtarët e trupave gjykuese të vendit pasi përbën një mekanizëm i cili do ti ndihmojë ata për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë, por do të bëjë që publiku shqiptar të vlerësojë gjithnjë e më shumë punën, seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre në zbatim të ligjeve të vendit. Kryeministri theksoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ketë në këtë sistem, një sistem ndihme shumë të madhe për të vlerësuar në procesin e promovimit mbi bazën e meritës, secilin gjykatëse apo gjykatës të vendit.
Ndërsa Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në fjalën e tij deklaroi se nga sot, prozhektorët e publikut i kemi drejtuar te gjykatat.
“Sot, nëpërmjet ndërtimit të portalit të gjykatave, ne sigurojmë transparencën në çdo qelizë të sistemit gjyqësor të bindur se sistemi dixhital dhe transparenca janë masat më të rëndësishme në betejën për reformimin e sistemit gjyqësor”, tha ministri Halimi.
Duke shprehur rëndësinë e transparencës në sistemin e drejtësisë, ministri Halimi tha se, “transparenca nuk eliminon tërësisht padrejtësinë, por jemi të bindur se ajo rrit përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe aktorëve të sistemit të drejtësisë si dhe ul korrupsionin”.
Portali gjyqësor i internetit, i përuruar dje në ministrinë e Drejtësisë, është një projekt i mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë dhe synon rritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë. Ky portal, pjese e reformës së ndërmarrë për dixhitalizimin e sistemit te drejtësisë, është një sistem elektronik, që përmban të dhëna të hollësishme për veprimtarinë gjyqësore, pasi siguron informacion të plotë mbi çdo çështje gjyqësore.
“Ne jemi te bindur se nëpërmjet kësaj porte te re moderne për informimin e publikut, qytetaret do te shohin ne drejtën e diellit se çfarë ndodh ne gjykate dhe se marrëdhënia publik-gjyqësor nuk do te jete me një martese ne krize, por do ndihmoje seriozisht ne forcimin e besimit te publikut tek drejtësia. Epokën e letrave po e zëvendësojmë me epokën e re dixhitale”, u shpreh Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.
Portal i përuruar dje, si pjesë e projektit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, synon, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë moderne, përmirësimin e shërbimit administrativ dhe procedural në Gjykata, në kuadër të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve.
Portali on-line i gjykatave shqiptare, është i përbërë nga 32 web-site. Gjykata e Lartë, çdo gjykatë Apeli, çdo gjykatë e shkallës së parë, ka web-site e saj në këtë portal, në të cilin gjendet informacion i personalizuar për atë Gjykatë.
Sistemi aktual i menaxhimit të çështjeve transformohet nga një sistem i decentralizuar të dhënash për secilën gjykatë, në një sistem të përqendruar. Ky sistem garanton gjurmimin e çështjes nga momenti i paraqitjes në gjykatë, deri në përfundimin në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshi ekzekutimin.
Portali krijon një arkiv të plotë dixhitale për të gjithë praktikën gjyqësore në Shqipëri, duke përfshirë edhe të dhënat e sistemit audio recording.
Me veprime shumë të thjeshta, mund të përdoret lehtësisht nga çdo qytetar apo person i interesuar. Qytetarët mund të marrin on-line 24 orë në 24 informacion të detajuar për çështjet në gjykim, nga momenti i paraqitjes së padisë, hedhjes së shortit, kalendarin dhe vendin e seancave gjyqësore dhe të gjithë indikatorët e performancës së administratës gjyqësore. Me sistemin e gjurmimit, publiku është në gjendje tani për të parë veten si pjesë e përfshirë, me komunikim në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë me sistemin gjyqësor.