Djali i sëmurë qëllon me dru nënën se nuk i dha lekë
51-vjeçari Lefter Pashai godet për vdekje nënën 70-vjeçare, që kujdesej për të
Vali Qyrfyçi
Durrës – Meremja ishte një grua në moshë që kishte arritur të rriste dhe nxirrte në jetë shtatë fëmijët e saj. Nga dje ajo nuk është më. Njëri prej djemve që e kishte mëkuar me qumështin e gjirit dhe ishte kujdesur gjithnjë për të dhe pse kishte krijuar familjen e vet dhe tashmë është në moshë madhore e vrau. Meremja nuk është më. Ashtu si shumë gra të tjera në këto vitet e fundit, ajo i është shtuar numrit të viktimave të krimit brenda familjes. I biri, Lefteri 51-vjeçar me probleme mendore e ka vrarë paraditen e së shtunës nënën e tij, e vetmja që kujdesej për të pas vdekjes së bashkëshortes, një vit më parë. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Kullë të Bashkisë së Manzës në Durrës. Ngjarja erdhi pas një debati për motive të dobëta mes Lefter Pashait dhe të Merjemes 70-vjeçare.
Shërbimet e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë arrestuar autorin, i cili nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, shtëpia e nënës së tij. Një shtëpi e vogël në rrëzë të një pallati. Brenda saj duken ende shenjat e krimit që ndodhi. Në mes të dhomës së varfër në pajisje ndodhet një sobë drush. Një dollap i bardhë mban gjurmët e gjakut të asaj që nuk është më. I biri 51-vjeçar jo vetëm që merrte kujdesin e vazhdueshëm të nënës së vet, por e mbante dhe nën presion, duke i kërkuar vazhdimisht para. Edhe paraditen e djeshme i kërkoi së ëmës tia dorëzonte atij çelësat e shtëpisë, si dhe paratë e pensionit dhe ato pak para që kishte mbledhur nga dërgesat e fëmijëve të tjerë që jetojnë në emigracion. Gruaja i ruante për një të keqe, një sëmundje a vdekje. Refuzimi i të moshuarës për të lëshuar në duart e të birit plangprishës dhe me probleme mendore atë pak pasuri që kishte ka marrë reagimin e dhunshëm të tij. Ai e ka goditur me mjete të forta, dru që viktima i përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar dhe vdekjen. Teksa policia ka mbërritur në shtëpinë e krimit dhe ka prangosur autorin, dëshmitarë okularë tregojnë se nipi i tij e ka goditur me grushte duke i ulëritur se sapo të dalë nga burgu do e vrasë.
Lidhur me ngjarjen, banorë të fshatit, fqinjë të gruas së moshuar, shprehen të habitur, pasi pavarësisht se autori njihej për problemet mendore ai nuk shfaqej i dhunshëm në komunitet, në jetën e tij të përditshme. Para një viti i kishte vdekur bashkëshortja nga një sëmundje e rëndë. Tre fëmijët e çiftit pas vdekjes së të ëmës nuk jetonin më me babanë. Ata ishin larguar te disa të afërm në Greqi. Që nga ajo kohë shëndeti i tij mendor ishte rënduar edhe më tepër. E ëma shpesh dilte e kërkonte nëpër fshat, pasi i kishte përgatitur ushqimin dhe e ftonte të hante një vakt të ngrohtë. Më së shumti, ngjarja ka tronditur veçanërisht fëmijët e fshatit, disa prej të cilëve kanë dëgjuar edhe debatin e fundit mes viktimës, nënë e 7 fëmijëve dhe djalit të saj, Lefterit: Ai i thoshte se duhej ti jepte paratë që kishte dhe çelësat e shtëpisë, që ai të hynte e dilte në çdo kohë aty. Ai po bërtiste. Ne vazhduam rrugën dhe disa minuta më vonë e pamë kur policia e përplasi pas murit dhe më pas e mori me makinë. Ai ishte gjithë gjak. Të tjerë në fshat tregojnë se e kanë dëgjuar ti kërkojë nënës dhe 200 mijë lekët e tokës.
Ngjarja ka lënë pas shijen e hidhur të krimit brenda familjes, ndërsa nipër të gruas së vrarë, por edhe të autorit janë betuar se do të hakmerren ata nëse drejtësia do të tregojë mëshirë ndaj vrasësit, siç ndodh rëndom, veçanërisht me personat me probleme të shëndetit mendor.
Kërkesa
51-vjeçari i ka kërkuar të ëmës ti dorëzonte atij çelësat e shtëpisë, si dhe paratë e pensionit dhe ato pak para që kishte mbledhur nga dërgesat e fëmijëve të tjerë që jetojnë
Dhuna
Refuzimi i të moshuarës ka marrë reagimin e dhunshëm të të birit, që e ka goditur me mjete të forta, drutë që viktima përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar vdekjen
Djali i sëmurë qëllon me dru nënën se nuk i dha lekë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email