E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin skrap, plagosin punonjësin e Albpetrol

FIER- Plagosin me mjete të forta punonjësin e kompanisë “Albpetrol”, në tentativë për të vjedhur hekur për skrap. Sipas Policisë, i plagosuri është shtetasi H.T. 60 vjeç, i punësuar si përgjegjës turni në sektorin e naftës Nr. 6 në qendrën e prodhimit në fshatin Zharrëz të Patosit. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur 60-vjeçari u godit me sende të forta. Ai arriti të njohë autorët që ndodheshin në brendësi të sektorit, tek kullat e naftës. Duke mos dashur të lejojë vjedhjen e pjesëve metalike të kullave të naftës, ai është ndeshur me hajdutët. Përleshja mes tyre shkaktoi plagosjen e rëndë të rojës, kryesisht në kokë. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit, por pas ndihmës së dhënë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi i hetimit mbërriti në vend dhe, pasi kreu ekspertizën, ndërtoi edhe dinamikën e ngjarjes. “Shtetasi me inicialet H.T., lindur dhe banues në Patos, dyshohet se është goditur nga shtetasit Edmond Hajdini, Altin Hajdini dhe një person i tretë. Të tre këta shtetas kanë tentuar të vjedhin pjesë të puseve të naftës për skrap”, bëri të ditur Policia e Fierit. Policia deklaroi se është duke punuar për kapjen e autorëve të dyshuar, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Vetëm disa ditë më parë, në të njëjtin sektor nafte u plagos me armë zjarri roja nga hajdutë të skrapit.                                      m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›