E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali terror me kallash, mban peng dy orë familjen

Policia e RENEA në fshatin e largët. I riu largohet me armën.

Laç, i sëmuri mendor sapo ishte liruar nga burgu.

Një familje me katër anëtarë u terrorizua dhe u mbajt peng për dy orë nga djali i saj 24-vjeçar. Klevis Balloku, për të cilin policia tha se është me probleme mendore, ka vënë në alarm Policinë e Kurbinit, të Lezhës, forcat e FNSH-së së Shkodrës, si dhe RENEA-n nga Tirana. Një telefonatë në sallën operative dha sinjalin se në fshatin Vinjollë të Kurbinit, djali po mbante peng me armë zjarri familjarët e tij. Menjëherë pas sinjalizimit, policia është nisur drejt vendit të ngjarjes. Janë dashur rreth dy orë derisa blutë të mbërrinin në vend për shkak të terrenit të thyer, por edhe pasi Vinjolla është fshati më i largët i Kurbinit me qendrën. Burime të Policisë bënë të ditur se djali 24-vjeçar i familjes Balloku ishte kthyer rreth 6 muaj më parë nga Greqia. Ai kishte ardhur pranë familjes me të mbaruar dënimin me tri vite burg për veprën penale të vjedhjes. Bazuar edhe në dëshminë e të afërmve të tij, pas kthimit nga emigracioni ai kishte shfaqur probleme të dukshme depresive, duke i kthyer ato në dhunë në familje. Dhuna ka vijuar për gjithë këta muaj, por familjarët e tij nuk kishin kryer denoncim, meqenëse i biri vuante nga çrregullimet mendore. Por dita e djeshme për pak ka përfunduar tragjikisht, pasi 24-vjeçari ka futur në kuzhinë prindërit, vëllain dhe motrën e tij më të vogël, duke i kërcënuar se do t’i vriste. Familjarët janë alarmuar, pasi arma kallashnikov ishte e mbushur dhe nga momenti në moment kërcënimet e tij mund të përfundonin me pasoja për jetën. Njëri prej familjarëve ka mundur të komunikojë me një të afërm të tij, të cilit i ka kërkuar ndihmë duke i prezantuar edhe situatën në të cilën ndodheshin. Të gjendur para një thirrjeje të tillë për ndihmë, të afërmit e familjes sinjalizuan sallën operative. Pas rreth 2 orësh udhëtim, Policia e Kurbinit dhe ajo e Lezhës, por edhe forcat e FNSH-së dhe të RENEA-s, i janë afruar banesës së familjes Balloku. Për shkak të terrenit ku ndodhej banesa, 24-vjeçari ka arritur të zbulojë prezencën e forcave të policisë që po i afroheshin shtëpisë. Ai ka mundur të largohet duke dalë nga dritarja e pasme, drejt pyllit të dendur që ndodhej në dalje të fshatit. “24-vjeçari Klevis Balloku ka dhunuar sistematikisht familjen e tij. Dje, ai ka përdorur edhe armë duke i mbajtur peng dhe kërcënuar se do t’i vriste”, bëri të ditur Policia. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në kushtet e një tronditjeje të fortë psikike. I riu nuk ka pasur asnjë kërkesë ndaj familjarëve të tij, e cila do t’i shërbente atij si kusht për t’i lënë ata të lirë. Mësohet se Policia është vënë në ndjekje për arrestimin e tij. Meqenëse është larguar i armatosur, kjo mund të përbëjë rrezik edhe për banorë të tjerë të fshatit. Forcat speciale dhe ato të qarkut të Lezhës kanë vazhduar deri në mbrëmje kërkimet në zonën e thellë, por ende pa rezultat.

Policia: I armatosur, paraqet rrezikshmëri
Sipas dëshmisë së dhënë nga familjarët, ankthi e paniku i kishte shoqëruar përgjatë dy orëve, derisa në vend mbërritën forcat e policisë. Ata kanë dëshmuar se 24-vjeçari ishte kthyer nga Greqia rreth 6 muaj më parë, pasi kishte përfunduar dënimin me tri vite burg. Nga hetimet e Policisë rezultoi se i riu kishte qenë në burg për vjedhje. Ai konsiderohet si person me rrezikshmëri deri në momentin e arrestimit, pasi është i armatosur.

2 ore udhëtim i janë dashur Policisë së Lezhës, Kurbinit, FNSH-së së ardhur nga Shkodra dhe RENEA-s nga Tirana, nga qyteti i Laçit në fshatin Vinjollë ku ndodhi ngjarja.

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›