E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikime false për pasaporta, 4 në hetim

TIRANE – Katër persona merren në hetim për aplikime false për pasaporta. Oficerët e Seksionit Kundër Krimeve Ekonomike e Financiare të Policisë së Tiranës kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të katër personave, të cilët kanë aplikuar dy herë me datëlindje të ndryshme për pasaporta biometrike. Burime nga Policia thanë se rasti i parë bën fjalë për shtetasin Xheladin K., 77 vjeç, lindur në Jugosllavi dhe banues në rrugën “Halil Bega”, i cili rezulton të ketë aplikuar dy herë për pasaportë biometrike. Në të dyja rastet aplikimi është kryer në Njësinë Bashkiake Nr.5, por me datëlindje të ndryshme. Gjithashtu hetimi ka nisur edhe ndaj Zenun L., 63 vjeç, banues në Frutikulturë të Kamzës, sepse sipas Policisë rezulton të ketë aplikuar dy herë për pasaporta biometrike. Një herë në Njësinë Bashkiake Nr.1 dhe herën tjetër në Bashkinë Kamzë, por në të dyja rastet ka përdorur datëlindje të ndryshuara. Ka filluar procedim penal në gjendje të lirë edhe për shtetasin Elger V., 29 vjeç, banues në rrugën “Zonja Çurre”, në Tiranë, pasi me gjeneralitete të njëjta ka aplikuar për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti në dy njësi të ndryshme bashkiake. Oficerët e Antikrimit Ekonomik e Financiar kanë nisur procedim penal edhe ndaj 66-vjeçarit Qemal J., banues në Shkozë të Tiranës, pasi edhe ky shtetas akuzohet se ka aplikuar me datëlindje të ndryshme në dy njësi të ndryshme të gjendjes civile, për t’u pajisur me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti. Aplikimi me të dhënat e shtetasve shqiptarë, por me fotot e falsifikuara, është kthyer në një skemë të mirëfilltë falsifikimi për pasaportat biometrike. Persona që nuk kanë shtetësinë shqiptare vendosin foton e tyre dhe plotësojnë formularët me të dhëna të blera nga shtetas shqiptarë, duke arritur të pajisen me dokumentin që mundëson udhëtimin pa viza në zonën “Shengen”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›