Ëmbëlsi amerikane në Tiranë
Djemtë që dikur na bënë të qeshnim me aventurat e tyre, rikthehen pas më shumë se një dekade mungesë në ekranin e madh. Jason Biggs, Eugene Levy e Seann William Scott prezantojnë aventurën më të re në American Pie – Reunion përmes një premiere botërore që përfshin për herë të dytë radhazi Tiranën. Aventura më e re e sagës ka filluar tashmë projeksionet në kinema Millennium prej datës 6 prill. Të gjithë personazhet e sagës American Pie gjenden pas gati një dekade në një qytezë të East Great Falls për takim pas vitesh të nxënësve të shkollës. Gjatë një fundjave tepër të pritur do të zbulojnë çfarë ka ndryshuar në jetën e tyre, kush ka mbetur i njëjti, por edhe që koha e largësia nuk mund të thyejnë miqësinë e tyre. Ishte viti 1999, kur të katër djemtë e qytezës së vogël në Michigan do të fillonin kërkimet mbi seksualitetin e tyre. Një dekadë më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar. American Pie Reunion mban firmën e regjisorëve Jon Hurwitz, Hayden Schlossberg.