E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali vret me sopatë nënën e moshuar, plagos të bijën

 LIBRAZHD/ ALDO KOZARIANjë grindje e rëndomtë në familje i merr jetën 75-vjeçares Bie Miska. Autor i krimit është i biri i saj 53 vjeç, Haki Miska, i cili ndërsa qëllonte me sopatë ndaj nënës së moshuarës i ka shkaktuar plagë edhe së bijës 18-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në fshatin e largët Prevall të komunës Lunik, në Librazhd. Burime të policisë thanë dje se nënë e bir kanë pasur një debat, për shkaqe që ende nuk dihen saktësisht, por që dyshohet se kanë qenë të çastit. Në gjaknxehtësi e sipër, Miska nuk ka ngurruar që të marrë një sopatë drush për t'iu vërsulur së ëmës. Goditjet kanë qenë vdekjeprurëse për të moshuarën, e cila nuk ka pasur mundësi të mbrohet. E vetmja që ka ndërhyrë në ato momente ka qenë mbesa e saj dhe vajza e autorit, Besjana, e cila mësohet se ka mbetur e plagosur nga arma e mprehtë. Ajo ka dashur që të shmangë goditjet ndaj gjyshes, por është bërë vetë pre e tyre. Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar nga shtëpia, duke u munduar të humbë gjurmët. Të afërm të familjes Miska, në pamundësi për të shpëtuar 75-vjeçaren kanë transportuar drejt spitalit të Librazhdit vajzën e re. Pas marrjes së njoftimit për krimin në familje, policia e Librazhdit dhe e Elbasanit, me në krye vetë drejtuesin e saj, Saimir Muçaj, janë nisur drejt zonës së thellë, 30 km larg qytetit. Deri në mbrëmjen e vonë, forca të shumta policie ishin në kërkim të autorit, i cili kishte mundur të largohej duke shfrytëzuar terrenin e vështirë dhe dëborën e madhe. Haki Miska, sipas policisë, njihej si person problematik në këtë zonë, për shkak të grindjeve që shkaktonte dhe bëhej protagonist. Një prej tyre solli dhe tragjedinë në familjen Miska, ku viktimë ishte pikërisht nëna e tij. Pritet që pas arrestimit të tij të zbardhen dhe motivet e rrethanat e sakta në të cilat ndodhi krimi. Dëshmia tjetër e rëndësishme do të jetë nga e bija e autorit, pas daljes nga gjendja e rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›