Dizajnimi i autostradës “qorre”, një hap i gabuar i qeverisë së Kosovës
Autostrada e kombit nga Durrës-Kukës që pritet të vazhdojë nëpër Kosovë, nëse nuk do të lidhej me korridorin dhe autostradën ndërkombëtare në Bujanovc (Evropë), atëherë porti i Durrësit dhe portet të tjera të Shqipërisë do të kenë rëndësi më të vogël në krahasim me portin e Selanikut (Greqi) dhe atë të Tivarit (Mal të Zi). Ndryshimi i trasesë së autostradës, i projektuar së fundi nga Fatmir Limaj - ministër i Transporteve dhe qeveria “Thaçi”, ndër të tjera kuptohet edhe si konspiracion, për ta “tradhtuar” perspektivën ekonomike të autostradës Durrës-Kukës. Dhe kjo bëhet ndoshta pa vetëdije. Kështu, duke i ruajtur interesat ekonomike greke për ruajtjen e monopolit të portit detar të Selanikut. Askush nuk e kupton se ku është sherri?! - Ndoshta janë interesat e ngushta personale të individëve qeveritarë në Kosovë për të përfituar materialisht, sepse autostrada kalon mbi pronat e familjarëve të tyre, e të cilët për këtë shkak po e bëjnë “kurban” këtë interes me përmasa gjeostrategjike, ekonomike dhe kombëtare Kosovë - Shqipëri - Preshevë. Kosovën sa më parë duhet ta përshkojë autostrada e re, që është një parakusht jo vetëm i zhvillimit ekonomik, por edhe për t’u integruar në Evropë. Por, ndërtimi i saj nga Vërmica (Prizreni) nëpër Malishevë e deri në fshatin Besi (afër Prishtinës) do të ishte në kundërshtim me interesat e ardhshme ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë, sepse kjo autostradë nga Durrësi nuk do të lidhej me korridorin ndërkombëtar në Bujanovc (Evropë). Dhe për këtë fakt kjo autoudhë nuk do të ketë vlerë ndërkombëtare, por vetëm vlerë kombëtare, brendashqiptare. Ilirët e lashtë kishin rrugën nga Lezha (Lisus) në Nish (Nissus) që komunikonin me botën. Lidhja e vendbanimeve shqiptare në Preshevë, Bujanovc do të ishte dhe interes kombëtar, sepse do të lehtësonte komunikimin e tyre me Prishtinën, duke i nxjerrë ata nga izolimi. Një propozim të tillë e kanë dhënë disa analistë dhe politikanë të Kosovës, sikurse Agim Çeku etj. Devijimi i trasesë së autostradës që do të fillojë nga Vërmica (Prizren) dhe që së fundi parashihet të kaloj kah Malisheva për në Prishtinë (jo përtej fshatit Besi) do t’i mundësonte vazhdimin e avantazhit ekonomik të portit detar të Selanikut, i cili do ta kishte edhe më tej monopolin ekonomik në krahasim me portin e Durrësit. Pra, kjo rrugë nuk do të ishte funksionale ndërkombëtarisht.
Sepse, traseja e autostradës e projektuar nga qeveria “Thaçi” do të arrijë deri në fshatin Besi (Prishtinë) pa pasur mundësi të lidhet me autostradën tjetër ndërkombëtare që kalon kah Nishi apo Bujanovci në Evropë. Është fakt publik se Serbia në këto rrethana qëllimisht kurrë nuk do ta ndërtojë ndonjë autostradë nga Nishi (korridori evropian) që do të lidhte me Kosovën (mbi 100 km), sepse Serbia vazhdimisht, me të gjitha mjetet, është përpjekur dhe po lufton ta izolojë e ta bllokojë Kosovën dhe zhvillimin e saj ekonomik, por edhe Shqipërinë.
Sipas mediave, Serbia ka filluar punët për ndërtimin e infrastrukturës dhe autostradës që e lidh Beogradin me Malin e Zi (portin e Tivarit), rrugë kjo me karakter ndërkombëtar dhe evropian. Ky fakt nënkupton se Serbia është e interesuar ta bëjë autostradën e Kosovës rrugë qorre e të izoluar, pa dalje në korridorin ndërkombëtar dhe evropian.
Nëse autostrada e Kosovës nuk do të lidhej me rrugën ndërkombëtare në Bujanovc (Evropë), atëherë do të ruhej Status Quo-ja dhe do të ruheshin interesat ekonomike greke për ruajtjen e monopolit të portit të Selanikut, si port kryesor detar në Ballkan.
Për të shmangur këto dizavantazhe fatale, para së gjithash ekonomike, për shqiptarët dhe për t’ia rritur vlerën ekonomike si të portit të Durrësit ashtu dhe pjesës tjetër të Shqipërisë dhe Kosovës, traseja e autostradës së Kosovës duhet patjetër të fillojë nga Vërmica (Prizren) të kalojë nëpër Lipjan e më pas për në Preshevë dhe në autostradën ndërkombëtare në Bujanovc, në Evropë. Kjo, pa dyshim, do të kishte rëndësi reale gjeostrategjike, ekonomike dhe kombëtare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Preshevës. Kjo është e vetmja mundësi që autostrada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të ketë vlerë ndërkombëtare e t’i mundësohet perspektiva ekonomike portit të Durrësit dhe të anashkalohen interesat greke për portin e Selanikut dhe ato serbe e malazeze për portin e Tivarit (Mal të Zi).
Në vitin 2005 qeveria e atëhershme e Kosovës kishte përgatitur në letër projektin e autostradës që fillonte nga Vërmica (Prizren) dhe kalonte nëpër Lipjan. Ky dizajnim i projektit atëbotë i kishte kushtuar një shumë të madhe parash qeverisë së atëhershme dhe që ishte kryer nga një firmë gjermane. E sot, për habi, qeveria “Thaçi”, përkatësisht Fatmir Limaj, ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, ka ndryshuar projektin për trasenë e kësaj autostrade, që sipas tij, kjo do të ndërtohet nga Vërmica (Prizren), do të kalojë nëpër vendlindjen e tij Malishevë dhe do të arrijë deri në fshatin Besi (Prishtinë). Autostradë kjo, që sipas të gjitha gjasave, pritet të mbetet rrugë qorre, e izoluar për nga rëndësia ekonomike ndërkombëtare. Kosovën sa më parë duhet ta përshkojë autostrada e re. Por pa lidhjen e saj me korridorin ndërkombëtar në Bujanovc (për në Evropë), të izoluara ekonomikisht dhe pa qasje infrastrukturore ndërkombëtare do të mbeteshin Kosova, Presheva dhe Shqipëria.