E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djajtë, dhurata nga arbitri dhe Arsenali

Mançester Junajtid mund 2-0 QPR-në me 10 veta, falë gabimeve të Li Meson.

Në 6 ndeshjet e fundit të Premier Ligës, Siti +8 pikë larg.

Me një dhuratë në vezën e Pashkëve, për të cilën nuk ishte absolutisht e nevojshme, Mançester Junajtid vijon rrugën drejt titullit të Premier Ligës, pasi mundi 2-0 QPR-në në javën e 32-të të kampionatit, ndërsa Arsenali mundi Sitin në “Emirates”. “Dhurata” për kampionët erdhi në minutën e 13-të të ndeshjes, kur gjyqtari Meson akordon penallti në favor të tyre, pas ndërhyrjes ndaj Jangut dhe e shoqëron me karton të kuq për Derrin. Jo vetëm që kontakti në zonë është i diskutueshëm, sepse ishte minimal, por mesfushori i “djajve” ishte gati një metër në pozicion jashtë loje kur mori topin nga Runi. E si për të mos mjaftuar vetëm këto, QPR-së i duhet të luajë me 10 veta për 77 minutat e mbetura. Pasi përfunduan protestat e djemve të Mark Hjuxhsit, Runi nuk gabon duke e çuar topin në këndin e djathtë të Kenit. Deri në këtë minutë, vendësit nuk kishin krijuar asnjë rast flagrant ndaj skuadrës që lufton për të mos rënë nga kategoria. Por, goli e bëri një lojë fëmijësh pjesën e mbetur të ndeshjes. Mark Hjuxhs, ish-emblema e Junajtid si futbollist, mund të ngushëllohet me faktin që mori vetëm 2 gola në këtë ndeshje, që rrezikoi të përfundonte në goleadë. Dhe tani skuadra ndodhet në vendin e katërt nga fundi, me pikë të barabarta me Blekbërnin dhe Uiganin, por me golavarazh më të mirë. Dhe, me një rezultat të tillë, numrat e Mançester Junajtid bëhen të frikshëm. Që prej 5 shkurtit, (dita që kthyen 3 golat e Çelsit në një barazim 3-3), 19 herë kampionët e Anglisë kanë fituar 8 ndeshje radhazi në kampionat, duke e ruajtur rrjetën e portës së paprekur në 5 ndeshjet e fundit. Një rul i vërtetë, i cili rikthehet më i fortë se kurrë në periudhën më decizive të kampionatit, pas eliminimeve nga kupat e Europës, por edhe nga ato të Anglisë. Tashmë kanë ingranuar marshin e pestë, dhe parada me autobusin më 13 maj duket më afër se kurrë. Edhe në një pasdite jo të shkëlqyer, Junajtid arrin të përmbushë misionin e tij, edhe pse Runi apo Uelbek nuk tregojnë shumë nga vlerat e tyre. Në skedën e rasteve kryesore të ndeshjes përfundojnë dhe shtyllat e goditura nga Rafael dhe Kerrik (2 nga lojtarët më pak bindës në këtë ndeshje). Por, rasti që vulos 3-pikëshin ka firmën e Pol Skollsit 37-vjeçar, i cili as që i ndjen vitet në fushë. Një gjuajtje nga jashtë zone, si në kohët e vjetra nga mesfushori, shuan shanset e QPR-së, e cila shfaqet dinjitoze në fushë edhe pse në inferioritet numerik.

Ferguson: Penalltia s’ishte
Trajneri i Junajtid e pranon se penalltia e Jangut nuk ishte: “Eshli m’u duk në pozicion jashtë loje, por raste të tilla ka pasur me dhjetëra në këto javët e fundit. Kontakti me Derrin mjaftoi për ta rrëzuar Jangun dhe duke qenë ai lojtari i fundit i QPR-së, atëherë gjyqtari e ndëshkoi me të kuqe. Nuk besoj se kishte opsion tjetër”. Skocezi nuk i kurseu elozhet për veteranin Skolls, pas kthimit të të cilit në janar Junajtid ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e kampionatit: “Skolls është një legjendë.

Hjuxhs: Vendosën gabimet e arbitrit
QPR-ja do ta apelojë kartonin e kuq të Shon Derrit, ndërsa trajneri Mark Hjuxhs akuzoi gjyqtarin Li Meson se ishte nxituar shumë, kur e kishte marrë këtë vendim. Mbrojtësi u nxor nga fusha pas një kontakti në zonë me Jangun, në një kohë që mesfushori i “djajve” ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje: “Të gjithë e panë. Eshli ishte në pozicion jashtë loje. Pastaj, kontakti në zonë qe minimal dhe gjyqtari ishte shumë i gatshëm për të vërshëllyer penallti dhe nxjerrë kartonin e kuq. Nuk i la kohë as asistentit për të ngritur flamurin. Jemi shumë të zhgënjyer, sepse praktikisht u vendos edhe fati i ndeshjes”.

Mançini s’grumbullon Turenë, drejt largimit
E ardhmja e mbrojtësit Kolo Ture te Mançester Siti është në ajër, pasi ai u la jashtë ekipit në transfertën ndaj Arsenalit. Mediat angleze shkruajnë se ai nuk u grumbullua nga trajneri Roberto Mançini, ndërkohë që ky i fundit nuk e shpjegoi arsyen e këtij veprimi. Lojtari ka qenë një nga përgjegjësit kryesorë për barazimin 3-3 ndaj Sandërlendit dy javë më parë. Mbrojtësi ka edhe një vit tjetër në kontratën e tij për të qëndruar te Siti, por duket se ai do të largohet më parë nga “qytetarët”.

Rio Ferdinand
Për Rio Ferdinandin, Mançesteri i tij është me një dorë te titulli. Për mbrojtësin anglez, rokada me Sitin në klasifikim ka ardhur falë eksperiencës. “Nuk kemi pasur kurrë dyshime në aftësitë tona për të mbërritur deri këtu. Falë eksperiencës, gjithnjë kemi pasur vazhdimësi në këtë fazë të sezonit. Tani kemi edhe 6 “finale” të fundit, të cilat unë mendoj se kemi shanse që t’i fitojmë që të gjitha.

Redknap
Trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, këmbëngul se skuadra e tij nuk ka asnjë arsye për ta zënë paniku, pavarësisht barazimit pa gola me Sandërlendin të shtunën. “Ne kemi edhe 6 ndeshje deri në fund dhe ndodhemi në gjysmëfinalet e ‘FA Cup’. Nuk kemi për të luajtur me asnjë nga 6 skuadrat e para në këto takime dhe disa prej tyre i zhvillojmë brenda në shtëpi. S’ka asnjë arsye për të na zënë paniku. Jemi ndodhur edhe më parë në një situatë të tillë dhe kemi ditur t’ia dalim”, tha ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›