Të ikësh i qetë nga kjo botë, është bekim Intervista e fundit e Klosit
Vetëvrasja e publicistit të njohur Ardian Klosi ka shokuar opinionin publik. Edhe pse ai kishte shfaqur shenja depresioni muaj më parë, askush nuk e priste këtë veprim. Sipas burimeve të policisë, para aktit fatal, Klosi i ka nisur një sms të shoqes, fotografes Jutta Benzenberg, ndërsa ka lënë edhe një letër për dy vajzat e veta.
I pyetur nga gazetari Mustafa Nano kohë më parë, nëse kishte frikë nga vdekja, Klosi u përgjigj: Aspak, vetëm se do doja të mos ishte e dhunshme. Të ikësh i qetë, me vetëdije e pa dhimbje duhet të jetë një bekim.
Ardian Klosi u lind në vitin 1957. U diplomua në fakultetin e Gjuhë – Letërsisë në 1981 dhe në vitin 1990 mori doktoratën. Nga viti 1993 – 1998 ka qëndruar në Gjermani. Ai ka botuar disa libra si në shqip, ashtu edhe në gjermanisht. Në shqip atij i njihen këto botime: 1991: Refleksione (me Edi Ramën), 1991: Shqipëria zgjim i dhunshëm, 1993: Quo vadis Shqipëri, 1997: Shqipëria çmund të jetë dhe në gjermanisht: 1993: Mbijetesë shqiptare (fotot Jutta Benzenberg), 1997: Fjalor gjermanisht-shqip (me W. Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj. Ai është i martuar me fotografen e njohur gjermane Jutta Benzenberg me të cilën ka dhe fëmijë.
Klosi: Nuk e kam frikë vdekjen; thjesht do doja të mos ish e dhunshme
U futa qysh në mëngjes në arkivat e respublica-s për të gjetur e veçuar diçka nga Ardian Klosi (dërgonte herë pas here gjëra për tu publikuar në respublica). Ka një numër shkrimesh, të cilave mund tu kthehet secili prej nesh, mjaft të bëjë një kërkim më emrin e Ardian Klosit, por mu duk me interes që të ripublikohet një intervistë e tij për rubrikën Nano Questionnaire. Do ju ftoja ta rilexonit këtë intervistë. M. Nano
1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Kur rritesh në ateizëm, e ke vështirë të besosh më pas. Mënyra se si po ecën shoqëria shqiptare më bind për mundësinë e fundit.
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe është shumë e pasur, për dy arsye: Së pari, bërthamës së moçme të fjalëve e strukturave shprehëse, ajo i ka mbishtresëzuar në shekuj huazime sidomos nga latinishtja, greqishtja, gjuhët sllave, turqishtja (me arabishten e persishten). Një pjesë e madhe e këtyre huazimeve janë asimiluar shqiptarçe dhe sot ndihen si pjesë e gjuhës. Arsyeja e dytë është që shqipja është kultivuar, veçanërisht në shekullin 20, në dy variantet e saj letrare, gegënisht dhe toskërisht. Po të shfletosh botimet e 6 dhjetëvjeçarëve të parë 1900-1960, mahnitesh nga gjithë ajo pasuri; merrni vetëm Iliadën në përkthimin e Gjon Shllakut, botim i vitit 1964, në çdo faqe gjeni fjalë të panjohura. Në këtë pikëpamje mund të jetë më e pasur nga gjuhë të tjera indoeuropiane. Mirëpo në anë tjetër, shqipja është më pak e kultivuar nga gjuhë të tjera të kontinentit në arsenalin e termave p.sh. nga dijet humane si filozofia, psikologjia, sociologjia etj.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Për mua njerëzit janë në thelb irracionalë. Ti gënjehesh nga fakti se janë të pajisur me arsye. Kanë nevojë për shumë vuajtje dhe shkatërrime që të vinë në udhë të drejtë. E keqja më e madhe është që njeriu është qenie egoiste, grabitqare. Kështu që gjithë kohën përpiqet të grabisë ose nga natyra ose nga shoqëria. Kjo sjell përplasje dhe katastrofa të pashmangshme.
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive Big Brother?
Jo, kurrë.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është një realitet. Por nuk e quaj harmoni, e quaj më shumë indiferencë fetare. Në përgjithësi shqiptarët janë mosditës në punë feje. Duke mos patur pasion, përkushtim pozitiv ndaj ndonjë feje, kjo i bën që edhe të mos kenë pasione negative ndaj një feje tjetër.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Uniteti është i dhënë nga historia, që e kemi të përbashkët deri te Jugosllavia e Titos dhe Shqipëria e Enver Hoxhës. Dallimet kulturore që nisin prej asaj kohe nuk më duken thelbësore. Vetëm se fakti që shqipja që flasin sot kosovarët është aq larg gjuhës së shkruar të përbashkët, përbën vetiu faktor të fortë diferencues.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Njerëzit që dua, duke nisur nga vajzat e mia.
8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Për Shqipërinë e keni fjalën? Sigurisht. Por Shqipëria nuk është vend demokratik; këtu kanë ndodhur disa vrasje për arsye shtetërore, nga ato të 2 prillit 1991 deri te të fundit më 21 janar 2011. Po edhe përtej, në botën demokratike mund të ndodhin. Bie fjala, kurrë nuk u sqarua vdekja e politikanit gjerman Uwe Barschel në vitin 1987 në një dhomë hoteli në Gjenevë.
9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Do ta gjuaja grusht oborri. Shtet atëherë nuk kishte, politikanët luanin si macja me miun, gjersa doli më i forti që i shtypi gjithë rivalët.
10. Ajo që komunistët e kanë quajtur Lufta Nacionalçlirimtare, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Ky ishte mallkimi, që një luftë e drejtë çlirimtare u përzie qysh herët me luftën kundër forcave kundërshtare politike, për të siguruar pushtetin pas largimit të të huajve, dmth. luftë civile me format më të ashpra dhe vrasjet më të shëmtuara. Komunistët i shfrytëzuan me mjeshtri gabimet trashanike të nacionalistëve, që në vend që të luftonin ashpër gjermanët, bënë me këta shpesh kauza komune dhe aksione të përbashkëta. Pasoja ishte që u martirizuan fshatra, qytete, deri dhe krahina të tëra, si ato të Veriut.
11. Nëse do tju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Ruajtja e vendit; mes një varfërie e shtypjeje të skajshme të lirive, ruajtja e pasurive natyrore të njërit prej vendeve më të bukura në Europë.
12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Kjo pyetje e ka brenda të fortë elementin e Hallës. Ne jemi edukuar qysh 15-16 vjeçarë me veprat e Stendalit, Tolstoit, Çehovit pastaj Sartrit, Kafkës. Zor se do kishim pranuar në krye gjysmë-injorantë si Enver Hoxha. Por, si fshatar i thjeshtë natyrisht do të kisha luftuar pushtuesit.
13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
I ka të dyja brenda. Siç e kishte ndërtuar pushtetin e tij ai, me një patericë italiane, e kishte të pamundur të ngrihej kundër pushtimit italian. Po