Intervista/Nishani: Prioritet i presidencës sime mbetet drejtësia – publiku kërkon një rendiment tjetër tek prokuroria

Presidenti Bujar Nishani siguron se do të jetë respektues i Kushtetutës, në funksion edhe të interesave të mëdha vendit dhe shpall se promovimi i gjyqtarëve do të kryhet sipas integritetit profesional. Ai thotë se publiku kërkon një performancë tjetër nga institucioni i prokurorisë, ndërkohë që kujton se do të presë vendimet e kryeministrit, sa i përket rotacionit në SHISH
Çfarë do të bëni ndryshe nga presidenti paraardhës Bamir Topi, punën e të cilit mazhoranca ku keni bërë pjesë e ka kritikuar gjatë vitit të fundit të mandatit të tij?
Nuk e kam parë dhe nuk do ta shohë punën time si një punë krahasuese me paraardhësit e mi. Së pari, e konsideroj angazhimin e gjithë secilit si profil të gjykimit e të konsiderimit të përgjegjshmërisë dhe angazhimit në këndvështrimin individual. Së dyti, kjo nuk është detyrë kushtetuese e presidentit. Presidenti nuk ka fuqi ekzekutive, por ka një profil të qartë të reflektuar në Kushtetutë dhe akte të tjera, për një kontribut të qenësishëm në atë që është sfida kryesore, sistemi i drejtësisë. Presidenti është kreu i KLD-së dhe bashkë me anëtarët e tij ka mundësinë për të treguar me vepra se gjyqtarët në sistemin e Shkallës së Parë dhe të Apelit duhet të promovohen vetëm në bazë të performancës dhe integritetit profesional. Ne do përpiqemi të kemi një renditje të gjyqtarëve sipas niveleve, për të parë se cilët duhet të promovohen në sistemin tonë. Të gjithë gjyqtarët, nëse do ta ndjejnë veten të mbrojtur, të pavarur dhe do ndjejnë integritetin të ruajtur nga vetë sistemi dhe institucionet, atëherë besoj se këto elemente të këtij mekanizmi do jenë shumë të rëndësishëm për të tejkaluar problemin në këtë sistem.
A do kemi kryeprokuror të ri në vjeshtë? Si e gjykoni punën e kryeprokurores aktuale Ina Rama?
Sa i takon institucionit të prokurorisë, mendoj dhe e shoh atë si një institucion që duhet të ketë më shumë angazhim, kurajë e profesionalizëm në përballje me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimin ekonomik. Nuk mund të hidhet poshtë puna e prokurorëve. Siç kam një panoramë të qartë mbi punën e mjaft gjyqtarëve me integritet, ashtu jam i bindur për ekzistencën e një numri prokurorësh që veprojnë me profesionalizëm. Edhe në këtë aspekt puna e tyre duhet vlerësuar e promovuar, por kërkesa ime është shumë më e madhe për profesionalizmin.
Kjo do të thotë që Prokuroria e Përgjithshme do ketë një emër tjetër?
Nuk kam një gjykim për këtë. Kjo do të bëhet kur të vijë momenti dhe vetëm atëherë do të bëhet vlerësimi. Besoj se është edhe pritje e qytetarëve që ky institucion të bëjë më shumë.
Keni thënë se emërimi i kreut të SHISH i takon kryeministrit, kjo do të thotë se do ta pranoni propozimin e tij?
Presidenti duhet të flasë me akte, kur akti i vihet përpara. Akti vjen në rrethana të caktuara dhe vendimi i presidentit do të jetë në bazë të asaj që do të gjejë. SHISH është një institucion në vartësi të kryeministrit dhe kreu i tij për t’u shkarkuar apo emëruar bëhet në bazë të vlerësimeve të kryeministrit. Për sa kohë drejtues të institucioneve kaq të rëndësishme i kemi në detyrë, do preferoja të mos krijonim situata të tilla. Aq më tepër, nëse presidenti do ta bënte këtë, nuk do ishte korrekte as nga pikëpamja kushtetuese, qytetarë dhe etike.
Ju ishit kandidat i mazhorancës, duke pasur parasysh skepticizmin e opozitës, që ju ka konsideruar “noter të qeverisë”, si do ta ndryshoni qëndrimin e saj? Cilat do të jenë aksionet tuaja?
Kam një pakt me veten që në momentin që kam pranuar të jem president, pakt që është vulosur pas votimit në parlament, për të qenë një respektues i Kushtetutës, por dhe i vetvetes dhe i integritetit të qytetarëve. Për mua parimet janë shumë të rëndësishme, ato kanë vlerën më të madhe në virtytin e njeriut dhe të shoqërisë. E rëndësishme është që në përmbushje të objektivave që rrjedhin nga këto parime, njeriu të orientohet drejt interesave të mëdha vendit. Duke e parë në këtë prizëm, besoj se puna e presidentit do të dijë të reflektojë atë që presin qytetarët nga presidenti dhe jo atë për të cilën mund të joshet dëshira individuale e një presidenti.
Marrë nga “Top Channel”